Barka: Po dëmtohet minoriteti grek

May 30, 2011 | 11:24

Deputeti i PD Kosta Barka, kundërshton modelin e ri të certifikatës së shtetasve, në të cilën nuk shënohet kombësia. Sipas Barkës, kjo bëhet pikërisht për të dëmtuar integritetin e minoritetit grek në Shqipëri.Fushatën e Aleancës Kuq e Zi Barka e cilëson me tendenca të forta nacionaliste dhe antieuropiane për Shqipërinë.
Drejtoria e Përgjithshme e Gjendjes Civile ka miratuar një model certifikate të shtetasve shqiptarë, ku nuk shënohet kombësia. Një gjë e tillë bëhet në mes të debatit nëse duhet të vetëdeklarohet kombësia dhe feja. Cili është mendimi juaj për këtë çështje?
Që në fillim më duhet të nënvizoj me keqardhje se kjo praktikë është një hap jo në drejtimin e duhur dhe është ndërmarrë në momentin e gabuar. Shqipëria është përfshirë në valën e proceseve integruese dhe globalizuese dhe me këtë veprim jep një shenjë jo emancipuese. Unë nuk jam i sigurt nëse kjo praktikë është në përputhje me standardet europiane të trajtimit të çështjeve të minoriteteve dhe të të drejtave të njeriut. Për ta thënë hapur, kjo masë vjen në kundërshtim me Konventën Europiane të të Drejtave të Njeriut dhe me mjaft dokumente të tjera ndërkombëtare. Në fund të fundit, është një standard i imponuar në kundërshtim me standardet europiane.
Ka deklarata ditët e fundit se me këtë masë cenohet pakica kombëtare në Shqipëri e veçanërisht minoriteti grek? Ndani edhe ju të njëjtin mendim?
Kjo masë prek në mënyrë të drejtpërdrejtë interesat, aspiratat, statusin dhe, thënë në mënyrë të përmbledhur, integritetin e minoritetit grek në Shqipëri. Për më tepër si praktikë është ndërmarrë jashtë vëmendjes dhe konsultimeve me përfaqësuesit e minoritetit grek. Është e qartë se këto masa, veprime dhe praktika që adresojnë probleme të natyrës etnike edhe kur thuhet se nuk kanë një target njerëzor të përcaktuar, nuk mund ta fshehim që synojnë statusin dhe trajtimin e minoritetit grek. Këto masa cënojnë integritetin e minoritetit grek edhe kur nuk e përmendin atë hapur, por fshihen pas deklaratave të përgjithshme me frymëzim nacionalist, të denja do të thosha për periudhën para reformave të Tanzimatit në Ballkan.
Ndërkohë, në Shqipëri ka një nismë, Aleanca Kuq e Zi, që është kundër vetëdeklarimit të kombësisë dhe fesë në regjistrimin e ri që do t’i bëhet popullsisë. Cili është mendimi juaj për këtë fushatë?
Duhet të kemi parasysh kontekstin politik dhe shoqëror në të cilin po ndërmerret kjo praktikë e re. Në Shqipëri ka nisur prej disa kohësh një kryqëzatë mjaft agresive kundër të drejtave të minoritetit grek. Kjo masë është paraprirë nga debati i ndezur për të drejtën e deklarimit të lirë të përkatësisë etnike. Tashmë kësaj kryqëzate i shtohet mohimi i deklarimit fare të kombësisë. Duhet të jetë e qartë se para se të jemi demokratë apo socialistë, të djathtë apo të majtë, kemi identitetin tonë kombëtar. Si çdo komb tjetër, edhe grekët kanë shumë arsye për të qenë krenarë për identitetin e tyre. Të drejtat e minoriteteve janë të panegociueshme dhe të shenjta.
Ky debat në lidhje me deklarimin e kombësisë dhe fesë çfarë ndikimi jep në proceset integruese të vendit?
Kjo praktikë është një hap prapa dhe një rikthim në traditat e vjetra të Shqipërisë ballkanike, që i kundërqëndron Shqipërisë europiane. Në Shqipërinë europiane ndihemi të gjithë të lirë në identitetin dhe liritë tona. Në Shqipërinë ballkanike secili jetonte, por nuk duhet të jetojë më me frikën dhe ankthet e veta dhe i terrorizuar nga komplekset e inferioritetit. Megjithatë, unë shpreh besimin se në Shqipëri do të gjenden forca progresiste, të cilat do të mundin ta pengojnë këtë kthim prapa të Shqipërisë dhe do ta shpëtojnë vendin nga qorollepsjet nacionaliste dhe antieuropiane.

Dule kunder

Kreu i Partisë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut, Vangjel Dule, shprehu shqetësim dy ditë më parë për formatin e ri të certifikatës së gjendjes civile, duke e cilësuar shkelje të të drejtave të minoritetit, në një kohë kur këto të drejta njihen edhe nga Konventa Europiane për të Drejtat e Njeriut. “Është një vendim i Këshillit të Ministrave, arbitrar, abuziv në shkelje të të drejtave elementare të pjesëtarëve të minoriteteve etnike, por edhe të mbarë qytetarëve të vendit në përgjithësi”, u shpreh Dule.

konsullata

Një format i ri certifikatash personale dhe familjare janë hedhur në qarkullim në zyrat e gjendjes civile të vendit prej datës 23 maj, nga Ministria e Brendshme. Në to nuk shkruhet kombësia e shtetasve. Në Konsullatën greke në Gjirokastër, punonjësit e pranimit të aplikimeve për legalizim të dokumenteve nuk i kanë pranuar certifikatat e reja, me argumentimin se janë në pritje të një urdhri nga Ministria e Jashtme e Greqisë.

Rilindësit “firmosin” peticionin në Gjirokastër

GJIROKASTER – Një ditë pas deklaratës së bërë nga Tirana e Aleancës Kuq e Zi, e cila i bënte thirrje shtetit shqiptar të mos binte pre e shantazheve politike të OMONIA-s në lidhje me heqjen e kombësisë në certifikatat e lëshuara pas 23 majit, dje qindra qytetarë gjirokastritë firmosën peticionin e kësaj Aleance. Banorët pritën në radhë për të firmosur peticionin, pas nismës së marrë disa kohë më parë nga Aleanca Kuq e Zi, kundër regjistrimit të popullsisë mbi baza etnie e fetare. Në mënyrë simbolike, emrat e nënshkruesve të parë në peticionin e Gjirokastrës i përkisnin pesë rilindësve, eshtrat e të cilëve prehen në kodrën pranë shkollës 9-vjeçare “Çajupi” në qytetin e Gjirokastrës. Koto Hoxhi, Bajo Topulli, Çerçiz Topulli, Pandeli Sotiri dhe Andon Zako Çajupi, “firmosën” peticionin kundër regjistrimit të popullsisë shqiptare mbi baza etnie e fetare. Kjo ishte një ide e vetë të rinjve gjirokastritë, pjesë e Aleancës Kuq e Zi, të cilët morën përsipër nënshkrimin në emër të rilindësve shqiptarë me origjinë nga Gjirokastra. Në harkun e pak orëve firmosën 500 persona, por banorët e këtij qyteti do të kenë mundësi të firmosin edhe në ditët e ardhshme. Sipas përfaqësuesve të Aleancës, në Gjirokastër do të zgjasë pesë ditë firmosja e peticionit, ndërsa synohet që kjo lëvizje të shtrihet edhe në Tepelenë, Përmet, Libohovë, Këlcyrë e Lazarat. p.n

 

ARISTIR LUMEZI

© Panorama.al

Te lidhura