Deputeti i Partisë Demokratike, Belind Këlliçi, ka deklaruar se opozita duhet të organizojë një protestë të fortë dhe të pandërprerë, duke theksuar se kauzat janë ato që e bëjnë një protestë të suksesshme, jo numrat.
Ai theksoi se afera që lidhet me zëvendëskryeministren Belinda Balluku është një nga më të rëndat në institucionet shtetërore, duke iu referuar projektit të njohur si “Tuneli i Palloshit” dhe duke përmendur edhe “Tigrin 1” dhe “Tigrin 3”.
“Mos harroni është Tigri 1 dhe Tigri 3, është ARRSH, OSHEE, KESH, janë të gjithë zyrtarët në varësi të Ballukut që janë ose me akuza ose nën hetim nga SPAK. Kjo që ka ndodhur në ministrinë e Infrastrukturës nuk ka bërë ndonjëherë vaki në asnjë institucion”, tha Këlliçi për News24.
Belind Këlliçi: Në parim ne kemi patur një vendimmarrje që Po, e para ka nevojë për një protestë shumë të fortë. Unë i mbetem i idesë time që ka nevojë për një protestë të pandërprerë. Protestën nuk e bëjnë numrat, por kauzat. I njëjti format, e njëjta procedurë në raport me korrupsionin e Ballukut, se po flasim për tunelin e Palloshit, por mos harroni është Tigri 1 dhe Tigri 3, është ARRSH, OSHEE, KESH, janë të gjithë zyrtarët në varësi të Ballukut që janë ose me akuza ose nën hetim nga SPAK. Kjo që ka ndodhur në ministrinë e Infrastrukturës nuk ka bërë ndonjëherë vaki në asnjë institucion. Jo vetëm titullarja është me akuzë të komunikuar, por janë të gjithë varësit e saj me akuzë ose nën hetim nga SPAK. Këtë shpërbërje te institucionit që i ka bërë Balluku ministrisë së Infrastrukturës ju nuk e keni parë të ndodhë në asnjë institucion. Ndaj opinioni im ka qenë që të fokusohemi atje, por ka pasur një opinion tjetër që prevaloi me votë, që do ta zhvendosim tek kryeministria. Unë jam i bindur se protesta do të jetë ndryshe, do gjejmë forma të ndryshme komunikimi, por dokumentet janë flagrante.
© Panorama.al











