Barroso: Kosova e Serbia, dy shtete me fate të lidhura

May 22, 2011 | 9:32

Kryetari i Komisionit Europian, Hose Manuel Barroso, pohoi se Kosova dhe Serbia janë dy shtete fqinje dhe, aktualisht, Kosova është vendi që merr më shumë fonde nga BE-ja për banor.Në një intervistë për KTV-në, Presidenti i KE-së refuzoi ta cilësojë Kosovën si një shtet i izoluar. “Ne shpresojmë që të vendosim marrëdhënie më të qëndrueshme, por edhe në formë kontraktuale me Kosovën. Më lejoni t’ua them sinqerisht, se edhe nëse disa çështje shihen si probleme, ekziston unanimiteti i të gjitha vendeve të Bashkimit Europian që dëshirojnë angazhim të fuqishëm në Kosovë. Ato kanë dhënë mbështetje financiare. Kosova është një ndër vendet e botës e cila merr më shumë ndihma nga BE-ja për banor. Ato mbështetin të gjitha proceset e pajtimit, kështu që unë s’do të thosha se Kosova është e izoluar. Kam ardhur këtu sot me një mesazh të qartë. Ne dëshirojmë ta bëjmë realitet perspektivën europiane të Kosovës”, tha mes të tjerash ai. Kreu i KE-së nuk i vlerësoi negativisht arritjet që ka bërë Kosova deri tani me reformat, edhe pse ka shumë punë për të bërë. “Sinqerisht po largohem nga Prishtina më i bindur se më parë për përcaktimin e kësaj perspektive europiane. Ne, si Komision, do të jemi mbështetës, ndërsa nëse ekziston progres konkret në disa fusha, mendoj se edhe populli i Kosovës do ta vërejë atë”, tha Barroso.
Afati i progresit
Presidenti i Komisionit Europian tha se do të duhej të arrihej progres në disa fusha, përpara se Kosova të niste hapat për anëtarësimin në BE, të cilat fillojnë me marrjen e një udhërrëfyesi për liberalizmin e vizave. “Do të doja që ky progres të arrihet para 12 tetorit, sepse Komisioni Europian do ta paraqesë raportin e progresit më 12 tetor. Ne duhet të informojmë të gjitha vendet tona anëtare për mënyrën si po i bën reformat Kosova, gjithçka që ka të bëjë me ligjin dhe rregullat. Kemi nevojë të shohim edhe më shumë”, tha Barroso.
Dialogu
Si të gjithë të huajt që kanë vizituar zyrtarisht Kosovën, edhe kreu i KE-së ka kërkuar më shumë progres në lidhje me dialogun me Beogradin. “Kjo ka shumë rëndësi. E di se kjo çështje është shumë e ndjeshme. E di se ekzistojnë ende kujtimet e vuajtjeve për shkak të luftës që ka ndodhur këtu, por realiteti është se fatet e Serbisë dhe Kosovës janë të lidhura. Ne jemi në këtë rajon, kështu që kemi nevojë për progres konkret në dialog. Jam inkurajuar pasi dialogu ka filluar dhe atmosfera është e mirë. Mesazh të njëjtë u dhashë edhe autoriteteve serbe, të cilëve u thashë se është e rëndësishme që të kemi marrëdhënie të mira fqinjësore dhe normalizim marrëdhëniesh”, tha kreu i KE-së.
Kushti i Serbisë
Barroso tha se një kusht për anëtarësimin e çdo vendi në BE, duke përfshirë edhe Serbinë, është normalizimi i marrëdhënieve me fqinjët e saj. Dhe Kosova është fqinje me Serbinë “Sigurisht. Kjo është shumë e rëndësishme për ju. Është një kusht për anëtarët e BE-së që të kenë marrëdhënie të mira fqinjësore dhe të kenë normalizim të marrëdhënieve. Mënyra më e mirë për të filluar këtë është zgjidhja e problemeve konkrete që ekzistojnë. Pas bisedimeve të mia të djeshme në Beograd dhe atyre të sotmeve në Prishtinë, mendoj se ekziston dëshira e mirë për këtë. Shpresoj që ju shumë shpejt të tregoni rezultate konkrete”, theksoi Barroso. Ai shtoi se nëse Kosova plotëson disa hapa dhe reforma,atëherë mund të presë që pas 12 tetorit Komisioni të propozojë fillimin e dialogut për liberalizimin e vizave.

© Panorama.al

Te lidhura