Banka: Rriten tarifat e qirave për apartamentet

Dec 5, 2011 | 12:46

Indeksi u rrit me 10,3% në krahasim me vitin e kaluar.

Sot në Tiranë ia vlen më shumë të marrësh një shtëpi me qira sesa ta blesh atë. Kushtet për blerje janë përkeqësuar në kahun e qytetarëve dhe vlerësimi vjen nga Banka e Shqipërisë. Në raportin e Politikës Monetare BSH vlerëson se çmimet aktuale të apartamenteve janë rritur, ndërkohë që sikur të mos mjaftonte kjo, edhe bankat kanë shtrënguar kushtet e kreditimit.
Çmimi i banesave
Raporti i Bankës së Shqipërisë në analizën që i bën çmimit të apartamenteve shpjegon se tendenca e shtrenjtimit ka ardhur si efekt i ofertës së ulët. “Ndryshimi nominal vjetor i indeksit të çmimit të banesave shënoi rritje me rreth 10.3 % në tremujorin e tretë të vitit 2011. Kjo rritje ishte 8.7 pikë përqindjeje më e lartë se rritja e shënuar në tremujorin e dytë. Zhvillimet në çmimet e banesave në tremujorin e tretë të vitit 2011 janë ndikuar nga një kontraktim i ofertës në zonat urbane. Në vitet e fundit, numri i lejeve të ndërtimit të dhëna në Tiranë ka qenë i ulët”, thuhet në raportin e BSH. Por, në vijim pritet që çmimi i banesave të ketë një tendencë uljeje për shkak se në tremujorin e dytë të këtij viti janë dhënë edhe më shumë leje ndërtimi, çka logjikisht përkthehet në më shumë apartamente për shitje. Rritja e kërkesës së qytetarëve për të blerë një banesë shihet nga Banka e Shqipërisë si një tjetër arsye e rritjes së çmimeve. Por kjo kërkesë erdhi e mbështetur edhe nga bankat të cilat në pjesën e parë të këtij viti u treguan më të gatshme për të kredituar qytetarët. Por kjo nuk u vijua edhe në tremujorin e tretë të vitit. Prirja e bankave ka qenë drejt shtrëngimit të kushteve të kreditimit. “Rezultatet më të fundit të vrojtimit të aktivitetit kreditues tregojnë se standardet e kredisë dhënë individëve për blerje banese, pasi ndoqën një prirje lehtësuese në gjashtëmujorin e parë të vitit, u shtrënguan gjatë tremujorit të tretë të vitit 2011”, shpjegon Banka e Shqipërisë.
Qiratë
Qiratë e banesave kanë ecur në të njëjtin drejtim si çmimi i apartamenteve, duke shënuar rritje në tremujorin e tretë të vitit. Kjo situatë është krejt e kundërta e tendencës së indeksit të qirave në pjesën e parë të vitit. Në shifra, indeksi i qirasë, krahasuar me tremujorin e kaluar, u rrit me 0.8% në terma nominalë dhe me rreth 2.3% në terma realë. Por, pavarësisht rritjes që ka pësuar indeksi i qirasë, Banka e Shqipërisë vlerëson se kjo është më e leverdishme në vlerësimin e gjithë komponentëve, krahasuar me blerjen e një apartamenti. Raporti i dy indekseve në tremujorin e tretë të vitit vijoi të qëndrojë mbi trendin e tij historik. “Zhvillimet më të fundit në tregun e banesave tregojnë se çmimet e shitjes së tyre vijojnë të mbeten më të larta, krahasuar me marrjen me qira të tyre, sipas analizës së raportit të indeksit të çmimit ndaj qirasë”, vlerëson Banka e Shqipërisë. Ndërkohë që do të mbetet të shihet në muajt në vijim se si do të vijojë raporti i indekseve të qirasë dhe çmimit të banesave, pasi pritet që të ketë rritje të ofertës në treg në kahun e banesave të mundshme për shitje, kjo si efekt i rritjes së numrit të lejeve të dhëna.

Pse më mirë me qira
Raporti i Bankës së Shqipërisë vlerëson se marrja me qira e një apartamenti ka ardhur duke u bërë më i leverdishëm se blerja e tij. Në shifra, krahasimi i të dy indekseve, atij të çmimit të banesës dhe atij të qirasë, ka ardhur duke u rritur. “Raporti i indeksit të çmimeve të banesave me atë të qirasë shënoi vlerën 2.3, rreth 4.8% më i lartë krahasuar me tremujorin e mëparshëm dhe rreth 9.1% më i lartë, krahasuar me të njëjtin tremujor të një viti më parë”. Tendenca për çmime më të leverdisshme apartamentesh pritet të vijë në vijim si efekt i rritjes së ofertës në treg. Ndërkohë që kjo ka pasur një efekt zinxhir edhe te qiratë.

NERTILA MAHO

© Panorama.al

Te lidhura