
Partia Socialiste ka përmbyllur dje seancën dëgjimore me 12 kandidatët për postin e Avokatit të Popullit. Ky aktivitet ka zgjatur për më shumë se shtatë orë. Ka nisur në orën 10:00 të paradites dhe është përmbyllur në orën 17:00 të pasdites. Para Komisionit që do të përzgjedhë kandidatin e Avokatit të Popullit, janë paraqitur 12 kandidatët e seleksionuar nga gara e mëparshme, që në total arrinin shifrën e 33 kandidaturave. Pretendentët për postin e Avokatit të Popullit fillimisht i janë nënshtruar një shorti, nga ku është caktuar dhe radha e seancave dëgjimore. Çdo kandidat kishte në dispozicion 15 minuta kohë dhe më pas 10 minuta për t’iu nënshtruar pyetjeve nga komisioni. Kryetarja e komisionit të përzgjedhjes së kandidaturave tha se: “Komisioni do të përgatisë një raport të hollësishëm të plotë për 12 kandidaturat dhe do të shpallë kandidaturën fituese ditën e enjte, datë 15, ora 15:30”. Kandidati fitues do t’i paraqitet për votim Grupit Parlamentar të PS-së.
Vizitat
Kryesocialisti Edi Rama ka qëndruar në sallën e mbledhjes së kandidaturave deri në fund të seancës. Ai është paraqitur në ambientet e mbledhjes rreth orës 10:10 dhe është larguar rreth orës 17:10. Seanca dëgjimore me kandidatët për Avokatin e Popullit është vizituar dhe nga kreu i Delegacionit të Bashkimit Europian, Etore Sekui dhe nga ambasadori i Danimarkës, Ankjaer Jensen, sallë në të cilën ishin të pranishëm dhe shumë deputetë të Partisë Socialiste. Rreth orës 12:00, komisioni i përzgjedhjes së kandidaturave ka akorduar një pushim prej gjysmë ore. Kryesocialisti Rama dhe ambasadori i BE-së kanë dalë së bashku nga salla, ku i pyetur për mediat Rama ka refuzuar të japë deklarata politike, por i ka kaluar me një batutë pyetjet e gazetarëve. “Hapini rrugën Bashkimit Europian!”, tha kryesocialisti Rama, i cili shoqëroi deri në dalje ambasadorin Sekui.
Kandidatët
Kryesocialisti Rama ka vlerësuar 12 kandidaturat që iu nënshtruan procesit dëgjimor në ambientet e Universitetit Mesdhetar të Tiranës. Sipas Ramës, komisioni tashmë do të ketë një punë më të vështirë për të përzgjedhur kandidatin fitues, pasi sipas tij pati shumë figura dinjitoze në garë. “Ky proces do të kthehet në një gur themeli për shtetin e së nesërmes dhe nga kjo rrugë transparente të përsoset një model që ne mund t’u japim shqiptarëve nesër institucione të pavarura, dhe që janë shtetet dhe jo pushteti”, u shpreh Rama.
