Barroso anulon vizitën në Tiranë

May 20, 2011 | 10:14

Kriza politike në vend që pas zgjedhjeve të 8 majit dhe tensioni i rritur mes forcave politike ka bërë që Presidenti i Komisionit Europian, Hoze Manuel Barroso, të anulojë një vizitë njëditore të parashikuar në Tiranë.Lajmin e konfirmoi dje zëdhënësja e komisionerit Shtefan Fyle, Natasha Butler, e cila sqaroi edhe arsyet. “Presidenti Barroso ka vendosur të shtyjë vizitën e tij në Shqipëri, e cila ishte parashikuar për nesër (sot). Qëllimi i kësaj vizite ishte të diskutonte perspektivën europiane të Shqipërisë dhe rrugën përpara drejt integrimit europian, veçanërisht zbatimin e 12 prioriteteve kyçe të parashtruara nga Komisioni Europian në Progres-Raportin e 2010-s. Por, tensionet e lidhura me numërimin e votave në vijim, pa dyshim që do të ndikonin në fokusin e bisedimeve të Presidentit Barroso me udhëheqësit politikë të vendit dhe nuk do të çojnë në takime produktive. Për këtë arsye, presidenti Barroso e shtyu vizitën e tij derisa të normalizohet situata”, u shpreh Butler. Zëdhënësja e komisionerit Shtefan Fyle shtoi më tej se procesi zgjedhor në vend po zgjatet shumë dhe po shoqërohet me tensione. “Ajo që mund të them është se procesi zgjedhor po merr kohë dhe për momentin ka tensione që lidhen me vazhdimin e numërimit të votave. Kjo është arsyeja pse vendosëm të shtyjmë vizitën, siç e shpjegoi edhe zëdhënësja e Komisionit Pia Hansen. Prandaj dhe Presidenti e shtyu këtë udhëtim, apo këtë vizitë deri kur situata të jetë normalizuar. Pra po flasim për një situatë të veçantë”. Duke folur për punën e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Butler tha se po respektohet rinumërimi i votave, teksa vuri theksin edhe te transparenca e procesit. Ajo shtoi më tej se KQZ-ja duhet të lejohet të bëjë punën e saj. “Siç e dini, Komisioni Qendror Zgjedhor ka një rol kyç në garantimin, pikë së pari, se të gjitha rregullat janë respektuar dhe se kuadri ligjor po zbatohet dhe po respektohet për rinumërimin e votave. Por ka edhe një rol kyç për sigurimin e transparencës së procesit. Pra mendoj se duhet ta lëmë KQZ-në të bëjë rolin e saj. Nevojitet që ajo të përmbushë mandatin e saj dhe të luajë rolin e saj në transparencë të plotë. Është e rëndësishme që të ishte mbyllur procesi zgjedhor sa më shpejt të ishte e mundur, gjë të cilën e thashë që dje, e të shohim rezultatet”, tha Butler. Ndërsa zëdhënësja e Komisionit, Pia Ahrenkilde Hansen, u shpreh se “në lidhje me anulimin e vizitës ne e bëmë shumë të qartë pse u desh ta anulonim atë. Kjo sepse sipas këndvështrimit tonë, do të jetë i vështirë të përmbushet qëllimi i udhëtimit. Thënë troç, bisedime për perspektivën europiane dhe se si mund të ecim përpara në rrugën europiane të vendit, në të gjitha dimensionet që përfshin kjo gjë. Ne kemi folur gjatë këto ditët e fundit për Shqipërinë dhe nuk dua të përsëritet, por kjo është arsyeja kryesore e anulimit të vizitës. Një vizitë, e cila, siç shihet, nuk gëzon klimën e duhur për takime produktive”.
Një ditë më parë ishte Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Europian për Politikën e Jashtme dhe Çështjet e Sigurisë, njëkohësisht zëvendëspresidente e Komisionit Europian, Katerin Ashton, e cila reagoi në lidhje me situatën paszgjedhore në Shqipëri.

