Atentati ndaj policit, u pagua si hakmarrje për ekzekutimin policor në vitin 1998 në Vlorë

Dec 27, 2011 | 10:55
Makina e policit pas atentatit

Tiranë e Vlorë, shoqërohen 20 persona, dëshmitarë e të dyshuar.

Një person i paguar dyshohet se ka qëlluar me pistoletë ndaj oficerit të Policisë Rrugore, Naim Hyska, i cili u plagos me një plumb në kokë të shtunën pranë “21 Dhjetorit” në Tiranë. Sipas grupit hetimor, porosia për atentatin është dhënë nga Vlora dhe motivi ka qenë hakmarrja ndaj policit, për shkak të detyrës. Për këtë arsye, hetimet janë përqendruar në rrethin e Vlorës, nga është edhe origjina e efektivit 45-vjeçar, i cili ka punuar atje si pjesë e Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë, gjatë viteve 1996-1998. Policia e Tiranës tha dje se janë shoqëruar mbi 20 persona në dy qytetet ku po kryhet hetimi i përbashkët nga strukturat e Hetimit të Krimeve. Sipas hetuesve, personat e shoqëruar janë dëshmitarë dhe të dyshuar që kanë lidhje me autorët e mundshëm të atentatit, apo kanë dijeni për ngjarjen. Të njëjtat burime thanë dje se janë drejt zbardhjes së ngjarjes dhe shumë shpejt do të bëhet publik emri i autorit të dyshuar, megjithëse ai është porositësi i atentatit. Personi që ka shkrepur armën, dyshohet të jetë paguar nga i dyshuari, të cilit Policia ende nuk i ka publikuar emrin për arsye hetimi. Ndërsa nga dinamika e ngjarjes dyshohet se qëllimi ka qenë eliminimi i efektivit Naim Hyska, pavarësisht se ai ka arritur të mbijetojë, edhe pse në gjendje kome. Sipas grupit hetimor, fakti që 45-vjeçari është qëlluar në kokë dhe me një plumb të kalibrit 9 milimetër, do të thotë se autori ka pasur si qëllim vrasjen, edhe pse “dështoi” në realizmin e planit. Ndërsa veç pistës së parë të hetimit, për shkak të detyrës, tashmë hetimeve u është shtuar edhe një pistë e dytë, që lidhet me probleme personale që mund të ketë pasur efektivi Naim Hyska.
HETIMI I NGJARJES
Naim Hyska, efektiv i Policisë Rrugore të Tiranës, u qëllua mbrëmjen e së shtunës me plumb në kokë, në afërsi të banesës së tij, te kryqëzimi i “21 Dhjetorit” në Tiranë, kur po kthehej në shtëpi bashkë me djalin e tij 12-vjeçar. Autori i dyshuar i ngjarjes i kishte zënë pritë pranë banesës, në rrugicën që të çon te Njësia Bashkiake Nr.7 dhe e ka qëlluar 45-vjeçarin me një plumb të vetëm në kokë. Burime nga Policia e Tiranës thanë se përveç pistës që lidhet me detyrën e tij si efektiv i Forcave Speciale në Vlorë gjatë viteve 1996-1998, është shtuar edhe një pistë tjetër, që lidhet me çështjet personale. Hetimet për ngjarjen janë përqendruar kryesisht në pistën e parë, por duke mos lënë pa marrë në konsideratë edhe ndonjë incident të mundshëm që ai mund të ketë pasur në Tiranë. Personat që janë marrë në pyetje tri ditët e fundit, janë kolegët e 45-vjeçarit Hyska, me të cilët ai ka qenë në aksion 13 vjet më parë, kur mbeti i vrarë një person me precedentë penalë. Gjithashtu dëshmitarë, banorë të pallateve rreth vendit të ngjarjes në Tiranë. Ndërsa personat e shoqëruar për t’u marrë në pyetje nga Policia e Vlorës, janë miq dhe të afërm të personit që u vra në vitin 1998 gjatë aksionit të Policisë. Kolegët e Hyskës kanë deklaruar se gjatë kohës kur po kryhej aksioni në terren, mes viktimës dhe policisë ka pasur shkëmbim zjarri. Për këtë arsye, edhe policia është detyruar të qëllojë, pasi nuk bëhej fjalë vetëm për një person të armatosur dhe gjatë shkëmbimit të zjarrit, një prej tyre ka mbetur i vrarë.

