Barroso: Thelloni reformat

May 21, 2011 | 10:24

Presidenti i Komisionit Europian, Hose Manuel Barroso, ka përforcuar përkushtimin e BE-së që Kosova të ketë perspektivë europiane, gjatë vizitës së tij të parë në Prishtinë.Zoti Barroso shoqërohej nga Komisioneri për Zgjerim, Stefan Fyle, zëvendëskomisioneri për Zgjerim, Stefano Sanino dhe drejtori menaxhues i Shërbimit të Jashtëm të BE-së për Europën dhe Azinë Qendrore, Mirosllav Lajçak. Kreu i KE-së bëri thirrje për reforma të mëtejshme në vend dhe për marrëveshje me FMN-në. Barroso kërkoi reforma për të nisur procesin për liberalizimin e vizave për Kosovën. Ai mbështeti fort dialogun e Serbisë me Kosovën dhe tha se vendet e Bashkimit Europian i kanë ngulur sytë në zhvillimet e tij dhe shpresojnë në rezultat. Gjithashtu, Barroso shprehu mbështetje të fortë për EULEX-in dhe luftën e tij kundër krimit. Këto ishin mesazhet kryesore që përcolli numri një i Komisionit Europian pas takimit me krerët e Kosovës. “Ne jemi këtu për t’ju mbështetur, por varet nga ju, nga populli i Kosovës që t’i zbatoni reformat e nevojshme, të konsolidoni demokracinë, sundimin e ligjit, të luftoni korrupsionin e krimin e organizuar, të përpiqeni të keni marrëdhënie të mira fqinjësore”, tha Barroso në Prishtinë. “Ju duhet më shumë punë për të forcuar sundimin e ligjit dhe administratën publike. Gjithashtu, duhet një program i fuqishëm ekonomik dhe i kam kërkuar Qeverisë që të bashkëpunojë me FMN-në në këtë drejtim”, u shpreh Barroso. Për dialogun ndërmjet Prishtinës e Beogradit, Barroso tha se ka ardhur koha e fundit që palët e përfshira të gjejnë zgjidhje për çështjet praktike. “I bëj thirrje Kosovës që të vazhdojë të angazhohet në mënyrë konstruktive në dialogun me Beogradin. Kishte një takim konstruktiv këtë javë. Është koha e fundit për politikanët e të dyja palëve për të bashkëpunuar dhe për të gjetur zgjidhje për shumë probleme praktike”, tha Barroso, pas takimit me kryeministrin e Kosovës, Hashim Thaçi. Barroso shtoi se Kosova e ka mundësinë më të mirë për progres nëpërmjet reformave të brendshme, bashkëpunimit mes qeverisë dhe Kuvendit në hartimin dhe adoptimin e ligjeve dhe sigurimin e reformës zgjedhore, duke përfshirë sanksionimin e shkelësve të ligjit. “Zbatimi i reformave të brendshme është i rëndësishëm edhe për fillimin e dialogut për liberalizimin e vizave”, tha Barroso.

Mbështetje EULEX-it

Zoti Barroso ka thënë se Bashkimi Europian i jep mbështetje të plotë misionit EULEX në Kosovë, në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit e inkurajoi institucionet e Kosovës që të bëjnë të njëjtën gjë. Deklarata e tij erdhi pas shtimit të zërave kundër këtij misioni në Kosovë dhe deklaratave nga vetë zyrtarët e EULEX-it, se Policia e Kosovës nuk është bashkëpunuese me ta për Veriun, por me personat që duhet të arrestohen.

Takimi me Jahjagën

Kreu i KE ka zhvilluar një takim edhe me Presidenten e Kosovës, Atifete Jahjaga. Ai e përgëzoi për zgjedhjen e saj në krye të vendit dhe shprehu besimin se do të ketë rol të rëndësishëm në afrimin e Kosovës drejt BE-së. Presidentja Jahjaga konfirmoi se qëllimi i saj është të shtyjë përpara agjendën europiane në Kosovë. Ajo kërkoi heqjen e referencës 1244 ndaj Kosovës nga ana e Brukselit si dhe domosdoshmërinë e fillimit të marrëveshjeve kontraktuale me BE-në. Barroso dhe Jahjaga u pajtuan se në muajt e ardhshëm pritet punë intensive për avancimin e agjendës europiane nga ana e institucioneve të Kosovës. Barroso e ftoi presidenten Jahjaga në vizitë zyrtare në Bruksel.

© Panorama.al

Te lidhura