
“Lista, me partiakë të PS, unë i dija nga shoqëria civile”
Listës prej 33 kandidatësh të Partisë Socialiste për Avokatin e Popullit nuk i kanë munguar kritikat nga vetë kandidatët. Besim Ndregjoni, kryetar i Shoqatës së të Burgosurve Politikë, një nga emrat e afishuar si kandidat, i kontaktuar nga “Panorama”, u shpreh dje se ka mbetur i zhgënjyer nga lista dhe pse e kishte parë interesante iniciativën e Edi Ramës për të mos përfshirë persona politikë në këtë listë. Sipas tij, kjo listë është një zhgënjim. “Nuk kam aplikuar për Avokat të Popullit. Kam pyetur pranë komisionit të përzgjedhjes së kandidaturave, sepse më pëlqeu ideja e hedhur nga kryetari i PS-së, zoti Rama, për të mos pranuar kandidatura politike, por vetëm nga shoqëria civile, apo dhe kategori të tilla si ish-të përndjekurit politikë. Kur pashë listën e emrave që kishin aplikuar, kuptova se ajo që zoti Rama kishte deklaruar ishte një show politik. Në lista ka vetëm emra politikë nga Partia Socialiste dhe nuk gjeta asnjë emër nga shoqëria civile apo kategoria që unë përfaqësoj. Kjo më bëri që të mos e bëj aplikimin për Avokat të Popullit. Të them të drejtën, u zhgënjeva plotësisht, siç jam zhgënjyer në këta 20 vjet nga politika shqiptare”, u shpreh Besim Ndregjoni.
Ishte pakti kombëtar me 10 pika i kreut socialist Rama, në të cilin ai kishte përcaktuar një kandidat që të mos kishte milituar më parë në partitë politike për avokatin e popullit. “Të zgjedhim konsensualisht Avokatin e Popullit duke votuar bashkërisht për një figurë publike që nuk ka milituar në radhët e dy partive të mëdha”, ishte propozimi i kreut socialist në paktin e tij kombëtar. Por, një garë e hapur nuk mund të shmangë dhe figurat me begraund politik. Në listën me 33 kandidatë bien në sy këshilltarë politikë të ish-kryeministrit Fatos Nano, apo drejtorë të lartë politikë pranë ministrive. Por, duket se janë vendosur dhe emra që nuk kanë aplikuar për të qenë një nga pretendentët për Avokat të Popullit. Juristi i njohur, Gent Ibrahimi, u shpreh dje për “Panorama” se nuk ka aplikuar dhe se nuk ka shprehur interes për këtë post. “Nuk e dija se emri im do të përfshihej në këtë listë. Unë nuk kam shprehur interes për postin e Avokatit të Popullit dhe për këtë arsye nuk kam aplikuar. Emrin tim duhet ta kenë vënë PS nga dëshira për të qenë unë një nga kandidatët”, u shpreh Ibrahimi.
Maxhoranca prej kohësh i ka kërkuar Partisë Socialiste të propozojë kandidatin e saj për Avokatin e Popullit. Në mënyrë të përsëritur, Kryeministri Berisha që prej dy vjetësh ka kërkuar zgjedhjen e Avokatit të Popullit nga Partia Socialiste. Por, kandidatura që do të përzgjedhë selia rozë do të duhet të marrë dhe pëlqimin e Partisë Demokratike, për arsye se zgjedhja e tij kërkon 84 vota nga Parlamenti.
Avokati i Popullit, 33 emra në garë
Komisioni i PS nis seleksionimin, do mbeten vetëm 10 kandidatë
Partia Socialiste publikoi dje listën e emrave të kandidatëve që kërkojnë të marrin postin e Avokatit të Popullit. Sipas njoftimit të komisionit përzgjedhës, botuar në faqen online të Partisë Socialiste, në përfundim të afatit të depozitimit të kërkesave ishin 33 persona që kanë shprehur dëshirën për të qenë pjesë e garës. Faza e parë do të mbyllet sot në mesditë, përmes së cilës komisioni përzgjedhës do të bëjë shqyrtimin e dosjeve të paraqitura nga çdonjëri prej aplikantëve. “Në fund të shqyrtimit do të përzgjidhet një numër më i vogël kandidaturash që do të ftohen në dëgjesën publike të së hënës, datë 12 dhjetor 2011. Shpallja e emrave të përzgjedhur do të bëhet në përfundim të mbledhjes së komisionit përzgjedhës të enjten mbrëma, nëpërmjet faqes online të këtij konkursi”, thuhet në njoftimin të bërë publik nga komisioni përzgjedhës.
