Atentati ndaj Gilmando Danit, Shehaj: Tregoi sa e implikuar është Policia e Shtetit me krimin! Ministrja flet për suksese, alarm kombëtar

Nov 12, 2025 | 21:25

Atentati pranë aeroportit të Rinasit ditën e djeshme (11 nëntor), ku u ekzekutua Gilmando Dani dhe u plagos rëndë agjenti i AMP, Muçi Shaljani, tregoi edhe një herë se Policia e Shtetit është bërë njësh me krimin, mafia lëviz e mbrojtur prej saj, kurse ministrja e Brendshme flet për suksese, kur realiteti tregon të kundërtën.

atentati ne rinas gilmando dani muci shaljani

Kështu shprehet kryetari i Partisë Mundësia, deputeti Agron Shehaj, i cili reagimin e tij në rrjetin social Facebook, e shoqëron edhe me pamjet nga atentati vdekjeprurës ndja mikut të Emiljano Shullazit.

Ai e cilëson alarm kombëtar atentatin mafioz, që ndodh nën hundën e Policisë, e cila nuk reagon dhe ekzekutorët largohen të pashqetësuar me makinën e tyre.

“E njëjta polici për të cilën SPAK ka ngritur disa herë alarmin se i dekonspiron aksionet dhe ka ndihmuar personazhe nga bota e krimit dhe politikës të arratiset duke dështuar disa operacione arrestimesh. Në një vend normal, një atentat mafioz pranë Aeroportit do të ishte alarm kombëtar”, shprehet ligjvënësi.

Ai vë në dukje edhe faktin se si një agjent i AMP-së ndodhej në shoqërinë e eksponentit të krimit. Sipas Shehajt, kjo tregon qartë se Policia mbron krimin e organizuar.

Ai kritikoi edhe ministren e Brendshme, Albana Koçiu, e cila flet për suksese.

“Kur një bos krimi vritet në mes të ditës, i shoqëruar nga një Agjent i Mbrojtjes Policore i cili kthehet në ‘truprojën’ e kriminelit, kjo tregon qartazi se sa e implikuar është Policia e Shtetit me krimin. Ndërsa ministrja flet për suksese, realiteti është se mafia lëviz me mbrojtje nga policia. Shqipëria nuk do të jetë e sigurt derisa pushteti të ndahet nga krimi dhe drejtësia të mos ndalet te bandat, por të shkojë deri lart te politika që i mbron”, shkruan Shehaj.

© Panorama.al

Te lidhura