
Teuta barazon me Kastriotin, ndërsa të njëjtën gjë bëri edhe Tirana në derbin me Kamzën. Nuk përfiton Flamurtari, i cili barazon me Laçin, teksa Vllaznia humbet në Peqin. Durrsakët nuk shfrytëzuan si dihet faktorin fushë për ta çuar edhe më shumë distancën nga ndjekësja më e afërt, Tirana, në ndeshjen e djeshme me Kastriotin. Teuta luajti edhe me avantazhin e faktin se dinte që bardheblutë kishin barazuar, duke qenë se ndeshja në “Niko Dovana” u luajt në orën 16:00 (derbi u luajt në orën 13:00). Edhe pse e nisën mjaft mirë, djemtë e drejtuar nga Hasan Lika nuk mundën të ruanin deri në fund avantazhin e krijuar në minutën e dhjetë të pjesë së parë me anë të Brunild Pepës. Në fraksionin e dytë të lojës, pas një shpërqendrimi të mbrojtjes durrsake, ishte Erald Turdiu ai që barazoi për krutanët, të cilët mbajnë në këtë mënyrë vendin e katërt në renditje, me pikë të barabarta me Skënderbeun (korçarët kanë një ndeshje më pak) dhe një pikë më shumë se Flamurtari. Ndërsa në kryeqytet Kamza ndali në një barazim pa gola Tiranën e Hulian Rubios. Bardheblutë i kanë bërë një mbyllje zhgënjyese vitit 2011, ndërsa nga krahu tjetër për kamzalinjtë ky barazim cilësohet si historik. Skuadra 24 herë kampione la dy pikë të vlefshme, duke humbur shansin që t’i afrohej Teutës rivale. Të dy trajnerët hodhën në fushë një formacion më shumë mbrojtës sesa ofensiv. Bardheblutë kanë krijuar disa aksione, por pa rezultat, ndërkohë që vendësit kanë qenë të kujdesshëm e luftarakë në çdo sektor të fushës. Më shumë se rastet e krijuara, për t’u theksuar është dëmtimi i Gilman Likës pas një përplasjeje me Ardit Beqirin, duke lënë para kohe fushën e lojës. Në vend të shkodranit, në fillimin e pjesës së dytë spanjolli Rubio aktivizon Morinën, duke ndryshuar skemën e lojës. Çka ndryshon dhe fizionominë e bardhebluve në 45 minutat e dyta, të cilët e kërkojnë më shumë golin, por nuk arritën që të realizonin duke dalë me vetëm një pikë nga Kamza. Nuk ka shkuar më shumë se një barazim Flamurtari, i cili nuk ka arritur të triumfojë, duke bërë kështu një hap fals përballë një kundërshtari që vinte në këtë takim me mjaft probleme në fushë asnjanëse, pa trajner, si dhe pa praninë e tifozëve. Djemtë e Muçës kishin edhe shansin e artë për t’i parakaluar krutanët në tabelën e klasifikimit, duke u bërë kështu një “nder” atyre për kreun. Por ka shkuar edhe më keq për Vllazninë e Rudi vatës, e cila pa Vajushin (i dënuar nga Disiplina) doli pa pikë nga fusha e Peqinit. Heroi i takimit ishte sulmuesi kryesor i Shkumbinit, Roland Dervishi, i cili me dopietën e shënuar ndaj kuqebluve, jo vetëm i dhuroi suksesin skuadrës së tij, por gjithashtu është ngjitur në krye të klasifikimit të golashënuesve me 11 gola. Fitore sigloi edhe Tomori, duke mposhtur 2-0 Apoloninë, një rival të drejtpërdrejtë në luftën për mbijetesë në Superiore. Takimi u zhvillua në stadiumin “Bashkim Sulejmani”, në një terren mjaft të mirë, por që u shoqërua nga mjaft kartonë të verdhë, por edhe dy të kuq. Sakaq, “ka dalë” në sipërfaqe Dinamo, e cila i mori një barazim në sekondat e fundit Bylisit. Me pesë mungesa të rëndësishme, blutë e kryeqytetit ia kanë dalë të marrin 1 pikë të vlefshme, falë penalltisë së ekzekutuar nga portieri Alfred Osmani. Mallakastriotët kishin shënuar më parë me anë të Dimos. Ndërsa kujtojmë se ndeshja Skënderbeu-Pogradeci u shty që një ditë më parë për shkak të reshjeve të dëborës.
Superioria
Java e 13-të
Tomori-Apolonia 2-0
Shënues: Bakiu 44′, Shameti 84′
Kartonë të kuq: Nino 67’/ Ndoni 73’
Dinamo-Bylis 1-1
Shënues: A.Osmani 90+2′ (p)/ Dimo 36′
Shkumbini-Vllaznia 2-1
Shënues: Dervishi 18 (p), 80’/ Hasani 23′
Laçi-Flamurtari 0-0
Karton i kuq: Brahja 55’
Kamza-Tirana 0-0
Teuta-Kastrioti 1-1
Shënues: Pepa 10’/ Turdiu 66′
E shtyrë
Skënderbeu-Pogradeci
RENDITJA
Nr. Ekipi ND F B H Golat P
1. Teuta 13 10 2 1 17-7 32
2. Tirana 13 8 3 2 20-12 27
3. Skënderb 12 6 5 1 17-7 23
4. Kastrioti 13 7 2 4 21-14 23
5. Flamurta 13 6 4 3 20-11 22
6. Bylisi 13 5 3 5 25-23 18
7. Shkumbini13 5 3 5 19-22 18
8. Vllaznia 13 5 2 6 20-18 17
9. Kamza 13 4 2 7 12-14 14
10. Pograde 12 5 1 6 12-17 13
11. Laçi 13 4 5 4 12-14 11
12. Tomori 13 3 2 8 12-22 11
13. Apoloni 13 2 2 9 11-25 8
14. Dinamo 13 0 4 9 4-16 1
SHËNIM: Laçi; – minus 6 pikë (dënuar nga Disiplina). Pogradeci; – minus 3 pikë (dënuar nga Disiplina). Dinamo; – minus 3 pikë (dënuar nga FIFA).
LEONARD KARAJ
© Panorama.al











