Mbeten edhe 8 kuti për t’u numëruar në Njësinë Nr. 5, të cilat do të vendosin për kryebashkiakun e ardhshëm të Tiranës.Dje u arrit që të numëroheshin 8 kuti gjithsej, të cilat prodhuan një rezultat të ngushtë për kreun aktual të Bashkisë, Edi Rama, i cili arriti të marrë në 5 kuti 188 vota më shumë, por në një kuti, kandidati Basha mori 47 vota më tepër, duke sjellë një atmosferë entuziazmi për të djathtët në sallën e numërimit. Rezultati i nxjerrë nga këto kuti të mbetura mbajnë Bashën në avantazh edhe me disa qindra vota, por që 8 kutitë e mbetura mbajnë ende të hapur garën për kreun e Bashkisë së Tiranës. Të dyja shtabet e partive, të ndodhura pranë shkollës “Vasil Shanto”, llogarisin edhe kutinë e fundit, e cila mund të jetë përcaktuesja për fituesin. Referuar rezultatit përfundimtar të KQZ-së, me llogaritjen e 477 kutive të votimit, nga 485 gjithsej, kandidati Basha ka një diferencë prej 571 votash më shumë se Rama. Sipas rezultatit të dy kutive të fundit, ku u rivlerësuan edhe 17 vota të pavlefshme, Rama mori 100 vota më tepër në kutinë me numër. 56 dhe 37 vota më tepër në kutinë me numër 57. Në total, sipas shifrave të KQZ-së, Basha ka marrë 123 348 vota, ndërsa Rama ka marrë 122 777 vota.
Por, dita e djeshme nuk kaloi pa tension apo lodhje mes të dyja palëve. Dy kuti të numëruara nuk po firmoseshin nga komisionerët e palëve për shkak të kontestimeve. Numërimi u ndërpre rreth orës 22:00 të mbrëmjes për shkak të pretendimit të socialistëve për fletët e kontestuara. Kjo çështje e acaroi situatën, e cila nuk u ndal dot as nga ambasadori amerikan, Aleksandër Arvizu, i cili vizitoi sërish këtë qendër numërimi. Pas takimit me ambasadorin, deputetët e të dyja palëve duket se nisën negociatat. Ministri Genc Ruli, i shoqëruar nga sekretari Organizativ i PD-së, Flamur Noka, bisedonin me deputetët e PS-së Paulin Sterkaj e Damian Gjiknuri në lidhje me ecurinë e procesit. Në fund, kjo edhe pas deklaratës së bërë nga ambasadori amerikan, u vendos që të vlerësoheshin fletët e kontestuara. Ministri Ruli bëri me dije se u arrit si marrëveshje që të vendoset rregull përsa i përket kontestimit të fletëve me shenja nga printimi pas tyre, të zbrazet salla nga njerëzit e panevojshëm, përfshirë edhe deputetët, si dhe numërimi të nisë në orën 8 të mëngjesit. Këto negociata u zhvilluan ndërkohë që edhe ambasadori amerikan Arvizu ndodhej në sallë, i cili nuk i ndërpreu kontaktet me deputetët e të dyja palëve. Më pas situata u qetësua plotësisht dhe komisionerët firmosën procesverbalet.
Në 6 kutitë e numëruara dje në Njësinë Nr. 5, në pesë prej tyre pati vota para ndaj kandidatit Edi Rama. Kreu aktual i Bashkisë siguroi në një kuti 5 vota para, në një 38 vota para, në një tjetër 40, në një 17 dhe te më e madhja 97 vota para. Kandidati Basha arriti një kuti me vota plus duke marrë 47 vota më tepër, duke u bërë kutia e dytë në këtë njësi që Basha del me vota plus.
Njesia 5, Tirane
Edi Rama 16 007 vota
Lulzim Basha 11 920 vota
Të llogaritura 53 kuti nga 65
Mbeten për t’u numëruar edhe 8 kuti

PS: Skemë manipulimi me votat e Ramës
Deputeti i PS-së, Erion Braçe, e akuzoi dje maxhorancën dhe kreun e KQZ-së, Arben Ristani, se po vënë në lojë një skemë manipulimi me votat e kandidatit Edi Rama në Tiranë. “Kur kutitë, pavarësisht me një ngadalësim të tejskajshëm, po shkojnë drejt fundit, po vëmë re me shqetësim një skemë të qartë manipulative, që synon të nxjerrë sa më shumë fletë të pavlefshme për çdo kuti votimi ku shqiptarët kanë materializuar vullnetin e tyre. Kjo skemë manipulative është urdhëruar nga Sali Berisha, nga kandidati i tij humbës dhe në fund nga Arben Ristani”, tha Braçe. Ai lëshoi akuza të ashpra në adresë të kreut të KQZ-së. “Arben Ristani, ky zyrtar që po vë në rrezik zgjedhjet në Shqipëri dhe që ka në kurriz zgjedhjet e 2009-s, është përpara një strategjie për nxjerrjen e fletëve të pavlefshme. Ky është problemi që po rrëzon zgjedhjet në Tiranë dhe në gjithë Shqipërinë”, tha deputeti i PS.
PD: PS shpif, numërimi është transparent
Deputeti i PD-së, Gent Strazimiri, iu kundërpërgjigj akuzave të ardhura nga deputeti i PS-së, Erion Braçe, në adresë të maxhorancës për numërimin e votave në Tiranë. Sipas tij, numërimi është tërësisht transparent. “Akuzat absurde, shpifjet, ofendimet, deri dhe kërcënimet për burgosje, të bëra nga Erion Braçe në këto orë, me një stil dhe pamje prej talebani, nuk pasqyrojnë gjë tjetër veçse panikun e humbjes që ka mbërthyer Edi Ramën. Të gjithë shqiptarët po ndjekin në kohë reale, përmes mediave televizive, numërimin korrekt dhe në përputhje të plotë me ligjin, të votave nga numëruesit e partive, në prezencë të vëzhguesve lokalë dhe ndërkombëtarë. Kjo është transparenca më e madhe e ofruar ndonjëherë për të lexuar zërin dhe vullnetin e qytetarëve shqiptarë”, tha Strazimiri.
ERALD KAPRI
© Panorama.al











