Balluku merret e pandehur, analisti: Pas anulimit të tenderit të Llogarasë, u dhanë 40 mln euro më shumë! Hetimet e SPAK po shkojnë te afera e vërtetë

Oct 31, 2025 | 20:55

Hetimet e SPAK po shkojnë te afera e vërtetë për dosjen e tenderit të tunelit të Llogarasë, për të cilin sot u mor e pandehur edhe zv/kryeministrja, njëkohësisht ministre e Infrastrukturës dhe Energjetikës, Belinda Balluku, e cila duhet të largohet vetë nga detyra.

belinda balluku spak (2)

Kështu u shpreh analisti Arjon Sulo në analizën që i bëri situatës më të fundit nga drejtësia dhe politika në vend. Zhvillimet e ditës së sotme ai i cilësoi si të rëndësishme, teksa theksoi se për çështjen e Llogarasë tani është evidentuar problematika e shkeljes me tenderin dhe pagesat më shumë se 40 mln euro nga tenderi fillestar i anuluar më 2020.

“Hetimet  SPAK shkojnë te afera e vërtetë. Fjalën e fundit e ka gjykata dhe duhet pritur. PD ka të gjithë të drejtën që të thotë se në tenderin e Llogarasë pati një anulim, me firmën turke që u shpall fitues më pas dhe 40 mln euro më shumë, ku opozita dhe media ngre pikëpyetje. Deklarata të papërgënjeshtruara”, u shpreh ai për News 24.

Analisti vuri në dukje edhe faktin paradoksal se si një tender anulohet, rritet vlera, i jepet një kompanie tjetër, turke, e ajo sjell vetëm makineritë, pasi punën e bën kompania e parë qe e fitoi tenderin, por iu anulua.

“U dhanë për të njëjtën punë, për të njëjtën tender. Dhe aty u bënë makinacionet, kompania turke thjesht solli makineritë, kurse punën e bëri firma që fitoi tenderin e parë që u anulua”, tha ai.

Më tej ai shprehet se Balluku nuk duhet të qëndrojë më në detyrë dhe se duhet të distancohet vetë pas marrjes e pandehur, pasi do ishte e papërshtatshme të vazhdonte të menaxhonte buxhetin më të madh.

“Kemi të bëjmë me një veprim ligjor të SPAK që u kthye në punë që nga shkurti i këtij viti, kur ndodhi arrestimi i Veliajt. Nuk mendoj se kemi të bëjmë me lëvizje politike si në rastin Veliaj, madje PS bashkë me Ramën është në mbrojtje të zonjës Balluku. Lëvizja politike është e pashmangshme nga marrja e pandehur pasi numri 2 i qeverisë dhe njeriu më i pushtetshëm pas Ramës krijon minimumi tronditje. PS do të bëjë variantin që Rama paralajmëroi në intervistën për DW kur tha drejtësia ka punën e saj ne kemi tonën. Duhet të presim distancim apo heshtje nga ana e qeverisë, një heshtje mediatike dhe politike, për sa kohë që Balluku do të distancohet vetë. Ministrja më e pushtetshme dhe e pandehur tashmë, të vijojë të menaxhojë një pjesë aq të madhe të buxhetit është e pa përshtatshme. Nëse do ta mbrojë Rama do të thotë që duhet të shkrijë SPAK, gjë që nuk e bën dot. Kjo qeveri nuk mund të qëndrojë më në këmbë”, tha ai.

ario sulo

Sulo: Veliaj ka nisur luftën me PS, s’ka çfarë humbet më! partia e shkarkoi dhe i bëri dalje

Sulo komentoi edhe zhvillimet politike, për çështjen e ish-kryebashkiakut Erion veliaj dhe seanca e sotme në Gjykatën Kushtetuese, ku ai kërkon shpalljen të paligjshëm të vendimit të Këshillit të Ministrave dhe Këshillit Bashkiak për shkarkimin nga detyra.

Sipas analistit, Veliaj mendon se është i burgosur politik dhe se “PS i bëri dalje”.

“Veliaj mendon se është i burgosur politikë. Aferat dhe ato që ka bërë Veliaj, jo me kokën e tij. Janë dhënë disa vendime brenda ditës në bashki. Atë e shkarkoi partia e tij nga detyra dhe kjo tregon se PS kishte dëshirë për të mbaruar punë sa më parë me Veliajn. PS kërkoi t’i bënte dalje sa më parë atij”, u shpreh analisti.

Sulo mendon se tani Veliaj ka nisur betejën dhe i ka shpallur luftë PS-së, pasi nuk ka më se çfarë të humbasë.

“Pashë sinjale lufte nga ana e Veliajt sot, i përgatitur mirë për atë që po bënte. Pashë sinjale beteje me PS dhe me ata që donin ta shikonin në pranga apo që e shkarkuan. Betejë politike, ishte i qartë, beteja me Veliajn sapo ka filluar. Veliaj e kishte marrë seriozisht betejën me PS. Veliaj tani është më i dobët, ose nuk është llogaritur politikisht. Gjykata Kushtetuese do vendosë për Veliajn siç e kërkon mazhoranca. Veliaj nuk ka më çfarë të humbasë, por ka vetmë për të fituar në betejën politike, edhe pse politikisht është i dobët”, u shpreh ai.

© Panorama.al

Te lidhura