Avokati i kujt?

Dec 17, 2025 | 8:47

NGA RAFAEL FLOQI RAFAEL FLOQI

Në Shqipëri, titujt institucionalë zakonisht tingëllojnë më madhështorë se funksioni real që kryejnë. “Avokati i Popullit” është një prej tyre: një emër solemn që në teori duhet të mbrojë qytetarin nga pushteti, por që në praktikë e ka detyruar publikun të bëjë gjithmonë të njëjtën pyetje të pakëndshme: avokat i kujt, saktësisht? Zgjedhja e Endrit Shabanit në krye të këtij institucioni, me firma nga PD-ja dhe vota të sigurta nga PS-ja, nuk solli qetësi publike.

Përkundrazi, hapi një debat të fortë politik, sidomos pas akuzave të Adriatik Lapajt, i cili e përshkroi këtë emërim si një shpërblim politik për një rol të dyshimtë në sabotimin e një lëvizjeje opozitare. Sipas kësaj narrative, Shabani nuk është produkt konsensusi institucional, por pjesë e një skenari të ndërtuar me kujdes nga Edi Rama. Ndërkohë, për rreth dy muaj, opinioni publik u mbajt nën presion artificial me paralajmërime për “kriza të mëdha”: drejtësia nën sulm, Kuvendi në prag kolapsi, përplasje institucionale. PD-ja e Sali Berishës u përpoq ta kanalizonte debatin herë si viktimë, herë si shpëtimtare e vendit. Rezultati? Asnjë krizë. Asnjë përplasje. Vetëm një normalitet i rrallë për Shqipërinë – dhe një opozitë që mbeti sërish duke menaxhuar krizat e veta të brendshme. Skandali me firmat për Shabanin ishte kulmi i absurditetit.

Parlamenti ka 140 deputetë, por opozita, në mënyrë groteske, arriti të prodhojë 200 firma për kandidatë të ndryshëm për Avokatin e Popullit. Një matematikë politike, që do t’i kishte zili edhe surrealizmi. Sot Kuvendi voton. Mazhoranca thotë se i ka votat dhe se e zgjedh vetë kandidatin. Opozita shpik një tjetër “front lufte”, duke u kapur pas traditës se ky post “u takon atyre”. Në realitet, Avokati i Popullit në Shqipëri ka qenë më shumë një post honorifik sesa funksional. Një zyrë ku janë rregulluar më shumë karriera personale sesa halle qytetarësh. Fejtoni nuk jep verdikte gjyqësore, por shtron pyetje. Dhe pyetja kryesore është e thjeshtë: a do të jetë Endrit Shabani avokat i qytetarëve të pambrojtur, apo avokat i një pushteti që ka nevojë për qetësi institucionale? Lapaj pretendon se Rama e ka përdorur Shabanin si “njeri brenda”, për të neutralizuar një forcë politike që mori 64 mijë vota.

Një akuzë e rëndë, që prek thelbin e demokracisë: konkurrencën e ndershme dhe përfaqësimin real. Në këtë këndvështrim, zgjedhja e Shabanit duket më shumë si kurorëzim besnikërie sesa vlerësim pavarësie. Ironia politike është e pamëshirshme: një figurë që deri dje shfaqej kritike ndaj sistemit, sot ulet në një nga karriget që duhet ta kontrollojë po atë sistem. Kjo metamorfozë është arsyeja pse publiku dyshon. Sepse në një demokraci funksionale, Avokati i Popullit duhet të jetë i papërshtatshëm për pushtetin, jo i rehatshëm për kompromis. Protesta e Lapajt para Kryeministrisë, me çadra dhe net të ftohta dimri, e zhvendos debatin nga sallat e Kuvendit në rrugë. Ajo i flet një publiku të lodhur nga pazaret politike, por edhe skeptik ndaj çdo “figure shpëtimtare”. Ironikisht, kjo protestë e vendos Shabanin përballë provës së parë morale, pa nisur ende zyrtarisht punën: a do të reagojë

Avokati i Popullit ndaj një proteste qytetare që sfidon pushtetin, apo do të heshtë në emër të stabilitetit? Në një klimë tensioni institucional, ku edhe drejtësia ka nisur t’i dërgojë sinjale Kryeministrit për kufijtë e pushtetit, Avokati i Popullit nuk është noter ankesash. Është figurë kyçe në balancën e pushteteve. Nëse Shabani zgjedh të jetë vërtet Avokat i Popullit, do ta tregojë shpejt: duke u përballur me qeverinë, jo duke u fshehur pas procedurave. Nëse jo, dyshimet e sotme do të kthehen nesër në bindje të hidhura. Sepse në Shqipëri, institucionet nuk bien vetëm kur sulmohen. Bien edhe kur kapen nga kompromisi . Dhe Avokati i Popullit, nëse nuk është i popullit, rrezikon të mbetet thjesht avokati i radhës i pushtetit.

/Gazeta Panorama

© Panorama.al

Te lidhura