Barcelona, Kampione e Botës

Dec 19, 2011 | 16:11

Barcelona është jashtëtokësore, prandaj pas ndeshjes së djeshme askush nuk duhet ta diskutojë më këtë. Nëse Zhoze Murinjo dështoi ta thyente këtë dominim me Realin e tij në kampionat, të njëjtin fat pati edhe Santosi i Nejmarit dhe kritikët e njohur si braziliani Pele. Avantazhi i minutës së 17-të është një aksion që vetëm në “play-station” ishte parë: Fabregas në hyrje të zonës për Ksavin, ky stopon me thembër topin dhe menjëherë dërgon një asist për Mesin, i cili nuk trembet nga portieri Rafael dhe kalon këtë të fundit me një parabolë. Por Barcelona bëhet edhe më e egër pasi gjen avantazhin, sepse kalojnë vetëm 7 minuta dhe Ksavi thellon diferencën. Stoli spanjoll shpërthen, Guardiola përmbahet, por jo për shumë kohë. Nëse Tiago Alkantara shpërdoron 4 minuta nga fundi golin e tretë, këtë gabim nuk e bën Fabregasi në sekondat e fundit të pjesës së parë. Pas një aksioni të rrëmujshëm në zonë dhe një daljeje të gabuar të portierit të Santosit, numri 4 katalanas gjen në këmbët e tij topin që do blindojë titullin numër 13 të Guardiolës si trajner. Goli i dytë i argjentinasit dhe i katërti për Barçën është thjesht “fotokopje” e atij të parit, pasi këtë herë “Pleshti” driblon me një parabolë portierin e Santosit dhe dërgon i qetë në rrjetë topin. Nga fundi kanë mbetur vetëm 8 minuta, por Barcelona nuk do që ta shtyjë më shumë, sepse edhe pak minuta më parë kishin qenë dy shtyllat e Fabregasit dhe Alveshit që kishin shpëtuar nga një turpërim botëror ekipin e Nejmarit, i cili tani e ka kuptuar se kush është lojtari më i mirë në botë.

© Panorama.al

Te lidhura