“Të gjendet rrugëdalja nga kriza”

Lidhur me krizën politike në Shqipëri ka reaguar dje edhe Këshilli i Europës. Sekretari i Përgjithshëm i këtij institucioni, Thorbjorn Jagland, i ka bërë thirrje klasës politike në Tiranë të gjejë një rrugëdalje nga kriza. Në një deklaratë të publikuar në faqen zyrtare të Këshillit të Europës, Jagland bën thirrje gjithashtu për shmangie të tensioneve dhe përshkallëzim të situatës. Sipas tij, shqiptarët meritojnë një të ardhme më të mirë. “U bëj thirrje të gjithë liderëve politikë të gjejnë një rrugëdalje nga kriza aktuale, në respekt të plotë të kuadrit ligjor dhe institucional dhe të shmangin përshkallëzimin e mëtejshëm të tensionit. Shqiptarët meritojnë më mirë”, tha ai në një deklaratë të publikuar dje në faqen zyrtare të Këshillit të Europës. Deklarata e Jagland vjen në të njëjtën ditë kur u njoftua edhe anulimi i vizitës së Barrosos në vendin tonë.

Sekui mbledh diplomatët për situatën

Diplomatët e huaj në Tiranë kanë bërë dje dhe një tjetër lëvizje për shkak të situatës politike të rënduar. Etore Sekui, ambasador i prezencës së Bashkimit Europian, ka zhvilluar një takim konsultimi me ambasadorët e vendeve të BE të akredituar në Tiranë. Takimi, që ka zgjatur më shumë se 60 minuta në zyrat e Bashkimit Europian, në katin e 17-të të një prej ndërtesave më të larta në kryeqytet, ka pasur si qëllim analizimin e situatës, madje edhe shqyrtimin e të gjitha mundësive për daljen sa më parë nga kjo situatë. Sipas Top Channel-it, ambasadorët janë shprehur të shqetësuar për rrjedhën që kanë marrë ngjarjet pas përfundimit të zgjedhjeve të 8 majit. Po të njëjtat burime pohojnë se ambasadorët kanë shprehur propozimet e tyre për daljen nga kjo situatë e tensionuar, propozime të cilat pritet t’iu prezantohen në ditët në vazhdim të dyja palëve.

Fratini: Organet e zgjedhjeve të bëjnë detyrën, maturi nga palët

Italia u bën thirrje partive në Shqipëri për maturi në deklarata dhe veprime pas zgjedhjeve lokale të 8 majit. Qëndrimi është bërë publik dje nga ministri i Jashtëm i Italisë, Franko Fratini. “Qeveria italiane ka ndjekur me vëmendje të veçantë zhvillimin e zgjedhjeve vendore në Shqipëri, duke marrë pjesë në mënyrë aktive në misionin monitorues ndërkombëtar. Ngjarjet e këtyre ditëve, në të cilat jemi dëshmitarë, na çojnë të shpresojmë se organet shtetërore përgjegjëse për kryerjen e duhur të procesit zgjedhor të zhvillojnë detyrën e tyre me efikasitet dhe paanshmëri”, u shpreh kreu i Diplomacisë italiane. Sipas tij, Roma zyrtare mbështet procesin demokratik që ka çuar vendin drejt BE-së. “Palëve politike që marrin pjesë në garën elektorale u rekomandojmë maturi në deklarata dhe në veprime. Duhet që të gjithë të angazhohen me qëllim që siguria e publikut në territorin shqiptar të jetë e respektuar dhe e garantuar. Italia gjithmonë ka mbështetur procesin politik demokratik që e ka çuar Shqipërinë për të ndërmarrë rrugën e vet të integrimit europian, ndërsa pak ditë më parë festuam përvjetorin e dytë të hyrjes së Tiranës në NATO. Ministri i Jashtëm, Fratini, shpreson që në interes të vetë vendit, Shqipëria do të vazhdojë rrugën e saj drejt Europës, duke treguar përgjegjësi dhe të pjekuri politike”, thuhet më tej në njoftimin për shtyp të Ministrisë së Jashtme italiane.

 

ADI SHKEMBI

© Panorama.al

Te lidhura