Avokati kërkon pafajësi për Luan Hoxhën: Nuk shkeli ligjin

Nov 26, 2011 | 8:56

Luan Hoxha, ishshefi i Shtabit të Përgjithshëm, kërkoi dje pafajësi nga gjykata në lidhje me akuzat e ngritura ndaj tij në dosjen “Gërdeci”. Në seancën e djeshme gjyqësore, në ngarkim të të akuzuarve për shpërthimin e 15 marsit 2008 në Gërdec, gjykata u njoh me konkluzionet mbrojtëse të të pandehurit Hoxha. Nëpërmjet mbrojtësit të tij, avokatit Brahim Lahi, Hoxha argumentoi se në zbatimin e detyrave të tij si shef i Shtabit të Përgjithshëm kishte qenë korrekt dhe kishte zbatuar me rigorozitet çdo detyrim ligjor të tij. “Nuk ekziston asnjë element i shpërdorimit të detyrës së tij si shef i Shtabit të Përgjithshëm në hartimin e projekt-urdhrit 2044 apo gjatë zbatimit të tij”, tha avokati. Nga ana e saj, në seancën e pretencës prokuroria kërkoi dënimin e tij me 8 vjet burg. Në lidhje me pretendimin e Prokurorisë se përse i pandehuri Luan Hoxha ka qenë dakord me pikën 1 të urdhrit 2044, datë 7.12.2007, të Ministrisë së Mbrojtjes, për kalimin e municioneve MEICO-s, që përfshinte “municione të kalibrit jo të vogël, si dhe sasi të padala nga armatimi e përdorimi”, avokati tha dje se “Luan Hoxha as nuk është marrë me përpilimin e projekt-urdhrit, as nuk është ngarkuar me një detyrë nga ministri, por i është kërkuar vetëm mendimi i tij”. Avokati shfajësoi klientin e tij edhe për faktin që në Gërdec po demontohej në një kohë që nuk kishte licencim për këtë vend. “Gërdeci nuk u caktua si vend demontimi në urdhrin 2044, por që në fillim të këtij projekti, me urdhrin 550, urdhër i cili as nuk ka kaluar nëpërmjet shefit të Shtabit të Përgjithshëm dhe as nuk është marrë ndonjë mendim atij. Në kohën e përpilimit të urdhrit 2044, në Gërdec kishte filluar puna që më parë, duke u demontuar municionet e kalibrit 7.5-31.5 m/m. Shefi i Shtabit nuk kishte asnjë detyrim ligjor, të përcaktuar në ligj apo ndonjë akt të veçantë, që të merrte përsipër e të ngarkohej me detyrimin për të kontrolluar licencimin e vendit të demontimit”, tha avokati. Sipas mbrojtësit, këto duhet të verifikoheshin në procesin e lidhjes së kontratës, nëse SAC-Albademil kishte licencat përkatëse, lejet mjedisore, kushtet e sigurisë e pastaj të lidhej kontrata. “Këto nuk ishin detyra të shefit të Shtabit të Përgjithshëm, pasi ai nuk ka asnjë atribut për momentet e lidhjes se kontratave dhe as nuk është pjesë e tyre”, u shpreh avokati. Në lidhje me koston e transportit, apo shërbimet e tjera, referuar VKM-së nr.138, avokati tha se “shefi i Shtabit të Përgjithshëm nuk mund të përgjigjet se si është përcaktuar çmimi i municioneve për shitje, nëse në të është llogaritur kostoja e transportit apo shërbime të tjera. Ai nuk mund të përgjigjet nëse në çmimet e shitjes në kontrate në mes Meikos dhe SAC-Albdemil është përfshirë apo jo kostoja e transportit”.

© Panorama.al

Te lidhura