UASHINGTON- Administrata e Presidentit Barak Obama premton vazhdimësinë e angazhimit në Ballkan në drejtim të integrimit euro-atlantik dhe thekson se ndryshimi i kufijve në rajon do të ishte një zgjidhje e papranueshme për Shtetet e Bashkuara. Një zyrtar i lartë i Departamentit të Shtetit i shprehu këto qëndrime në një seancë për Ballkanin të organizuar të martën nga Nënkomisioni për Evropën dhe Euroazinë i Dhomës së Përfaqësuesve në Kongresin amerikan, njofton Zëri i Amerikës.
Ndihmës Sekretari i Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, Filip Gordon tha se në gjithë Kosovën duhet të ketë një mjedis të sigurt dhe lëvizje të lirë dhe pa kushte. Shtetet e Bashkuara, theksoi zyrtari amerikan, janë kundër ndryshimit të kufijve.
“Më lejoni të jem i qartë: as që bëhet fjalë që kufijtë në këtë rajon të ndryshojnë në bazë të përkatësisë etnike. Për këtë arsye, ndarja dhe shkëmbimi i territoreve janë zgjidhje të papranueshme”.
Po anëtari republikan i Kongresit Dana Rohrabaker nuk është i këtij mendimi. Ai thotë se ndryshimi i kufijve me marrëveshje, shkëmbimi i territoreve mes Kosovës dhe Serbisë do të ndihmonte për zgjidhjen e problemeve.
“A po imponojmë ne vullnetin tonë ndaj Serbisë dhe Kosovës duke u kërkuar që të mos bëjnë një marrëveshje për të rishikuar kufijtë e tyre në mënyrë që më shumë serbë të jenë në Serbi dhe më shumë kosovarë në Kosovë?”
Edhe hetimi për akuzat e raportit Marty, ishte një një nga temat e debatuara dje. Si anëtari i Kongresit Burton ashtu edhe anëtari republikan Ted Poe, të cilët ishin pjesë e një delegacioni që sapo ka vizituar rajonin, shprehën shqetësim të thellë për akuzat dhe e nxitën zotin Gordon që Departamenti i Shtetit të jetë më i angazhuar për këtë problem serioz. Zoti Gordon konfirmoi se Departamenti po i jep rëndësinë e duhur kësaj çështjeje duke theksuar se ka emëruar në krye të hetimeve të EULEX-it ish-ambsadorin për krime lufte, Clint Williamson.
© Panorama.al











