
Sekretari për Çështjet Mjedisore, Besnik Baraj, akuzoi qeverinë se jo vetëm nuk ka marrë asnjë masë për mbrojtjen e pyjeve nga zjarret, por i ka stimuluar ato përmes shfrytëzimit pa kriter të tyre. Sipas Barajt, “është qeveria shqiptare ajo që ka krijuar klimë të përshtatshme për t’i shfrytëzuar në mënyrë barbare këto asete të pasurisë kombëtare të Shqipërisë”. “Problemi i korrupsionit, eksporti i qymyrit sot po lulëzon, pikërisht, falë kësaj politike të qeverisë Berisha. Ka shumë të ngjarë që në këtë kuadër të nxiten djegiet edhe nga elemente të caktuara që janë përfshirë në përdorimin e fondeve dhe burimeve financiare, qoftë edhe të organizmave ndërkombëtare, me qëllim që duke mos i bërë këto investime, ata të mbulojnë moskryerjen e tyre nëpërmjet këtyre zjarreve”, u shpreh Baraj. Sipas sekretarit socialist, djegia e pyjeve ka impakt të madh negativ mjedisor. “Në të njëjtën kohë, djegia e këtyre pyjeve nuk ka të bëjë vetëm me zhdukjen e mijëra drurëve pyjorë, por lidhet njëkohësisht edhe me një impakt mjedisor të pazakontë negativ, duke ndotur ajrin, duke krijuar njëkohësisht edhe mundësi për zhvillimin e një erozioni të frikshëm”, tha Baraj.











