Policia e Shkodrës ka bërë një reagim zyrtar lidhur me arrestimin e xhaxhait të autorit të vrasjes së gjyqtarit Astrit Kalaja.
Gjovalin Shkambi u arrestua sot, pasi deklaroi në media se ai gjyqtar që do të dënojë nipin e tij, Elvis Shkambi do të ketë fatin e Astrit Kalasë.
“Ata që do të dënojnë atë do të përballen me të njëjtën gjë. Ata që do të dënojnë nipin do të përballen me plumba, sepse ka 13 vjet që i shkruajmë kryeministrit dhe gjithë qeverisë na i jepni pronën se e kemi blerë. Ai gjyqtari që do dënoj atë ka të njëjtën shpërblim, provat i dhamë”, tha Gjovalin Shkambi.
I pyetur nëse janë të penduar për krimin, ai tha: “Familjes së të ndjerit gjyqtar i kërkoj hallallin me kishë e xhami”.
Ai u shpreh se nuk i druhet hakmarrjes, duke kërcënuar sërish se “do ti hanë plumbat sic i hëngri Astrit Kalaja”.
“Në mënyrë absolute nuk i druhem hakmarrjes, kemi nisur luftën. Kur të dënojnë atë djalë, në sallë të gjyqit me plumba do të gjykohet. Se më ka prerë në besë shteti. Ia kam blerë shtetit. Nuk ka gjyqtar që e dënon. Do t’i hanë plumbat sikur i hëngri Astrit Kalaja!”.
Menjëherë pas deklaratave kërcënuese Policia e Shkodrës arrestoi 49-vjeçarin, Gjovalin Shkambi.
Uniformat blu informojnë se xhaxhai i Elvis Shkambit, Gjovalin Shkambi akuzohet për veprat penale “Kanosja e gjyqtarit” dhe “Kanosja për kryerjen e veprave me qëllime terroriste.”
Reagimi i policisë
Shkodër
Dha deklarata kanosëse, në media, kundrejt përfaqësuesve të sistemit gjyqësor, vihet në pranga 49-vjeçari.
Menjëherë pas deklaratave kanosëse të bëra në media nga shtetasi Gj. Sh., 49 vjeç, Sektori i Krimeve të Rënda, në bashkëpunim me shërbimet e Njësisë Rajonale të Antiterrorit Shkodër dhe me mbështetjen e shërbimeve të Forcës së Posaçme “Shqiponja” të DVP Shkodër, kapën dhe shoqëruan në Komisariat 49 vjeçarin.
Në vijim të veprimeve procedurale, të drejtuara nga Prokuroria e Shkodrës, u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit Gj. Sh., 49 vjeç, banues në Shkodër.
Materialet procedurale do t’i referohen Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Kanosja e gjyqtarit” dhe “Kanosja për kryerjen e veprave me qëllime terroriste.”
Ngjarja
Gjyqtari i Apelit, Astrit Kalaja u qëllua për vdekje në sallën e gjyqit pasditen e së hënës (6 tetor) pasi shpalli një vendim për një konflikt pronësie, në një ngjarje të paprecedentë që u shoqërua me tronditje dhe shqetësime për sigurinë e sistemit gjyqësor.
Sipas Policisë së Tiranës, autor i ngjarjes dyshohet se është Elvis Shkambi, 30 vjeç dhe palë në procesin gjyqësor. Shkambi ka plagosur gjithashtu kundërshtarët e tij në proces, babë e bir.
Në pranga deri më tani kanë rënë autori i ngjarjes, Elvis Shkambi, xhaxhai i tij Gjon Shkambi si dhe roja i sigurisë së Gjykatës së Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm.
Kalaja u shoqërua në spital, po pa mundur të mbijetojë. Dy të plagosurit, atë e bir, gjenden nën kujdesin e mjekëve, jashtë rrezikut për jetën.
Hetimi për vrasjen e gjyqtarit Kalaja po kryhet nga Prokuroria e Posaçme, e cila po verifikon arsyet e dështimit të masave të sigurisë në ambientet e Gjykatës së Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm.
Si hyri në gjykatë me armë autori i dyshuar
Sipas hetimeve, në orën 13:42 të ditës së ngjarjes, Elvis Shkambi mbërriti në ambientet e Gjykatës së Apelit së bashku me xhaxhain e tij, Gjon Shkambi. Të dy kaluan nëpër pajisjen e skanimit në hyrje, e cila sinjalizoi prezencën e metaleve. Më konkretisht, pajisja ndezi dritat e kuqe, duke paralajmëruar për objekt metalik, me shumë gjasë armën e zjarrit që Elvis Shkambi mbante në brez.
