Trupat e KFOR-it janë përplasur me serbë të veriut të Kosovës.
Raportohet se trupat e KFOR-it kanë nisur, brenda natës, largimin e një barrikade rrugore në pjesën veriore të Mitrovicës dhe se kanë përdorur gazin lotsjellës për të shpërndarë serbët që synonin të mbrojnë barrikadën.
Raportohet edhe për të shtëna me armë zjarri. Sipas agjencisë së lajmeve Reuters, pjesë e trupave që ndërmorën aksionin ishin portugezët dhe hungarezët. NATO-ja, megjithatë, nuk ka komentuar ngjarjen.
Zëdhënësi i policisë për rajonin e Mitrovicës, Besim Hoti, e ka konfirmuar lajmin për shpërthimin e ndodhur mbrëmë.
“Në orën 1 pas mesnate, një shpërthim ka ndodhur në lagjen “Tre Rrokaqiejt”. Nga ky shpërthim janë dëmtuar dy vetura, mirëpo nuk ka persona të lënduar”, ka thënë Hoti për “Zërin”.
Që pas aksionit për marrjen e kontrollit të dy pikave kufitare në veri të vendit, të cilin autoritetet kosovare e ndërmorën në mesin e muajit korrik, e deri më tani në veri të Mitrovicës vazhdojnë të mbesin disa barrikada rrugore-të vendosura nga serbët si shenjë kundërshtimi për shtrirjen e autoritetit shtetëror të Prishtinës zyrtare edhe në atë pjesë.
© Panorama.al











