TIRANË- Ministri i Shëndetësisë, Petrit Vasili ka deklaruar sot se në vendin tonë nuk ka asnjë rast të prekur me bakterin vrasës Esheria-Coli.
Deklarata është bërë sot në një konferencë për shtyp, pas alarmit që ka përfshirë Europën, lidhur me bakterin vdekjeprurës, që tashmë ka shënuar edhe viktima dhe shumë të infektuar.
Sipas Vasilit, pavarësisht situatës aktuale të pastër, të gjitha institucionet shëndetësore janë porositur që të operojnë si në një gjendje emergjence.
“Shqipëria nuk ka importe nga këto vende ku është shfaqur bakteri. Shqipëria është vendi më pak i rrezikuar por kjo nuk duhet të thotë të mos jemi vigjilencë në lidhje me këtë sëmundje” tha ai, duke shtuar se është shpejt për ta përkufizuar këtë sëmundje si një epidemi, por kjo nuk i bën të tepërta masat dhe gatishmërinë.
Ai apeloi për rritje të higjienës, për mbajte në gjendje të mirë të kuzhinës, për larje të kujdesshme të perimeve dhe ruajtjen e kushteve të higjienës vetjake, nisur që nga larja e shpeshtë e duarve.
Bakteri në fjalë ka shënuar 10 viktima në Gjermani, nga konsumi i trangujvetë importuar nga Spanja. Ai është përhapur në Suedi, Danimarkë, Britani, Holandë dhe Austri.
© Panorama.al











