
Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga dhe një grup policësh të tjerë të ngritur në detyrë, duhet t’ia atribuojnë karrierën e tyre mes të tjerash, edhe një diplome ilegale. Një hetim i kryer nga njësia e Auditimit në Kosovë, ka zbuluar se në kualifikimin e Presidentes (në kohën kur ajo punonte në Polici) dhe zyrtarëve të tjerë të Policisë së Kosovës, janë bërë shkelje.
Zyrtarë policorë, përfshirë Presidenten, kanë marrë titullin “Specialist i Shkencave Kriminalistike” duke mos respektuar ligjin për arsimin. Auditimi dhe Inspektimi i brendshëm i Policisë së Kosovës, i cili nisi hetimet në vitin 2009, ka zbuluar se Jahjaga, gjatë kohës që ishte në Polici, dhe policët e tjerë, që sot janë ngritur në pozita të ndryshme në Policinë e Kosovës dhe karrierë falë këtyre diplomave ilegale, kanë dëmtuar edhe buxhetin e Kosovës me mijëra euro. Rezultati i Auditimit u publikua në gazetën “Zëri”. Sipas saj, pavarësisht se legjislacioni kosovar obligon çdo institucion të lartë arsimor në Kosovë që të licencohet dhe akreditohet për të zhvilluar veprimtarinë e tij, Universiteti i Sarajevës, nën emrin e të cilit pjesëtarët e Policisë së Kosovës kanë ndjekur programe magjistrature dhe studime specialistike, nuk e ka bërë këtë. Paligjshmërinë e ka konstatuar një hetim i iniciuar nga Njësia për Auditim dhe Inspektim i Policisë në janar 2009, sipas të cilit, pjesëtarët e Policisë së Kosovës kanë ndjekur dy trajnime sipas një marrëveshjeje të lidhur ndërmjet Policisë së Kosovës (atëherë SHPK) në vitin 2006, me Institutin për Kriminologji dhe Studime të Sigurisë të Fakultetit të Shkencave të Kriminalistikës të Universitetit të Sarajevës, me dekan Ramo Maslesa. Por ky institucion nuk ka pasur licencë, ndonëse ligji i vjetër “Për arsimin e lartë” në Kosovë, ka detyruar çdo bartës të arsimit të lartë në Kosovë të ketë një licencë për të kryer punën e tij. Shkeljet gjatë këtyre studimeve janë bërë disa herë. “Fakultetit të Kriminalistikës të AAB-së i është refuzuar licenca për të funksionuar për shkak të mungesës së pajisjeve dhe objektit adekuat”, thuhet në raport. Pos kësaj, çdo lëndë mësimore që zhvillohet në Prishtinë, është konstatuar se nuk është në harmoni me planin mësimor të këtij fakulteti. Kryetarja e Këshillit Kombëtar të Cilësisë në Agjencinë për Akreditim të Kosovës, Ferdije Zhushi-Etemi, ka thënë se e gjithë kjo veprimtari me Universitetin e Sarajevës ka qenë ilegale.
Shpërfillet Kuvendi
Ekzekutivi në Kosovë nuk do ta ndryshojë sjelljen ndaj raporteve ekonomike e politike me Serbinë, edhe pas miratimit të mocionit për reciprocitetin ndaj Serbisë. Kryeministri Hashim Thaçi ka thënë në një konferencë për media se Parlamenti është për të folur apo për t‘i dhënë komentet e veta. Por ai nuk i vlerësoi ato si obligime ndaj qeverisë. “Do të respektojmë në përpikëri axhendën që e kemi dhe do të vazhdojmë edhe në të ardhmen. Vendimet e qeverisë së Kosovës në raport me çdo shtet fqinj janë në fuqi, dhe do të vazhdojmë me axhendën e qeverisë”, është cituar Thaçi nga KD. Ndërkohë, Lëvizja “Vetëvendosje” planifikon të vazhdojë aksionet për rrokullisjen e kamionëve me mallra të importuara nga Serbia, në rast se qeveria nuk e zbaton mocionin e miratuar në Kuvend të mërkurën.
Tadiç: “Përmirësimi ekonomik zgjidh çështjen e Kosovës”
Presidenti serb, Boris Tadiç, vlerësoi si problemin më kryesor për vendin ekonominë. Ai kërkoi që të shmanget çdo lëvizje, e cila dërgon vendin në prapambetje, jostabilitet politik dhe trazira. “Me zgjidhje të fuqishme për ekonomi zgjidhet edhe çështja e Kosovës, dhe e kundërta, zgjidhja e çështjes së Kosovës nuk garanton dhe nuk mund të sigurojë zgjidhje të problemeve ekonomike në vend”, deklaroi Tadiç. Kreu serb tha edhe një herë se për Serbinë janë njëlloj të rëndësishme edhe BE-ja, edhe Kosova.











