Atentat me bombë ndaj këngëtarit Labinot Tahiri

Jan 14, 2012 | 13:53

Lufta në kuadrin e konkurrencës mes këngëtarëve po merr zhvillime të reja dhe po bëhet shumë e rrezikshme. Përveç bokseve, sharjeve dhe ofendimeve, rivalët në mes tyre kanë filluar të përdorin edhe plumba e bomba. Në qytetin e Ferizajit, të mërkurën mbrëma ka ndodhur një ngjarje shumë dramatike, por pa pasoja në njerëz. Persona ende të panjohur për Policinë e Kosovës kanë vendosur bombë në makinën e këngëtarit kosovar, Labinot Tahiri. Në fakt, siç mësojmë, bomba ka qenë e vendosur në makinë që më herët, por ka shpërthyer pasi Labinoti është futur në shtëpi. Këngëtari, së bashku me familjen e tij, të ëmën, bashkëshorten dhe djalin Eltonin, ka qenë në një shëtitje jashtë qytetit që të bëjë furnizime për shtëpi, dhe diku rreth orës 22:00, në mbrëmjen e ditës së mërkurë, është kthyer në shtëpi. Vetëm 5 minuta pasi është futur brenda, bomba e vendosur në makinë ka shpërthyer, ku përveç dëmeve materiale, për fat të mirë nuk ka persona të lënduar. Ky mund të jetë një nga rastet e vetme që po ndodh në Kosovën e pasluftës ndaj një personi që nuk ka bërë sherre me askënd deri më tani. Raste dhe ndeshje fizike mes këngëtarëve ka pasur gjithmonë, por jo deri në këtë masë sa të cenohet edhe jeta e personave. Tashmë publikisht dihet që Labinot Tahiri është një nga këngëtarët më të kërkuar në Kosovë e diasporë, me shumë koncerte dhe bën pjesë në listën e këngëtarëve më të paguar, kështu që konkurrenca, rivaliteti dhe xhelozia profesionale mund të jetë shkak që ndaj tij është kryer atentati. Nga ajo që mësojmë, thuhet se Labinoti ka dyshuar në 2-3 persona, por pa dhënë detaje më shumë rreth rastit. Përndryshe, Labi njihet si person shumë human, si një nga këngëtarët që ka kontribuar më shumë me para e koncerte humanitare për përmbytjet e shkaktuara në Shkodër, kurse vitin e kaluar në Ferizaj ka ndërtuar dy shtëpi në ndihmë të familjeve në nevojë. Suksesi i fundit i këngëtarit kosovar ishte në duet me Flori Mumajesin, i titulluar ‘’S’të mbaj inat’’, që brenda një jave kishte arritur rekord klikimesh, mbi 700.000. Ndërsa nga ajo që shihet, Labin me sa duket dikush e urren deri në ekstrem.  ‘’Panorama plus’’ kontaktoi Policinë e Kosovës, ku morëm këtë përgjigje në lidhje me atentatin: ‘’Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm. Më 11.01.2012 raportohet se persona të panjohur kanë hedhur një mjet shpërthyes në veturën e një mashkulli K/Shqiptar, ku përpos dëmeve materiale nuk raportohet për të lënduar. Njësiti përkatës është duke punuar rreth rastit’’, thuhet në njoftimin e Policisë kosovare, dërguar në redaksi të gazetës “Panorama”.

© Panorama.al

Te lidhura