Ballkani në optikën e BE

Dec 12, 2011 | 10:36

YLBER LILI

Siç pritej, Kroacia u bë pjesë e familjes europiane. Ndërkaq, vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor nuk arritën të kalojnë klasën e statusit vend kandidat. Arsyetimet e autoriteteve të Bashkimit Europian ishin sipas specifikave që ka secili shtet. Bie fjala, Serbia duhet të njohë realitetin e shtetit të Kosovës…. Mali i Zi duhet të eliminojë ca kleçka, ndonëse ka shumë. FYROM ka ende punë për të bërë në drejtim të konsolidimit të shtetit ligjor, të zgjidhjes së emrit me Greqinë dhe implementimin e Marrëveshjes së Ohrit. Sakaq, Shqipëria duhet të zgjidhë antagonizmat politikë dhe të pastrojë oborrin nga krimi dhe korrupsioni. Ndërsa për  Bosnjën dhe Kosovën nuk ka një qëndrim qartësisht të kuptueshëm. Këto janë pak a shumë konstatimet dhe konkluzionet e BE-së, natyrisht thënë në ligjëratë të zhdrejtë. Ndonëse secili nga këto shtete e ka “hak” shuplakën, gjithsesi nëse u referohemi detajeve, dallohet ashiqare politika me dy standarde. Natyrisht që për të argumentuar logjikën e dy standardeve, domosdoshmërisht duhen analizuar problematikat që i karakterizojnë vendet e mbetura sërish jashtë kuadrit të BE-së.
1- Përtej mizaskenave që shfaqen tek-tuk nëpër rrugët e ftohta të Beogradit, ku një grup radikalësh të matufosur ngrohën duart me simbolet e BE-së, zyrtarët serbë nuk e fshehin kënaqësinë e përkëdhjes së radhës. Rekomandimet e BE-së në një farë mënyre ishin një lloj amnistie për shtetin e kapur nga krimi i organizuar, për politikat ekspansioniste, apo edhe për krimet kundër njerëzimit. Në këtë kuptim, nëse do të flasim për standarde të mirëfillta, krahas njohjes së realitetit të ri historik, shtetit të Kosovës, Serbia duhet të kërkojë falje publike për krimet në Kosovë dhe Bosnjë, elita e Beogradit duhet të dëshmojnë tregues se është shkëputur nga zinxhirët e mafies dhe kupola e krimit duhet të deklarojë se heq dorë nga çdo synim territorial ndaj shteteve të tjera, e kështu me radhë. Por, sipas të gjitha gjasave, BE-ja e ndodhur në telashe të mëdha brenda familjes së saj, i ka rënë shkurt hesapit duke ofruar dorën ledhatuese dhe jo duke folur me gjuhën strikte të standardeve të mirëfillta. Nëse do t’u përmbaheshin standardeve, Serbia nuk është gati të ecë me këmbët e veta drejt BE-së, as në vitin 2020! Dikush mund të thotë se rekomandimet janë më shumë të karakterit politik sesa të përmbushjes së standardeve. Kjo është tjetër çështje. Gjithsesi, një Serbi e tillë, po të hyjë në BE, do të jetë bumerang për organizatën.
2- Po t’i hedhim një vështrim FYROM-it, konstatojmë se rekomandimet e BE-së shërbejnë për inkursione hakmarrëse mes pozitës dhe opozitës dhe kryesisht ndaj shqiptarëve. Por, në fund të fundit, asnjë nga kampet politike maqedonase nuk e çan kokën për ta shpënë vendin drejt strukturave veriatlantike. Ndonëse në pamje të parë ata aktrojnë duke u viktimizuar e derdhur lot krokodili, në thelb elitat maqedonase janë më shumë të prira për të ndërtuar identitetin fals, sesa të përveshin mëngët dhe të shpëtojnë varkën shkatarraqe nga mbytja përfundimtare. Atyre, pra elitave, më shumë u intereson të shpenzojnë energji duke fragmentarizuar kapacitetet etnike, kulturore, ekonomike e politike të shqiptarëve, sesa të zhvillojnë beteja institucionale në funksion të përmbushjes së standardeve. Me pak fjalë, elitat maqedonase nuk kanë ndër mend të bëjnë kompromis për emrin, sikundër nuk e vënë ujin në zjarr për të relaksuar marrëdhëniet e acaruara ndëretnike në vend. Ata shpëtojnë paq nga mallkimet e elektoratit, duke i ngushëlluar me logjikën hakmarrëse ndaj shqiptarëve. Shikuar në këtë rrafsh, refuzimi për anëtarësim mbetet problem shqetësues për shqiptarët atje. Sa më larg strukturave veriatlantike, aq më shumë zgjatet dora hakmarrëse e pushtetit maqedonas ndaj shqiptarëve. Kjo është praktikisht e vërtetuar. Gruevski vazhdon të mbetet më i votuari, jo për shkak të reformave dhe aspiratave të vendit drejt NATO-s dhe BE-së, por në sajë të politikave të tipit mesjetar ndaj shqiptarëve. Edhe në këtë rast, BE-ja po tregohet e butë me FYROM, duke ia minimizuar peshën e fajeve.
