
Asnjë gjurmë nga kapiteni i anijes-cisternë “Edirne”, që u fundos të dielën pas djegies në detin Adriatik, tri milje larg Porto- Romanos. Katër anije të policisë kufitare shqiptare dhe “Guardia di Financa” italiane kanë rinisur kërkimet që në orët e para të së hënës për kapitenin 54-vjeçar nga Azerbajxhani. Mjetet, në bordin e të cilave ndodhen edhe polumbarë të repartit RENEA, kanë kontrolluar përreth zonës ku ndodhi aksidenti, por deri më tani pa rezultat. Kapiteni Khajam Mamadov rezulton i zhdukur që nga ora 13:30 e së dielës, pak kohë pasi anija e tij kishte boshatisur tankerët në depozitat e hidrokarbureve në Porto-Romano dhe priste nga momenti në moment urdhrin për të bërë ngarkesën e radhës. Por gjithçka u shkatërrua, pasi anija “Edirne” u përfshi nga një zjarr tepër i fuqishëm, ku si pasojë dy marinarë humbën jetën, ndërsa kapiteni i saj rezulton i zhdukur. Megjithëse janë shuar të gjitha shpresat se kapiteni mund të jetë ende gjallë, ekipi i kërkim-shpëtimit vijon kontrollet si nga toka, ashtu edhe nga ajri për gjetjen e tij. Në operacionin e kërkimit po marrin pjesë mjete të policisë kufitare, 2 helikopterë dhe dy motovedeta, ndërsa grupit iu bashkuan edhe polumbarët e RENEA-s. Meqenëse anija është 26 metra thellë, polumbarët kanë mundur të hyjnë brenda saj për të kërkuar kapitenin, por kanë hasur vështirësi për shkak të rrymave detare të shumta në këtë zonë të detit. Ministria e Jashtme e Azerbajxhanit, me anë të Ambasadës së saj në Greqi, u është drejtuar me një kërkesë autoriteteve shqiptare për nisjen e hetimeve, që do të mund të zbulojnë shkaqet e vdekjes së shtetasit të tyre. Nga ana e saj, kapitaneria e Durrësit ka ngritur një grup hetimi, në përbërje të të cilit janë dhe inspektorë të mjedisit për të zbardhur ngjarjen. Mësohet se pala shqiptare do të kryejë hetimet për shpërthimin e më pas fundosjen e anijes, pasi ngjarja ndodhi në ujërat territoriale të vendit tonë. Paraprakisht deklarohet se ngjarja e rëndë erdhi si pasojë e një pakujdesie të ekuipazhit gjatë pastrimit të një prej depozitave të karburantit. Ndërkohë, 12 marinarët e anijes cisternë, të mbijetuar nga aksidenti fatal, ndodhen ende në spitalin e Durrësit, ku po mbahen nën trajnim mjekësor, deri në përmirësimin e gjendjes së tyre psikologjike. Anija me flamur të Sierra Leones kishte shkarkuar në portin e Romano-Port një sasi karburant prej 3500 tonësh. Por 3 milje larg bregut të Bisht Pallës, mjeti shpërtheu në flakë dhe u fundos brenda 15 minutash.
DURRES/ LEONIDHA MUSAJ











