Balla: Nëse miratohet akti i KQZ, s’njohim qeverinë

May 24, 2011 | 10:39

Protesta e opozitës para KQZ-së u ndërpre dje pasdite nga shiu i rrëmbyer që ra në Tiranë. Në mbyllje të saj, deputeti socialist Taulant Balla paralajmëroi se nëse KQZ do të miratojë projektaktin, opozita do të ketë reagim ekstrem. “Nëse KQZ do e miratojë projektaktin, do ketë një reagim ekstrem, duke mos njohur qeverinë. Gjithashtu, Balla ka theksuar se çdo vendim që merr KQZ është i paligjshëm”, u shpreh Balla. Opozita vijoi edhe dje duke protestuar para godinës së Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, i cili gjatë paradites nuk ka zhvilluar rregullisht mbledhjet e tij. Krerët e dy partive opozitës, Petro Koçi dhe Paskal Milo, u kanë bërë thirrje qytetarëve të mblidhen e të protestojnë para KQZ-së. “Jemi mbledhur sot këtu para KQZ për të protestuar. KQZ, për fat të keq, ka dëshmuar jo vetëm një herë, por shumë herë, që nuk përfaqëson shtetin e lirë, nuk përfaqëson shtetin ligjor. Ne jemi këtu për të mbrojtur si votën e lirë, ashtu edhe shtetin ligjor. E kemi detyrë morale si qytetarë të këtij vendi që duam të bashkohemi në familjen e madhe europiane, që të vijmë këtu të gjithë e të mbrojmë votën e lirë. U bëjmë thirrje të gjithë qytetarëve që të vijnë këtu, sepse kjo është një betejë e madhe, një betejë jo për një forcë politike, por për demokracinë dhe lirinë”, u shpreh kreu i PDS-së, Paskal Milo. Ndërsa kreu i PSV ’91, Petro Koçi, akuzoi KQZ-në për procesin e nisur. “Ju faleminderit nga zemra ambasadorëve të nderuar që janë akredituar pranë Republikës së Shqipërisë, të cilët të bashkuar deklaruan se kjo që po bëhet nuk parashikohet në kuadrin ligjor. Kjo që bën KQZ është e paligjshme. Ne jemi këtu për t’u thënë të gjithëve se në Shqipëri do të sundojë ligji. Jemi këtu për t’ju garantuar se vota e lirë, vota e fshehtë dhe se qytetarët kanë mandatuar Edi Ramën për të qeverisur Tiranën dhe PS e koalicionin  tonë për të administruar pjesën më të madhe të Shqipërisë”, u shpreh Koçi.
Deputeti i qarkut të Fierit, Pirro Lutaj, tha se “Sali Berisha dhe vartësit e tij e dinë mirë se ç’po bën qeni i lidhur tek stani që quhet Komisioni Qendror i Vjedhjeve. Prandaj ka sjellë këtu strukturat e Policisë së Shtetit të ligjshme dhe të paligjshme”. “Sali Berishës i ka hyrë lepuri në bark dhe kërkon me çdo kusht të mbrojë qenin e stanit, i cili po rrëzon votën e shqiptarëve. Të rezistojmë, të rezistojmë, të rezistojmë. Ne nuk jemi këtu për një mandat të Edi Ramës. Mandati i Edi Ramës është ligjëruar nga populli i Tiranës. Ne jemi këtu për të mbrojtur votën e lirë”, u shpreh Lutaj.

Klosi: Ligji nuk është “tokë e xanun”

Deputeti socialist, Blendi Klosi, kërkoi nga protestuesit që të rezistojnë e të mos lejojnë Berishën të kapë ligjin. “Ne duhet të jemi të gjithë bashkë për të arritur njëherë e mirë atë që 20 vjet më parë ishte shprehja që mbahej mend më mirë: Është tokë e xanun. E sot Sali Berisha përsëri thotë është tokë e xanun ligji, është tokë e xanun vota e lirë. Por, ne jemi kaq shumë dhe do t’u dëshmojmë të gjithë atyre që na votuan, të gjithë atyre që na ndjekin përditë, se ne jemi e vetmja rrugë, ne jemi e vetmja shpresë”, u shpreh Klosi.

Tahiri: Fitues vetëm Edi Rama
Deputeti socialist, Sajmir Tahiri, tha dje gjatë protestës se opozita nuk njeh fitues tjetër përveç Edi Ramës. “Nuk njohim asnjë fitues të falsifikuar me urdhër të Saliut. Lulzim Bashën e njohim humbësin më të madh të këtyre zgjedhjeve. Sali Berishën e njohim humbësin më të madh të këtyre zgjedhjeve. Ndërkohë, Ristanin e njohim si kriminelin elektoral që herët ose vonë do të paguajë një më një për çdo votë të vjedhur për rezultatin e Tiranës. Kjo histori nuk është as çështje ditësh, as çështje 10 votash. Kjo është një betejë e një populli të tërë kundrejt një pushteti, një bande të vogël brenda dyerve të Saliut dhe në oborrin e Saliut, të cilët kanë marrë peng Shqipërinë. Është detyra jonë përballë vendit, por edhe detyrë morale e secilit prej nesh të bëhemi barrikadë njerëzore, derisa Saliu të kuptojë se duhet t’i nënshtrohet përfundimisht vullnetit të popullit dhe duhet t’i nënshtrohet ligjit”, u shpreh Tahiri.

© Panorama.al

Te lidhura