Avokatët e PS në Kolegj, shtyjnë “Rama-Berisha”

May 27, 2011 | 9:55

TIRANE – Shqyrtimi i ankimeve të Partisë Socialiste në Kolegjin Zgjedhor pranë Gjykatës së Apelit dështoi dje seancën gjyqësore në Gjykatën e Lartë, ku do të “përballej” kreu i opozitës, Edi Rama, me kreun e qeverisë, kryeministrin Sali Berisha. Shkak u bë zhvillimi në të njëjtën ditë i gjyqeve dhe angazhimi i avokatëve të kryesocialistit Rama, në seancat në Kolegjin Zgjedhor. Gjykata e Lartë shtyu për një datë të re seancën gjyqësore në lidhje me shqyrtimin e kërkesës së kreut të Partisë Socialiste mbi shfuqizimin e urdhrit të Prokurorisë së Përgjithshme për mosfillim të procedimit penal ndaj kreut të qeverisë, Sali Berisha, për akuzat e “shpifjes” dhe të “fyerjes”. Një Kolegj Penal, i kryesuar nga gjyqtarja Shpresa Beçaj, e konsideroi të arsyetuar mungesën e avokatëve të kreut të opozitës Rama dhe shtyu seancën. Në vijim, gjykata caktoi se seanca e radhës do të zhvillohet më 9 qershor. Në seancën e djeshme në Gjykatën e Lartë, ishte e pranishme vetëm përfaqësuesja ligjore e kreut të qeverisë, avokatja Erinda Ballanca. Në fillim të seancës, kryesuesja e saj relatoi para palëve një kërkesë për shtyrje të dy mbrojtësve ligjorë të Ramës, avokatëve Arjan Salahu dhe Agim Hysi. “Për shkak të përfaqësimit të Partisë Socialiste në Kolegjin Zgjedhor, nuk mund të marrim pjesë në seancën e sotme. Kërkojmë shtyrjen e seancës. Ju lutemi që mungesa jonë të konsiderohet e justifikuar”, pohonin avokatët në kërkesën e tyre dërguar gjykatës. Nga ana e saj, avokatja Ballanca kundërshtoi pretendimet e avokatëve Salahu e Hysi. “Kërkesa është e pabazuar. Gjykimi në Kolegj është në orën 13:00, fakt që dihet botërisht tashmë dhe jo në orën 10:00, kur është paracaktuar seanca gjyqësore në Gjykatën e Lartë. Kërkesa është e paarsyeshme”, pretendoi avokatja Ballanca. Ndërkohë, pas pak minutash në dhomën e këshillimit, Kolegji Penal vendosi shtyrjen e seancës.        ar.ba

© Panorama.al

Te lidhura