Banda e Durrësit, 4 burgime përjetë

Jan 17, 2012 | 11:06

Anëtarët e Bandës së Durrësit në gjykatë

I penduari dënohet me vetëm dhjetë vjet burg, grupi i Lul Berishës, bandë dhe jo organizatë kriminale

Gjykata: Dënime kapitale Berishës, Dokles, Taullajt e Dervishajt

Dëshmia e të penduarit të Drejtësisë, Adriatik Coli, në gjykimin e “bandës së Durrësit” te Krimet e Rënda, “fundosi” në katër burgime të përjetshme dhe një total prej 235 vitesh burg pesëmbëdhjetë anëtarët e grupit ku bënte pjesë dhe vetë ai. Coli u dënua më burgim të përjetshëm, por për shkak të statusit të të penduarit dhe bashkëpunëtorit të Drejtësisë, dënimi i tij përfundimtar ra në 10 vjet burg. Gjykata për Krimet e Rënda i dha fund dje shqyrtimit të kësaj dosjeje, duke deklaruar të fajshëm të 16 të pandehurit e saj. I akuzuari i Prokurorisë si kreu i “bandës”, Lulzim Berisha, u deklarua i pafajshëm për akuzën e “krijimit të organizatës kriminale”. “Nuk është provuar se është kryer në formën e organizatës kriminale, por në formën e ‘bandës së armatosur’”, u shpreh gjykata. Edhe për të pandehurin Endrit Dokle gjykata gjeti të provuar vetëm akuzën e “grupit të strukturuar kriminal” dhe jo atë të “krijimit të organizatës kriminale”. Akuza e krijimit apo pjesëmarrjes në organizatë kriminale nuk kishte rezultuar e provuar për asnjë nga të pandehurit. Por, këto ndryshime nuk shpëtuan Berishën, Doklen, Taullai e Dervishajn nga burgimi i përjetshëm si edhe të pandehurit e tjerë nga dënimet e rënda me shumë vite burg. Vendimi në fjalë u shpall dje në mbrëmje, në orën 19:30 në Gjykatën për Krimet e Rënda, nën masa të forta sigurie, në një kohë që në sallë ndodheshin vetëm tre prej të pandehurve. Të pandehurit kryesore në proces kishin zgjedhur të mos qëndronin në sallë e po ashtu edhe familjarë të tyre. Seanca e djeshme, e fundit e këtij procesi, nisi në orën 09:00 të mëngjesit, ku gjykata u njoh me konkluzionet mbrojtëse të të pandehurit Selman Heti. Në përfundim të tyre, rreth orës 14:30, Gjykata u tërhoq në dhomën e këshillimit nga ku doli shumë orë më pas.
VENDIMI
Përpara se të shpallte vendimit, gjyqtari Gurali Brahimllari sqaroi se gjykata për shpalljen e vendimit kishte shqyrtuar të gjitha provat e paraqitura nga palët në proces. Në lidhje me dëshminë e Colit, kryesuesi Brahimllari u shpreh se gjykata ka marrë në konsideratë vetëm ato deklarime që mbështeteshin nga prova të tjera. “Në dhënien e këtij vendimi Gjykata është mbështetur në provat e marra nga gjykimi, të cilat konfirmojë ato deklarime të të pandehurit Coli. Ndonëse e vlerëson se i pandehuri Coli, në tërësi, i ka qëndruar deklarimeve të bëra gjatë fazës së hetimeve paraprake, gjykata, pa vënë në dyshim atë, në lidhje me fajësinë apo pafajësinë e të pandehurve, merr në konsideratë vetëm ato thënie që mbështeten nga prova të tjera të sjella në gjykim, shkresore apo me dëshmitar”, u shpreh kryesuesi Brahimllari. Njëkohësisht, kryesuesi sqaroi se në vendimin përfundimtar Gjykata ka mbajtur në konsideratë edhe ligjin e kohës, pra ndryshimet e që kanë pësuar cilësimi në Kodin e Procedurës Penale i formave të organizimeve kriminale. Kështu, sipas