Balla e Doshi: Gati të lëmë imunitetin. Të hetohet dhe Saliu

Jan 23, 2012 | 18:30

TIRANE- Deputetët e Partisë Socialiste janë shprehur të gatshëm të lënë imunitetin për t’i hapur rrugë hetimeve të prokurorisë, për të cilët ka dyshime se janë organizatorë të protestës së 21 janarit ku mbetën të vrarë 4 protestues.

Në një reagim për mediat deputeti i PS-së, Taulant Balla tha se ai që duhet të shkojë para gjyqit është Saliu dhe Basha. Sipas tij, është qesharake që të hetohet ai dhe jo Basha, apo të hetohet Besnik Baraj dhe jo Sali Berisha.

Balla në reagimin e tij pohon se PS është gati t’i heqë imunitetin çdo deputeti që kërkon akuza.

Tomo Doshi, një tjetër deputet për të cilin Prokuroria ka kërkuar heqje imuniteti, shprehu gadishmërinë e tij për tu vënë në dispozicion të Prokurorisë.

Në reagimin e tij, Doshi shprehet se ka qenë në protestë si deputet i PS-së, ka protestuar qetësisht madje ka kontribuar në qetësimin e protestuesve. Për këtë, sipas Doshit ka pamje filmike dhe gjithçka është transparente.

Më tej ai akuzon kryeministrin si urdhërues të vrasjeve. Zhvillimet e ditës, ai i quan një hap të madh për drejtësinë.

© Panorama.al

Te lidhura