Faza tjetër e seleksionimit të kandidaturave do të jenë seanca e dëgjimit përpara komisionit. “Çdo kandidat apo kandidate do të dëgjohet për 15 minuta, gjatë të cilave do të paraqesë vizionin e vet për detyrën e Avokatit të Popullit. Për paraqitjen e tyre kandidatët mund të përdorin sipas dëshirës edhe në power point. Dhetë minuta të tjera do të jetë koha e pyetjeve nga ana e komisionit në funksion të shtjellimit të vizionit të paraqitur apo shpjegimeve të ndryshme që me gjasë do të nevojiten për procesin e përzgjedhjes”, thuhet në njoftimin e komisionit përzgjedhës. Komisioni i caktuar nga Grupi Parlamentar socialist, në përbërje të të cilit ka deputetë, anëtarë Kryesie dhe juristë të njohur, ka vendosur që dhe radha e kandidatëve për të zhvilluar dëgjesën të vendoset në mënyrë të rastësishme përmes shortit. “Renditja e kandidaturave për dëgjesën publike do të bëhet me short dhe shorti do të hidhet në prani të të gjithë të përzgjedhurve të hënën e ardhshme në orën 9:30, në mjediset e Universitetit Mesdhetar të Tiranës, ku edhe do të zhvillohet dëgjesa publike, duke nisur nga ora 10:00”, thuhet në njoftimin e komisionit. Si një procedurë që organizohet për herë të parë në partitë politike shqiptare, seancat e dëgjimit të kandidatëve do të jenë ta hapura për median, ndërkohë ato mund të ndiqen dhe online nga faqja zyrtare e Partisë Socialiste. Komisioni i përzgjedhjes së kandidaturave shprehet se me këtë proces PS synon të ndërtojë institucione realisht të pavarura. “Me vlerësimin dhe kujdesin më të madh për garantimin e këtij procesi që zhvillohet për herë të parë në vendin tonë nga një parti politike, si edhe me bindjen se suksesi i tij do të përbëjë një gur të rëndësishëm themeli në rrugën e ndërtimit të një modeli të ri qasjeje të politikës ndaj institucioneve të shtetit, ne u urojmë sukses të gjithë të interesuarve dhe e sigurojmë publikun shqiptar në vullnetin tonë për transformimin demokratik të jetës së vendit”, shprehet komisioni i përzgjedhjes së kandidaturave.
33 emra
kandidatësh për postin e Avokatit të Popullit janë regjistruar pranë komisionit përzgjedhës të ngritur pranë selisë rozë me deputetë dhe juristë
Etapat e përzgjedhjes së kandidatëve
1-Depozitimi i kërkesave të kandidatëve
2-Seleksionimi i kandidatëve përmes dokumentacionit nga komisioni përzgjedhës
3-Shpallen emrat e përzgjedhur
4-Kandidatët do të kalojnë në një seancë dëgjimi për 15 minuta para komisionit
5-Radha e kandidatëve që do të dëgjohen përcaktohet me short
6-Shpallet emri fitues nga komisioni përzgjedhës
Lista e aplikantëve për Avokatin e Popullit
1. Adrian Kasapi
2. Agron Çaushi
3. Agim Shima
4. Anton Lleshaj
5. Arben Spaho
6. Artur Lazebeu
7. Artur Çobani
8. Besim Ndregjoni
9. Besnik Dervishi
10. Bilal Kola
11. Blerta Kraja
12. Darjel Sina
13. Dëshira Subashi
14. Elidon Habilaj
15. Elisabeta Imeraj
16. Eni Çobani
17. Ermir Dobjani
18. Ermir Hajdini
19. Genci Terpo
20. Gent Ibrahimi
21. Gjet Kola
22. Kastriot Frashëri
23. Ksenofon Krisafi
24. Igli Totozani
25. Irvin Faniko
26. Mikel Gega
27. Nuredin Salati
28. Përparim Kabo
29. Qirjako Qirko
30. Rovena Voda
31. Sokol Hazizaj
32. Sotiraq Nushi
33. Sherif Hoxha
Kreu i PS komenton listën e kandidaturave
Rama në Twitter: Do ngremë shtetin e publikut, jo të partive
Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, përshëndeti garën në këtë parti për postin e Avokatit të Popullit. Në faqen e tij në rrjetin socialist “Twitter”, Rama shprehet se numri i madh i kandidaturave ka kaluar çdo parashikim. Sipas tij, në këtë mënyrë socialistët do të ngrenë shtetin e publikut, dhe jo atë partiak. “33 kandidatura për Avokat Populli, jashtë çdo parashikimi. Të hënën dëgjesa publike. Kështu do ngremë shtetin e publikut, jo të partive”, shkruan Rama në adresën e tij në Twitter. Në një nga mbledhjet e Grupit Parlamentar socialist, Rama njoftoi ngritjen e komisionit të përzgjedhjes së kandidaturave për Avokatin e Popullit. Kjo është hera e parë që një parti politike në Shqipëri organizon një konkurs të hapur ku kandidaturat ballafaqohen përmes CV-ve dhe vizionit që ato do të kenë për të ardhmen e drejtimit të institucionit kushtetues të Avokatit të Popullit.
ARISTIR LUMEZI
© Panorama.al