I vrari nga policia në Vlorë në 1998
E.A janë inicialet e personit të vrarë nga policia në Vlorë në 1998. Ky person ka gjetur vdekjen në operacionin e policisë, ku bënte pjesë edhe efektivi Naim Hyska. Ai nuk ka pasur gjatë këtyre viteve konflikt të drejtpërdrejtë me familjarët e të vrarit nga policia në Vlorë, ndonëse pretendimet e të afërmve të viktimës kanë qenë prezente, tha Policia.

Pajisjet e vëzhgimit u morën nga bizneset në zonë
Dështon identifikimi i autorit, kamerat filmike s‘kanë imazhe
TIRANE – Një grup ekspertësh të Policisë së Tiranës verifikoi dje pamjet filmike të tri kamerave të sigurisë, që ndodheshin pranë vendit ku u plagos efektivi Naim Hyska. Mësohet se identifikimi i të dyshuarit nëpërmjet këtyre pamjeve nuk ka qenë i mundur, për shkak të errësirës dhe distancës nga vendi i ngjarjes. Gjatë këqyrjes së vendit të ngjarjes, menjëherë pas plagosjes së efektivit Naim Hyska, policia ka konstatuar se pranë vendit të atentatit ndodheshin 3 subjekte të pajisura me kamera sigurie. Grupi hetimor sekuestroi 3 kamera sigurie, në një kazino dhe dy dyqane që ndodheshin pranë rrugicës ku ndodhi plagosja e 45-vjeçarit Hyska. Verifikimi i pamjeve filmike u krye paraditen e djeshme nga një grup ekspertësh, për të marrë sa më shumë të dhëna rreth identitetit të personit. Por sipas Policisë, rrugica ku ka ndodhur ngjarja ka ndriçim të dobët dhe pamjet filmike nuk kanë qenë shumë të qarta, duke mos bërë të mundur as përcaktimin e të dhënave të përgjithshme rreth autorit dhe as drejtimin e lëvizjes së tij, para dhe pas ngjarjes. Të njëjtat burime thanë se kamerat nuk kishin fokusuar as ndonjë automjet të mundshëm që mund të ishte përdorur nga autori i krimit, duke bërë që të mos konsiderohen më provë për grupin hetimor. Tashmë “shpresat” e policisë varen tek dëshmitarët okularë, që mund të kenë parë momente nga ngjarja.

Prokuroria heton për “plagosje personale”

Prokuroria e Tiranës

Tirane – Dosja penale për plagosjen me armë të policit rrugor, Naim Hyska, është regjistruar në hetim në Prokurorinë e kryeqytetit si plagosje e thjeshtë. Procedimi penal është mbajtur në këtë Prokurori, pasi organi i akuzës ende nuk ka konkluduar se atentati me armë ka ardhur për shkak të detyrës. Nëse vlerësohet se plagosja e policit ka ndodhur për shkak të detyrës, atëherë dosja penale do të duhej t’i kalonte Prokurorisë së Krimeve të Rënda, që ka për kompetencë hetimin e ngjarjeve të tilla të ngjashme. Megjithatë, Prokuroria e Tiranës ka thënë se e ka mbajtur materialin hetimor të dosjes, pasi sipas saj, pista më e fortë është ajo e çështjeve personale dhe jo versioni i deklaruar deri më tani nga Policia e kryeqytetit, për detyrën. Prokuroria gjithsesi ka pohuar se nëse gjatë hetimeve do të dalin të dhëna bindëse që tregojnë se Naim Hyska është qëlluar për shkak të detyrës, atëherë dosja do t‘i kalojë menjëherë  Prokurorisë për Krime të Rënda. Prokuroria ka thënë gjithashtu se nuk përjashton nga hetimi asnjë pistë, përfshi goditjen me armë për shkaqe personale apo atentatin me armë për shkak të detyrës. Në hetim nga Prokuroria tashmë janë përfshirë shumë prova e fakte, duke nisur që nga çështjet e fundit të shqyrtuara nga oficeri në punën e tij pranë sallës operative të Policisë Rrugore e mandej duke vazhduar me tabulatet telefonike dhe dëshmitë e të afërmve për ndonjë konflikt apo mosmarrëveshje të mundshme që nuk ka të bëjë me detyrën. Në Pokurorinë e Tiranës është parë dje për disa orë edhe ish-shefi i qarkullimit rrugor të Tiranës, i larguar nga detyra pak muaj më parë, i cili ka qenë për një periudhë kohore titullar i oficerit të plagosur me armë. Ngjarja ndodhi të shtunën, kur efektivi i Policisë Rrugore u qëllua me armë në makinën e tij në prani të djalit 12-vjeçar.

ETLEVA DELIA

© Panorama.al

Te lidhura