3-Megjithëse Mali i Zi është një shtet vocërrak, ai në optikën e BE-së mbetet një vend strategjikisht tepër i rëndësishëm. Pikërisht për këtë arsye, ajo pëllëmbë tokë me një grusht komunitetesh ka mbështetjen e pamasë të komunitetit ndërkombëtar, anipse, atje sot e gjithë kohën logjika e qeverisjes është huazim i fenomenit “putinist”. Madje, nëse ecim mbi shinat e standardeve të mirëfillta dhe analizën e fokusojmë në këtë linjë, konstatojmë se në Mal të Zi, krimi dhe korrupsioni është ulur këmbëkryq, liritë dhe të drejtat e pakicave mbeten problem etj. Pra, edhe në këtë rast, BE-ja luan me dy standarde. Ky organizëm tejet i rëndësishëm, më shumë i mëshon logjikës së koniunkturave gjeopolitike, sesa zbatimit të standardeve.
4 Dy fjalë për Bosnjë-Hercegovinën. Pavarësisht investimit të komunitetit ndërkombëtar për të ruajtur një lloj ekuilibri, megjithatë, konfigurimi i këtij shteti ngjall panik orë e çast. Shkaktarë të këtij paniku e kanë zanafillën te tolerimet ndaj serbëve, apo tek vonesat dhe konfuzioni i kahershëm i faktorit të jashtëm, të cilët hezituan në kohën e duhur për t’i vendosur pikat mbi í. Tashmë, Bosnja mbetet një gur në qafën e BE-së, e cila vazhdon të mbetet në dilemë rreth ardhmërisë së kësaj hapësire, e cila ngjan si minë me sahat.
5- S’do mend që Ballkani tashmë nuk ka asnjë kuptim pa shtetin më të ri, Kosovën. Ç’është e vërteta, falë luftës për liri dhe më kryesorja si rezultat i sponsorizimit të fuqishëm të komunitetit ndërkombëtar, veçmas të SHBA-ve, Kosova e arriti mëvetësinë. Mirëpo, shikuar nga pikëpamja e formimit të shtetit dhe shtetndërtimit, duhet thënë se janë dy gjëra të ndryshme, por që nuk mund të kenë kuptim pa njëra-tjetrën. Megjithëse në planin e politikës së jashtme apo në raport me Serbinë, politika e Kosovës është në harmoni të plotë me ato europiane, sidoqoftë, parë nga aspekti i shtetndërtimit, ka ende shumë punë për të bërë. Në këtë kuptim, elita e Kosovës duhet të tregojë pjekuri maksimale politike, vullnet, përgjegjshmëri dhe aftësi për të bërë reforma të thella në të gjitha kuptimet, ato duhet të investohen në ndërtimin e shtetit ligjor, në luftën e pakompromis ndaj krimit dhe korrupsionit. Madje, energjitë dhe kapacitetet duhet të fokusohen katërcipërisht tek demokracia funksionale dhe të heqin dorë nga oreksi i madh për të përfituar politikisht dhe financiarisht. E, megjithatë, është i pakuptueshëm vendimi i BE-së, duke e lënë Kosovën si” ishull” të vetmuar në rrafshin e liberalizimit të vizave, ndërkohë që vendet e sipërpërmendura i kanë menderosur standardet!
6-Pa dyshim që Shqipëria mbetet një shtet shumë i rëndësishëm në Ballkan. Përtej oshilacioneve, duhet thënë se gjatë këtyre 20 viteve ka pasur progres në aspekt shumëpërmasor, përfshirë edhe përmbushjen e standardeve. Them kështu, ngaqë zhvillimet duhen parë me dylbitë e realitetit dhe jo mbi premisat e nihilizmit. Por, ky zhvillim është i pamjaftueshëm, madje dhe i papërfillshëm sipas njësisë matëse të BE-së, që është përmbushja e standardeve të njëmendta. Në këtë kontekst, refuzimin e përsëritur të BE-së e shoh në dy plane: në planin e brendshëm dhe atë të jashtëm. Së pari, duhet të pranojmë dështimin e klasës tonë politike, e cila nuk ka arritur të bindë askënd, madje as mendjen e saj, se ka përmbushur kriteret kryesore, siç janë funksionimi i shtetit ligjor dhe demokracia funksionale. Përkundrazi, politika në tërësi dhe qeveritë kanë imituar njëra-tjetrën, duke shkelmuar reformat dhe deformuar standardet.
7- Si përfundim, në vend të konkluzioneve, Ballkani në optikën e BE-së dhe të faktorëve të tjerë mbetet një gadishull joshës, por njëkohësisht edhe kokëçarës. Në kushtet e sotme, kur BE-ja është e mbarsur nga kriza e thellë financiare, ndërkohë që shtohen dilemat për të frenuar shkërmoqjen e eurozonës dhe ku kohezioni i brendshëm i BE-së është në pikëpyetje, natyrisht që nuk mund të presim harmonizim, qëndrime të unifikuara dhe racionale për vendet e Ballkanit Perëndimor. Sidoqoftë, matanë këtyre fakteve, treguesit e deritanishëm vërtetojnë se më shumë rëndësi për BE-në kanë koniunkturat e gjeopolitikës, sesa standardet. Të ishte për standarde, liberalizimi i vizave nuk duhet të fillonte nga Serbia dhe Maqedonia, të ishte për standarde të njëmendta, Bullgaria dhe Rumania duhej të prisnin pambarimisht ftesën. Në këtë kuptim, në sajë të koniunkturave, po përfiton sot Serbia, në sajë të kryqëzimit të shumë vektorëve po përfiton Maqedonia, në sajë të ndërprerjes të damarëve rusë në Ballkan, po përfiton Mali i Zi, e në sajë të çështjeve të pazgjidhura, po rriskon Shqipëria. Mbi bazë të kësaj logjike, nëse ka një problem real në Ballkan, ajo është çështja e zgjidhur shqiptare, problemet e tjera mbetet artificiale.

© Panorama.al

Te lidhura