Ksenofon Kristafi
Kandidati Ksenofon Kristafi ishte i pari që hapi seancat dëgjimore. Gjatë fjalës së tij, ai tha se: “Shoqëria shqiptare është e sëmurë në një farë mënyrë dhe kjo sëmundje shfaqet në Gjyqësor dhe tek Avokati i Popullit. Nuk mund të pretendojmë se ardhja e një individi në krye të institucionit të Avokatit të Popullit, pavarësisht nga vlerat që ai ka, të ndryshojë situatën. Mendoj se në seanca të caktuara Ombusman-i i Shqipërisë mund të marrë pjesë në seancat gjyqësore jashtë vendit”.Besnik Dervishi
“Avokati i Popullit mund të vërë në lëvizje Gjykatën Kushtetuese, për të shfuqizuar aktet ligjore që bien ndesh me interesat e qytetarëve. Periudhën e fundit kam kryer një tërheqje nga jeta aktive politike, dhe kjo lidhet me një aspiratë për t’u kthyer në sistemin e Drejtësisë dhe institucioneve kushtetuese. Eksperiencën time në politikë do të doja ta vlerësonit si një kontribut shtesë, si një eksperiencë të dobishme në postin e Avokatit të Popullit”.Përparim Kabo
Kandidati Përparim Kabo ka zgjedhur një metodë të veçantë për të paraqitur aftësitë akademike. Ai ka prezantuar para komisionit botimet shkencore, të cilat sipas tij ndodhen në bibliotekat më të mëdha të botës. “Unë nuk kam frikë të bisedoj me njerëzit. Unë bisedoj dhe me një taksist. Shoferi i fundit që më solli këtu, quhej Jakob dhe unë shpjegova nga Bibla kush ishte Jakobi, pse Zoti i tha që ju jeni populli i trimave. Unë puthem me një rom dhe ai me thotë: jeni i vetmi i bardhë që më puth”, tha Kabo.Qirjako Qirko
Ish–diplomati Qirjako Qirko ka paraqitur vizionin e tij për riorganizim të strukturës së Avokatit të Popullit. Sipas tij, 75% e organikës së institucionit duhet të përbëhet nga juristë. “Mendoj se duhet ndryshuar raporti ndërmjet juristëve dhe sektorëve ndihmës, nga 50 me 50 që është sot, në 75 me 25,
gjithnjë në favor të juristëve. Gjithashtu është i domosdoshëm rishikimi i strukturës për eliminimin e drejtorëve pa vartës apo të sektorëve me një drejtor”, tha QirkoBilal Kola
I lindur në një kamp përqendrimi, Bilal Kola është shprehur se do të mbështesë të gjitha shtresat në nevojë. “Vizioni im për drejtësinë dhe institucionin e Avokatit të Popullit duhet të jetë ai i të qenët roje. Një qen, që të mos presë të ndërzehet nga padroni, por një qen që të lehë dhe të kafshojë sipas rastit në mocionin e tij, kur të jetë nevoja. Do ketë një ndarje proporcionale prioritetesh”.Igli Totozani
Kandidati Igli Totozani gjatë referimit ka vënë theksin te krijimi i një strukture kolegjiale, që do të ketë rol vendimmarrës në institucionin e Avokatit të Popullit. “Dialog dhe bashkëpunim më faktorët kombëtarë dhe ndërkombëtarë në fushën e veprimit të Avokatit të Popullit. Duke filluar nga Presidenti i Republikës, Këshilli i Ministrave, Parlamenti me të gjitha institucionet e shtetit shqiptar. Avokati i Popullit do të jetë një opozitë për qytetarët dhe jo politik”.Blerta Kraja
Avokatja e çështjes “Gërdeci” duket se është një ndër emrat favoritë për postin e Avokatit të Popullit. “Ky institucion duhet të luajë një rol nxitës në proceset gjyqësore të rëndësishme, siç është ai i Gërdecit, 21 janari, apo përmbytjet në Shkodër. Këto hetime të mos mbeten në mëshirë të gjykatës apo prokurorisë. Largimi nga puna i punonjësve të Bashkisë së Tiranës do të jetë në fokusin e punës sime si Avokate e Popullit”.Sokol Hazizaj
