“Në Minsk kam pasur rastin të njihem me përfaqësuesen e Shqipërisë, Aurela Gaçen, me të cilën pata një afërsi të madhe. Ajo më pëlqeu tepër, por mendoj që unë i kam lënë 10 herë më tepër mbresa asaj”, këto ishin fjalët e përfaqësuesit të Maqedonisë në “Eurosong”, gjatë një konference shtypi, të mbajtur disa ditë para se të udhëtojë drejt Gjermanisë. Aurela dhe Vlatko kanë pasur rastin të njihen shumë mirë gjatë qëndrimit në Bjellorusi, ku kanë qenë së bashku mysafirë në disa emisione televizive, për të promovuar edhe këngët e tyre. “Ajo ishte një person shumë shpirtmirë, më ka lënë shumë mbresa edhe mua. Më ka premtuar se do të jetë krah i djathtë i ekipit tonë në Gjermani. Të njëjtën gjë ia kam premtuar edhe unë”, ka theksuar më tej Vllatko. Gjatë gjithë konferencës për shtyp, Vllatko ka qenë më tepër i disponuar kur fliste për përfaqësuesen tonë, Aurela Gaçe, duke thënë dhe në formë shakaje, se më tepër e ka pëlqyer ajo. Vllatko njëkohësisht, gjatë qëndrimit nëpër televizionet bjelloruse, ka bërë dhe disa gafa, pasi ka dashur të përshëndesë në gjuhën e tyre, por është keqkuptuar dhe është ngatërruar, duke bërë disa sharje. Nuk dihet nëse ndonjë gjë e ngjashme i ka ndodhur Aurelës.











