Barazojnë Milan e Juve, Napoli humb në Veronë

Sep 22, 2011 | 11:54
Milan-Udinese 1-1

Milani barazon me Udinezen në “San Siro”, Juventusi ndalet nga Bolonja, ndërsa Napoli humbet në fushën e Kievo Veronës.Rikthehet Lacio me një fitore në transfertë ndaj Çezenës. Mesjava e kampionatit italian ka dhuruar surpriza, që vijnë kryesisht nga barazime ose humbje të skuadrave pretendente për titullin. Kështu, Milani nuk arrin dot të dalë nga kriza, përderisa barazon me shumë vuajtje me Udinezen. Di Natale shënoi pas një gabimi të portierit Abiati, ndërsa në pjesën e dytë El Sharaui barazoi për kuqezinjtë. Duhet thënë se skuadra e Alegrit zhvilloi sërish një ndeshjen nën nivelin e skuadrës së vitit të kaluar. Barazim edhe për Juventusin, por duhet thënë se bardhezinjtë luajtën për më shumë se një pjesë loje me një lojtar më pak. Pasi shënoi golin e avantazhit, Vuçiniç u ndëshkua me kartonin e kuq, duke bërë që Bolonja të barazojë me Portanovan në pjesën e dytë. Por më keq ka shkuar për Napolin. Kryesuesit (deri dje) humbën në fushën e Kievo Veronës, duke treguar kështu që edhe ata janë një skuadër e brishtë, së cilës mund t’i marrë pikë kushdo. Ndërkaq është rikthyer Lacio. Skuadra e Edi Rejas fitoi në transfertë ndaj Çezenës së Erjon Bogdanit 2-1, falë golave të Hernanes dhe Kloses. Duhet thënë se në këtë takim debutoi për herë të parë në Serie A edhe Lorik Cana, i cili luajti vetëm tri minuta në fund të takimit, kur zëvendësoi Brokin në mesfushë. Ndërsa Bogdani nuk ka qenë as në stol dje për Çezenën. Në takimet e tjera bien në sy fitoret e pastra të Fiorentinës dhe Xhenoas ndaj Parmës dhe Katania me rezultatin 3-0. Ndërkaq, Atalanta fitoi 2-1 në fushën e Leçes, ndërsa Palermo mundi 3-2 Kaljarin.

Pacini i mërzitur, Reali”vigjilon”
Një lajm merkatoje mjaft interesant ka ardhur ditën e djeshme nga media spanjolle. Pavarësisht shkarkimit të trajnerit Gasperini, i cili nuk e vlerësonte shumë, Pacini duket i mërzitur nga aventura në Milano. Pankinat e shpeshta në këto javë të para, por edhe mosambientimi ideal me shokët e tjerë të sulmit (Milito, Zarate e Forlan) kanë bërë që nën zë sulmuesi 27-vjeçar t’i kërkojë menaxherit të tij një skuadër tjetër për sezonin e ardhshëm. Mbërritjet e Forlanit dhe Zarates janë pritur me shumë eufori në stafin drejtues të klubit, për rrjedhojë Pacini nuk ndihet më një zgjedhje e parë. Dhe admiruesit për “të çmendurin” nuk mungojnë. I pari është Juventusi, por edhe Roma e Milani do të ishin të interesuara për të. Gjithsesi, duket se një tjetër simpatizant i Pacinit është Zhoze Murinjo, i cili do ta afronte lojtarin te Reali.

Shnajder
Ishte larguar përpara kohe nga fusha e lojës në ndeshjen kundër Novarës, por fillimisht u duk si një zgjedhje taktike e Gasperinit, mirëpo me sa duket, nuk ka qenë kështu. Shnajder ka marrë disa goditje të forta në kavilje, ndërkohë që edhe më shqetësuese është tërheqja e muskujve të pulpës. Për këtë arsye, ndaj Bolonjës fantazisti holandez nuk do të luajë, por do të lihet pushim për të parë gjendjen e tij fizike. Në këtë mënyrë, Shnajder do të ketë mundësi të rikuperojë dëmtimet e tij për transfertën e Ligës së Kampioneve në Moskë, kundër CSKA-së, më datë 27 shtator.

Seria A
Të martën

Novara-Inter            3-1
Shënues: Mexhiorini 38′, Rigoni 86′ (p), 90’/ Kambiaso 89′
Dje
Milan-Udinese        1-1
Shënues: El Sharaui 68’/ Di Natale 29′
Çesena-Lacio        1-2
Shënues: Mutu 14’/ Hernanes 48′, Klose 54′
Kievo-Napoli        1-0
Shënues: Moskardeli 72′
Fiorentina-Parma        3-0
Shënues: Jovetiç 46′, 81′, Çerçi 61′
Xhenoa-Katania        3-0
Shënues: Palasio 30′, 35′, Konstant 79′
Juventus-Bolonja        1-1
Shënues: Vuçiniç 29’/ Portanova 52′
Leçe-Atalanta        1-2
Shënues: Mesbah 25’/ Denis 4′, 56′
Palermo-Kaljari        3-2
Shënues: Zahavi 2′, Bertolo 15′, Mikoli 76’/ Konti 84′, Naingolan 90′

Sonte, ora 20:45
AS Roma-Siena

LEONARD KARAJ

© Panorama.al

Te lidhura