Ish-deputeti i Partisë Socialiste në kohën e Fatos Nanos, Sokol Hazizaj, ishte i fundit që paraqiti vizionin për postin e Avokatit të Popullit. Për mendimin tim, Avokati i Popullit nuk duhet të drejtohet një nga individ që rri gjithë kohën në zyrë. Vendi ka nevojë për një avokat që të dalë në terren dhe jo të presq vetëm në zyrë ankesat e qytetarëve. Ajo që unë synoj të realizoj, është ngritja e një agjencie për zgjidhjen e një sërë përplasjesh që has institucioni i Avokatit të Popullit”.Artur Lazerbeu
Drejtori i Kabinetit të Avokatit të Popullit Artur Lazerbeu, kërkoi nga komisioni i Partisë Socialiste t’i besonte këtë post si njohës dhe punonjës aktual. “Ligji organik i Avokatit të Popullit ka nevojë për përmirësime, të cilat unë i kam përgatitur si drejtor i Kabinetit të këtij institucioni ku punoj aktualisht. Avokati i Popullit duhet të këtë mungesë respekti për veten, në rast se do t’i bënte elozhe qeverisë”.Ermir Dobjani
Ish-Avokati i Popullit, Ermir Dobjani, mbajtës i këtij posti prej 2 mandatesh, ka kërkuar një tjetër votëbesim. Sipas tij, vetëm i zoti e di ku pikon çatia. “Unë nuk jam marrë ndonjëherë me politikë këto 20 vite, por zoti Edi Rama, me të drejtë, para disa ditësh deklaroi para të rinjve se: “Gjithsesi, nëse thoni se nuk merreni me politikë, ta dini se merret ajo me ju”. “Unë jam (kam qenë) Ombusman, por jo Supermen”.Dëshira Subashi
Nënkryetarja e KQZ-së, Dëshira Subashi, vuri theksin te strukturimi i organikës së institucionit të Avokatit të Popullit.
“Për mendimin tim, ky institucion luan rolin e një termometri për institucionet, i cili përcakton nëse je i shëndoshë apo i sëmurë. Zyra e Avokatit të Popullit duhet të bashkëpunojë ngushtësisht me administratën, për të zgjidhur të gjitha ato shkelje që dyshohen ndaj administratës”.Elisabeta Imeraj
Avokati i Popullit mund të tejçojë zërin nëpërmjet ligjit që vendos në dispozicion, çka do të mundësonte dhe sheshimin e problemeve. Bashkëpunimi i ngushtë me mediat përbën një tjetër mënyrë, me anë të së cilës ne mund të marrim rezultate. Unë aktualisht jam prokurore e Krimeve të Rënda dhe jam në kontakt të përditshëm me këtë sistem, në të cilin dhunohen të drejtat e individëve.
Lëvizjet e kreut të PS gjatë seancave dëgjimore
Rama shënon emrat e Krajës dhe Qirkos, skicon portretin e Subashit
Kreu i Partisë Socialiste gjatë zhvillimit të seancave dëgjimore për përzgjedhjen e kandidaturës së Avokatit të Popullit, ka bërë dhe përzgjedhjet e veta. Ra në sy fakti se kryesocialisti Rama ka shënuar emrat, që sipas tij përmbushin kriteret për të qenë kryetar i Avokatit të Popullit. Në bllokun e tij, nga 12 kandidatët, kryesocialisti Rama ka shënuar vetëm dy emra, atë të avokates Blerta Kraja dhe Qirjako Qirkos. Ndërkaq, qëndresa e gjatë në sallën e dëgjesave publike e ka kthyer Edi Ramën te dashuria për pikturën. Rama është parë të vizatojë kandidaten Dëshira Subashi, teksa ajo po referonte dhe po shpaloste vizionin e saj për institucionin e Avokatit të Popullit. Rama ka bërë dhe skica në bllokun e tij. Kreu i PS-së gjatë bisedës së lirë me gazetarët ka shprehur dilemat për kandidatët, që sipas tij, 5 prej tyre ishin fitues potencialë. Grupi Parlamentar do të votojë vetëm për një emër, që do t’i propozohet nga Komisioni i vlerësimit të kandidaturave, këtë udhëzim Rama ia ka referuar kryetares së Komisionit, Eglantina Gjermeni, gjatë pushimit. “Nuk dua të sillni në grup një listë me emra, por vetëm një emër, të cilin më pas ne do ta votojmë në grup”, është shprehur Rama.
FATION BINJAKU
© Panorama.al