gjykatës, ishte vlerësuar se në këtë hetim ngjarjet kriminale i përkasin tri periudhave, segmenteve kohore. “Ato fillojnë nga 14.10.1998 deri në 22.08.1999 në vrasjen e Marsel Sotirit. Pastaj janë disa ngjarje që kanë ndodhur deri në 2005, pra në momentin e vrasjes së Klodian Saliut dhe ngjarjet e tjera që i takojnë vitin 2008”, tha kreu i trupës gjykuese. Në vendim gjykata pati parasysh edhe moshën e mitur të disa prej të pandehurve në kohën për të cilën ata akuzoheshin, si i pandehuri Spartak Kalthi, dënimi i të cilit nga 20 vjet burg përfundimisht shkoi në 10 vjet. Për të pandehurit Plaurent Dervishaj, Ahmet Ajeti dhe Osman Karpuzi vendim u shpall në mungese, pasi ata i fshihen Drejtësisë.
EPISODET SIPAS PROKURORISË
Referuar kërkesës për gjykim të organit të Prokurorisë, viktima e parë pas themelimit të organizatës kriminale është Dritan Sallaku. Viktima njihej për tendenca të theksuara kriminale në qytetin e Durrësit dhe i grupuar rreth grupimit të Marsel Sotirit, i cili në këtë periudhë predominonte trafiqet e kontrabandën në Portin e Durrësit. Klodian Saliu dhe i pandehuri Plaurent Dervishaj, së bashku me të vëllamë, Redinaldin, kishin pasur kontradikta të theksuara me viktimën Dritan Sallaku. Kulmi i këtyre kontradiktave arrin nga goditja me armë zjarri në drejtim të banesës së Njazi Dervishajt, më 16 tetor 1998. Për këtë goditje, organizata kriminale konkludoi se ishte viktima Dritan Sallaku, njëri nga dy personat që kishte qëlluar në drejtim të banesës së Plaurent Dervishajt, e për këtë u vendos të vritej menjëherë të nesërmen. Me qëllim që të mos njiheshin makinat e tyre që kishin në përdorim, vendosin të marrin një makinë tip “BMW”. Adriatik Coli e merr këtë makinë të paregjistruar, te dëshmitarët Geri Beja e Denis Xhilaga. Dyshimet e para për vrasjen e Sallakut bien mbi shtetasin Petrit Sulejmani, i njohur me nofkën “Lumi i Myfitit”, pasi viktima bashkëjetonte me të dashurën e Sulejmanit. Sipas     Prokurorisë, anëtarët e grupit kriminal ishin të gëzuar, pasi bashkëpunëtorët e viktimës Sallaku kishin lajthitur lidhur me autorin e vrasjes së tij, duke u fokusuar te Petrit Sulejmani. Situata ndryshon kur gjendet makina tip “BMW” ngjyrë gri, e braktisur natën e ngjarjes, pasi brenda saj u gjetën dokumentacionet e lokalit “B…”.
Në vijim, kjo ngjarje u ndoq nga një sërë episodesh të rënda kriminale. Ngjarjet për të cilat ata u kthyen në të akuzuar si autorë më vonë janë: Vrasja me paramendim në bashkëpunim ngelur në tentativë në dëm të shtetasit Marsel Sotiri, ndodhur më datë 29.10.1998; Vrasja me paramendim në bashkëpunim në dëm të shtetasit Eduart Ongari”, ndodhur më datë 05.07.1999; Vrasja me paramendim në bashkëpunim në dëm të shtetasit Marsel Sotiri”, ndodhur më datë 22.08.1999, “Vrasja me dashje kryer në bashkëpunim, ngelur në tentativë” në dëm të shtetasit Ilir Nelaj, ndodhur më datë 17.10.1998, kryer në kuadër të organizatës kriminale, “Vrasja me dashje kryer në bashkëpunim, ngelur në tentativë” në dëm të shtetasit Agim Rexhepi, ndodhur më datë 17.10.1998, kryer në kuadër të organizatës kriminale; “Vrasja me dashje, e kryer në bashkëpunim” në dëm të shtetasit Viron Curri, ndodhur më datë 29.10.1998, kryer në kuadër të organizatës kriminale; “Vrasjes me dashje, e kryer në bashkëpunim” në dëm të shtetasit Arjan Paja, ndodhur më datë 29.10.1998.
