TIRANE-Banoret e Gërdecit dorëzojnë një tjetër padi në Gjykatën e Lartë për ata që sipas tyre duhet të përballen me drejtësinë për atë që ndodhi.
Në listën e të paditurve bëjnë pjesë Pinari, Delijorgji, Minxholli, Ngjeci, Fatmir Mediu, Këshilli i Ministrave dhe Ministria e Mbrojtjes.
Pasi ka shqyrtuar padinë me akuzat përkatëse dhe listën e të paditurve, Kolegji i Gjykatës së Lartë shpalli moskompetencën për gjykimin e Minxhollit, Delijorgjit, Pinarit dhe Ngjecit, Këshillit te Ministrave dhe Ministrisë së Mbrojtjes.
Mësohet se ajo ka pranuar vetëm padinë për gjykimin e Fatmir Mediut, për të cilën pritet të vendoset më tej nëse do të ketë heqje imuniteti apo jo.
Gjykimi i dosjes “Gërdeci” në Gjykatën e Tiranës prej disa muajsh ndodhet në fazën e leximit të konkluzioneve përfundimtare të mbrojtjes. Deri tani është lexuar pjesa më e madhe e tyre, por ende gjykata nuk ka dëgjuar konkluzionet mbrojtëse të të pandehurve më kryesorë të këtij procesi, Mihal Delijiogji, Ylli Pinari dhe Dritan Minxolli.
Në kërkesën e saj, lexuar para gjykatës më 1 nëntor, Prokuroria e Tiranës kërkoi deklarimin fajtor të të gjithë të të akuzuarve për shpërthimin e 15 marsit 2008 në Gërdec. Në pretencë akuza kërkonte burgim përjetë për të pandehurit Ylli Pinari, Mihal Delijorgji dhe Dritan Minxolli.
© Panorama.al











