Banka zhvlerëson lekun, tani me interes 4.5 për qind

Jan 26, 2012 | 12:13

Ardian Fullani

Guvernatori Ardian Fullani: Stimul sektorit privat dhe individëve

Leku ka prekur normën më të ulët të interesit të vendosur prej vitesh nga Këshilli i Mbikëqyrjes i Bankës së Shqipërisë, i cili dje mori vendimin ta çonte këtë normë në 4.5 për qind. Kjo është ulja e tretë e normës në pesë muajt e fundit pas uljeve të njëpasnjëshme që bëri Banka në shtator dhe në nëntor të vitit të kaluar. Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani, argumentoi dje arsyet që çuan në këtë vendim Këshillin e Mbikëqyrjes, duke vlerësuar se kjo lëvizje do të jetë një stimul i mirë për ekonominë. Fullani vlerësoi se një politikë e kontrolluar fiskale e qeverisë me më pak shpenzime dhe me një deficit të kontrolluar do të lërë më shumë hapësira që sektori privat të kontribuojë në rritjen ekonomike. Ky i fundit mbështetjen do ta gjejë tek bankat, pasi kreditë pritet që të jenë më të lira dhe rrjedhimisht kjo do të nxitë më shumë bizneset të bëjnë investimet e tyre. Këta të fundit për shkak të kushteve të shtrënguara nga bankat, por edhe për shkak të pasigurisë që vjen nga kriza në eurozonë, janë treguar më konservatorë në investime. “Ecuria e dobët e shpenzimeve konsumatore dhe prania e kapaciteteve të pashfrytëzuara në ekonomi ka frenuar kërkesën e bizneseve për të kryer investime të reja. Paralelisht me të, rritja e kujdesit të bankave në kredidhënie mund të ketë dekurajuar një pjesë të kërkesës për kredi për investime. Lehtësimi i kushteve monetare i shërben nxitjes së kërkesës së brendshme të ekonomisë, e cila mbetet ende e brishtë në prani të pasigurisë së rritur në ekonomi”, u shpreh gjatë fjalës së tij guvernatori. Por nuk do të jenë vetëm kreditë më të lira, edhe depozitat do të ndikohen nga ulja e normës bazë të interesit të lekut. Qytetarët që deri më tani kanë treguar një tendencë për të kursyer, pritet të ndryshojnë qëndrim duke ulur kursimin dhe rritur konsumin. Banka e Shqipërisë nga ana tjetër pret që edhe gjatë këtij viti vendi ynë të ketë një rritje ekonomike, edhe pse ekonomia vijon të performojë nën kapacitete. Një pikë e fortë e saj duket se është kostoja e ulët e punës, çka vlerësohet se mund të jetë pozitive në tërheqjen e investimeve të huaja, pavarësisht kufizimeve që kanë pësuar ato për shkak të krizës.

Inflacioni
Përkundër uljes së normës bazë të interesit për lekun, Banka e Shqipërisë pret që inflacioni të jetë brenda objektivit. “Duke faktorizuar pritjet tona për një rritje ekonomike nën potencial dhe për reduktimin e presioneve inflacioniste me origjinë nga jashtë, si dhe në prani të pritjeve të ekonomisë për një inflacion pranë objektivit, projeksionet tona sugjerojnë se me një probabilitet ndodhjeje 90%, inflacioni i çmimeve të konsumit do të luhatet në bandën 1–3% gjatë vitit 2012”, tha guvernatori.

NERTILA MAHO

© Panorama.al

Te lidhura