Avionët italianë patrullojnë Lazaratin

Jul 21, 2012 | 12:41

TIRANE – Përfundon faza e parë e identifikimit të parcelave me drogë në të gjithë vendin, falë patrullimit ajror të dy avionëve modernë italianë. Drejtori i Policisë së Shtetit, Hysni Burgaj, deklaroi dje se bazuar në teknologjinë e fundit arrihet që nëpërmjet rrezeve dhe ngjyrës të specifikohet nga lartësia vendndodhja e bimëve narkotike. Sipas Burgajt, të dhënat e marra nga avionët janë prova materiale në ngarkim të poseduesve të drogës. Gjatë patrullimit të djeshëm ka qenë i pranishëm dhe vetë kryepolici, i cili në zbritje deklaroi se këtë vit sipërfaqja e mbjellë me kanabis është më e vogël. Ai deklaroi se parë nga lart në Lazarat situata ka ndryshuar në krahasim me vitet e tjera. “Mund të konfirmoj që dhe kryetari i komunës së Lazaratit, ndryshe ndoshta dhe nga çdo vit tjetër, këtë vit ka dhënë një informacion të detajuar, duke shkuar së bashku me punonjësit e Policisë për të asgjësuar bimët në parcelat publike në Lazarat”, pohoi Burgaj.

© Panorama.al

Te lidhura