
TIRANE- Presidenti i Komisionit Evropian, Hoze Manuel Barroso përshëndet zgjedhjen e Bujar Nishanit në postin e Presidentit të Republikës.
Vetëm pak ditë pas zgjedhjes nga parlamenti në këtë post, dhe ende pa bërë betimin, Barroso i ka dërguar një mesazh ish ministrit të Brendshem ku e uron për detyrën e re.
Në mesazhin e tij dërguar presidentit të zgjedhur, Bujar Nishani, Barroso thekson se reformat që duhet të ndërmarrë Shqipëria për të bërë progres drejt BE- së kërkojnë një angazhim kombëtar.
Sipas tij duhet konsensus, punë e vazhdueshme, koherente dhe konstruktive nga të gjitha institucionet dhe partitë politike.
“Si president që përfaqëson unitetin e popullit në përputhje me kushtetutën, ju do të keni një rol jetik në sigurimin një klime të qetë politike, për pavarësinë dhe profesionalizmin e institucioneve shtetërore, sidomos në fushën e gjyqësorit.”- thuhet në mesazhin e Barrosos.
Në mesazhin e tij, Barroso kërkon nga Nishani bashkëpunim të ngushtë dhe të sinqertë me forcat politike, në veçanti në funksion të implementimit dhe finalizimit të marrëveshjes së nëntorit.
Komisioni Evropian, vazhdon më tej mesazhi, mbetet i angazhuar të mbështesë Shqipërinë në rrugën e saj drejt bashkimit Evropian.
Bujar Nishani u zgjodh President i Republikës me 73 votat e maxhorancës, ndërsa u refuzua nga opozita, pasi sipas tyre nuk ishte nje kandiature konsensuale.
Nishani ka marrë mesazhe urimi nga trupi diplomatik në Tiranë, nga presidenti i Maqedonisë, Ivanov etj.
© Panorama.al











