Banka Botërore rekomandon ndryshim të mënyrës se si financohen shërbimet shëndetësore në Shqipëri, duke propozuar që Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor (FSDKSH) të kalojë nga administrimi i buxheteve historike në një model ku pagesat lidhen me rezultatet, cilësinë dhe performancën e ofruesve të shërbimeve.
Sipas raportit, kjo reformë konsiderohet leva kryesore për rritjen e efikasitetit të sistemit shëndetësor dhe përmirësimin e cilësisë së shërbimeve.
Raporti vëren se Fondi administron rreth 67% të shpenzimeve publike për shëndetësinë, por funksionon kryesisht si administrator buxheti. Financimi i spitaleve publike bazohet në buxhete historike sipas zërave të shpenzimeve, ndërsa përdorimi i kontraktimit selektiv ose pagesave të lidhura me performancën mbetet i kufizuar. Si rezultat, financimi i spitaleve lidhet pak me aktivitetin ose rezultatet e arritura.
Banka Botërore thekson se modeli aktual u jep ofruesve pak stimuj për të rritur produktivitetin, për të racionalizuar ofrimin e shërbimeve ose për të zhvendosur trajtimet drejt formave me kosto më të ulët. Sipas raportit, problemi nuk lidhet me fragmentimin e fondeve, por me mungesën e kapaciteteve për blerje strategjike të shërbimeve.
Dokumenti rekomandon që, paralelisht me zgjerimin e autonomisë së spitaleve publike, Fondi të fillojë gradualisht zbatimin e blerjes së shërbimeve të bazuar në rezultate në të gjitha nivelet e kujdesit shëndetësor.
Për kujdesin parësor, raporti propozon përdorimin e pagesave të bazuara në kapitacion, të përshtatura sipas moshës dhe rrezikut të pacientëve, të shoqëruara me fonde të dedikuara për diagnostikën laboratorike dhe instrumentale, si edhe me tregues performance aty ku është e mundur.
Për shërbimet ambulatore të specializuara, Banka Botërore rekomandon që ofruesit publikë të kontraktohen në mënyrë strategjike për të garantuar ofrimin e shërbimeve të caktuara, ndërsa pagesat të rregullohen në mënyrë të ngjashme me ato që aplikohen për PPP-të dhe ofruesit privatë, por duke u kufizuar me kuota dhe tavane buxhetore për të shmangur zgjerimin e panevojshëm të shërbimeve.
Në nivel spitalor, raporti propozon kontraktim selektiv dhe financim të bazuar në volum ose kritere të caktuara, në përputhje me Planin Kombëtar të Spitaleve 2023–2030. Gjithashtu rekomandohet kalimi gradual nga buxhetimi sipas zërave të shpenzimeve drejt financimit sipas rasteve ose paketave të shërbimeve, duke përdorur kombinime të ndryshme metodash pagese.
Sipas Bankës Botërore, një sistem më fleksibël i blerjes së shërbimeve, i kombinuar me autonomi menaxheriale dhe financiare për ofruesit, do t’u krijonte institucioneve më shumë mundësi për planifikimin e personelit dhe për përdorimin e stimujve të lidhur me performancën.
Në përmbledhjen e rekomandimeve, raporti e cilëson kalimin e Fondit nga një administrator pasiv buxheti në një blerës aktiv për të përmirësuar performancën e sistemit shëndetësor shqiptar./ Monitor
© Panorama.al