Sipas Prokurorisë, pas vrasjes së Klodian Saliut, drejtimin e organizatës kriminale e merr në dorë i pandehuri Endrit Dokle, i cili bashkëpunëtorin më të ngushtë ka të pandehurin Adriatik (Dritan) Coli. Menjëherë pas vrasjes së shtetasit Klodjan Saliu dhe bisedës se organizatori i saj është i pandehuri Lulzim Berisha, të pandehurit Endrit Dokle e Adriatik (Dritan) Coli vendosin të kundërpërgjigjen, duke vrarë kundërshtarin e tyre, të pandehurin Lulzim Berisha. Por ndonëse tentuan disa herë, ky grupim dështoi në eliminimin fizik të shtetasit Lulzim Berisha.
Për të realizuar vrasjen e të pandehurit Lulzim Berisha, mendojnë të caktojnë ditën e 40-të të vrasjes së shokut të tyre Klodjan Saliu. Një ditë që në ritet tona për të vdekurit është ditë kujtimi për ta. Fillimisht kontaktojnë shtetasit G. Gashi nga Tirana, shok i vëllait të Klodjanit, i shtetasit Arjan Saliu, me të cilin kishin qëndruar në burg në Itali së bashku, i cili mori përsipër të kryente vrasjen e shtetasit Lulzim Berisha kundrejt shumës prej 100 mijë eurosh dhe me kusht që të pandehurit Endrit Dokle dhe Adriatik Coli t’i siguronin armët dhe makinën që do të përdorte për këtë qëllim. Në një darkë, i pandehuri Endrit Dokle, tashmë si drejtues i organizatës kriminale, thërret shtetasin G.Gashi, të cilit i jep çelësat e makinës “Passat “ dhe dy armë, një automatik “Skorpions” dhe një pistoletë tip “Beretë” si dhe 20 mijë eurot nga shuma prej 100 mijë eurosh e premtuar, me kusht që pas vrasjes të merrte shumën tjetër. Pas disa ditë pritjeje, shtetasi G. nuk bëri sipas organizatës asnjë orvatje për të vrarë Lulzim Berishën e në këto kushte, atij i marrin çelësat e makinës, sasinë prej 20 mijë euro dhe dy armët e zjarrit. Në episodin e 5 prillit 2005, Lulzim Berisha i shpëtoi një atentati, pasi atentatorët u trembën nga një polic qarkullimi. Në episodin e 5 majit 2005, fati ishte në anën e Lulzim Berishën, pasi atentatorit të tij iu bllokua arma, teksa po tentonte ta qëllonte. Tentativa e fundit për eliminimin e Berishës ishte ajo me antitank më 30.8.2005, ku gjatë tentativës është plagosur një nga vetë atentatorët.

DENIMET
Lulzim Berisha             “burgim të përjetshëm”

Plaurent Dervishaj         “burgim të përjetshëm”

Indrit Taullai                     “burgim të përjetshëm”

Endrit Dokle                       “burgim të përjetshëm”

Dritan (Adriatik) Coli         10 vjet burg

Sardian Sulejmani          25 vjet burg

Kujtim Buna                        25 vjet burg

Altin Olloni                       25 vjet burg

Elvin Hoxhosmani           25 vjet burg

Alban Neli                         20 vjet burg

Selman Heti                        25 vjet burg

Spartak Kalthi                     10 vjet burg

Altin Nikolla                      20 vjet burg

Kristian Begu                      20 vjet burg

Ahmet Ajeti                        20 vjet burg

Osman Karpuzi              20 vjet burg

ARMAND BAJRAMI

© Panorama.al

Te lidhura