Nata në veri ka qenë e qetë dhe nuk është vërejtur ndonjë lëvizje e KFOR-it, ndërkohë që pikat kufitare 1 dhe 31 vazhdojnë të jenë nën bllokadë.
Burime të Kosovapressit nga terreni kanë bërë të ditur se vendosjen e barrikadës dje në zonën neutrale midis Kosovës dhe Serbisë e kanë organizuar përfaqësues lokalë të disa partive opozitare, përkatësisht të Partisë Përparimtare Serbe, Partisë Demokratike Serbe, si dhe Partisë Serbia e Re, pa marrëveshje me të ashtuquajturit organe të pushtetit lokal në Leposaviq.
Sipas këtyre burimeve, kjo ka ndodhë si reagim i heqjes së barrikadës pak orë më parë në këtë zonë dhe hapjes së pikës kufitare në Jarinje, me ç’rast politikanët lokalë të partive të lartpërmendura kanë vendosur sërish barrikadë në këtë vend, si dhe kanë kthyer automjetet që kishin filluar të qarkullonin në këtë drejtim.
“Pika kufitare në Bërnjak që ishte bllokuar të enjten pasdite për shkak të vendosjes së barrikadës nga drurët, është larguar dje gjatë orëve të mbrëmjes, por përkundër kësaj edhe kjo pikë vazhdon të mbetet e bllokuar për qarkullim, sepse dhjetëra serbë kanë qëndruar gjatë natës në afërsi të Bërnjakut, duke mos lejuar qarkullimin e automjeteve në këtë drejtim dhe duke i kthyer mbrapsht ato”, kanë thënë burimet.
Në anën tjetër, ministri për Kosovën pranë qeverisë së Serbisë, Goran Bogdanoviq, ka thënë se barrikadat e reja në veri të Kosovës janë të panevojshme. Ai ka apeluar tek popullata lokale serbe që në asnjë mënyrë mos të vendosin barrikada të reja sepse ato dëmtojnë interesat shtetërore të shtetit të Serbisë.
© Panorama.al











