Bala: Ja pse na duhet një sulmues

Dec 26, 2011 | 11:37

Tirana/ Sulmuesi nuk i druhet konkurrencës: Do të më rrisë edhe më shumë

Bekim Bala është golashënuesi më i mirë i Tiranës, teksa në 13 javë kampionat ai ka realizuar plot 8 gola. Për vetë lojtarin nuk janë shumë, mirëpo përpos kërkesave të tij, ai renditet i dyti në listën e goleadorëve. Mirëpo, përpos kësaj pjese, trajneri Hulian Rubio, pak ditë më parë pohoi nevojën për të afruar një tjetër sulmues në merkaton e janarit. “Nuk është hera e parë që e kam thënë se Tiranës i duhet një tjetër sulmues. Jemi vetëm dy dhe kaq besoj se janë pak, pasi një skuadër pretendente duhet të ketë edhe një stol të fuqishëm. Mendoj se drejtuesit dhe trajneri do të bëjnë zgjedhjet e duhura në këtë merkato, ndaj në janar do të jem shumë herë më mirë se tani dhe nuk do ta diskutojmë titullin. Sa i përket konkurrencës, është një term që nuk më shqetëson. E them këtë, sepse e kam provuar edhe më parë, me lojtarë me eksperiencë. Megjithatë, jam më se i bindur se rivaliteti do të më ndihmonte dhe do më motivonte. Unë jam i ri, ndaj kurrë nuk duhet të jem i kënaqur nga vetja”, – tha lojtari. Aktualisht Bala ndodhet me pushime pranë familjes së tij dhe kërkon që t’i shijojë në maksimum, megjithëse kërkon të jetë në koherencë me të rejat e fundit. “Mendoj se gjërat do të zgjidhen për mirë te Tirana. Unë e ndiej veten pjesë të bardhebluve, ndaj s’mund ta mendoj largimin. Ndonëse nuk mund të mohoj dëshirën që kam për të provuar një eksperiencë jashtë vendit”, tha Bala.

Bordi drejtues vendos sot të ardhmen
Ishte menduar se situata financiare do të zgjidhej para ditës së mërkurë, mirëpo një gjë e tillë nuk ndodhi. Pas ndeshjes me Kamzën te Tirana, dje janë shpërndarë rrogat, ndonëse jo aq sa pritej. Lojtarët u paguan nga ish-donatori Halili, i cili ka marrë përsipër likuidimin e lojtarëve. Në fakt, futbollistët kanë marrë vetëm gjysmën e pagës së prapambetur të muajit shtator, gjë që i ka mërzitur. Në të tilla kushte pritet që sot të ketë një tjetër mbledhje të bordit drejtues, në mënyrë që ky ngërç të zgjidhet para vitit të ri.

Fieraku Dimo bëhet çështje, pritet një përgjigje
Trajneri i Vllaznisë, Rudi Vata, u ka bërë të ditur drejtuesve kuqeblu se kërkon në skuadër kapitenin e Bylisit, Amarildo Dimo. Por, për këtë çështje fjalën e fundit duhet ta thotë kryebashkiaku i Shkodrës dhe presidenti i Vllaznisë, Lorenc Luka. Ky i fundit, në mungesë të trajnerit Vata, i cili është larguar për në Skoci te familja, pritet të diskutojë me futbollistin edhe pjesën financiare të kontratës, që është edhe një nga çështjet më thelbësore. Ndaj pritet ende që kjo tratativë të konfirmohet në ditët në vazhdim.

© Panorama.al

Te lidhura