TIRANË- Prokuroria ka kërkuar dënimin me burgim të përjetshëm për tre të akuzuar si anëtarë të Bandës së Cërrikut. Në seancën e sotme në Gjykatën e Krimeve të Rënda, prokuroria ka dhënë pretencën për të akuzuarit, pas të cilës pritet edhe vendimi i trupit gjyqësor.
Sipas pretencës, kërkohet dënimi me burg përjetë për Meti Bozin, Arjan Toskën dhe Roland Soten.
Prokuroria ka kërkuar 25 vjet burg për Lazar Bicjan, 24 vjet burg për Tomorr Buzanin, 22 vjet burg për Alban Toskën, 21 vjet burg për Skënder Canin. Dënimi me 8 vjet burg është kërkuar për të penduarin e drejtësisë Bujar Buzën.
Sipas akuzës, të pandehurit e Bandës së Cërrikut akuzohen si autorë të masakrës së Cërrikut, ngjarje kjo e ndodhur më 23 mars të vitit 1997, ku mbetën të vrarë me armë zjarri 6 punonjës të Gardës së Republikës si dhe u plagosen 9 punonjës të Policisë së Shtetit.
© Panorama.al