Megjithatë, punonjësi i sigurisë në detyrë, Banush Koxhaj, nuk ndërmori asnjë veprim kontrolli, duke qëndruar i ulur në vendin e tij dhe duke mos ushtruar kontroll fizik ndaj personave apo t’i regjistronte në librin e hyrje-daljeve, siç e parashikon protokolli i sigurisë.
Pas hyrjes në ambientet e brendshme të gjykatës, Elvis Shkambi dhe Gjon Shkambi qëndruan për rreth dy orë në hollin e pritjes së publikut, pa ngjallur dyshime.
“Të dy këta shtetas, Elvis Shkambi dhe Gjon Shkambi qëndrojnë në hollin e pritjes së Gjykatës deri rreth orës 15:29, dhe më pas futen në ambientet e sallës së zhvillimit të seancës gjyqësore (salla nr. 3). Në orën 15:35, palët ngrihen në këmbë dhe, menjëherë pasi gjyqtari Astrit Kalaja shpall vendimin, shtetasi Elvis Shkambi , që ndodhej në sallë, nxjerr nga brezi një armë zjarri pistoletë dhe qëllon disa herë në drejtim të gjyqtarit Astrit Kalaja, i cili, si pasojë e dëmtimeve të marra dhe pas ndihmës së parë mjekësore, ka ndërruar jetë gjatë transportit për në spital”, njofton Policia.
Momentet para vrasjes, nga seanca gjyqësore në atentat
Rreth orës 15:29, të dy u futën në sallën nr. 3 ku po zhvillohej seanca gjyqësore me objekt “Kundërshtimi i veprimeve përmbarimore”, në të cilën palë ishin Ragip Kurtaj dhe djali i tij Ervis Kurtaj, ndërsa pala e paditur ishte përmbaruesi T. M. dhe të tretë shtetasit Gjon Shkambi dhe Elvis Shkambi,
Në orën 15:35, menjëherë pasi gjyqtari Astrit Kalaja. shpalli vendimin, Elvis Shkambi nxori nga brezi armën e zjarrit dhe qëlloi disa herë në drejtim të gjyqtarit, duke e lënë të plagosur rëndë. Gjyqtari ndërroi jetë gjatë transportit për në spital.
Pas vrasjes, autori qëlloi edhe drejt palës paditëse Ragip Kurtaj dhe djalit të tij, duke i plagosur të dy, por pa rrezik për jetën.
Dorëzimi i armës dhe arrestimi
Pas të shtënave, autori doli nga salla e gjyqit dhe dorëzoi armën tek një punonjës gjyqësor që ndodhej në një sallë tjetër. Më pas, doli në oborrin e gjykatës ku u neutralizua dhe arrestua menjëherë nga forcat e policisë që kishin mbërritur në vendngjarje.
Hetimet zbuluan se xhaxhai i autorit, Gjon Shkambi nuk tentoi në asnjë moment të ndalonte krimin dhe dyshohet se ka pasur dijeni për planin, duke u konsideruar si shtytës ose ndihmës në vrasje.
Ndërkohë, punonjësi i sigurisë, Banush Koxhaj, po hetohet për shpërdorim detyre, pasi lejoi hyrjen e autorit të armatosur në ambientet e gjykatës, duke mos ndërhyrë edhe pasi pajisja e skanimit dha sinjal alarmi.
Akuzat
Elvis Shkambi 30 vjeç, si i dyshuar për veprat penale të “Vrasja e funksionarëve publikë” e kryer në bashkëpunim, “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese kundër dy ose më shumë personave” e mbetur në tentativë dhe e kryer në bashkëpunim, dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”;
Gjon Shkambi 56 vjeç, si i dyshuar për veprat penale të “Vrasja e funksionarëve publikë” e kryer në bashkëpunim dhe “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese kundër dy ose më shumë personave” e mbetur në tentativë dhe e kryer në bashkëpunim;
Banush Koxhaj 63 vjeç, si i dyshuar për veprën penale të “Shpërdorimit të detyrës”;
Njoftimi i Policisë- Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë
Përmbyllen veprimet hetimore lidhur me ngjarjen e ndodhur më datë 06.10.2025, ku rreth orës 15:35, u vra me armë zjarri gjyqtari A. K., nga shtetasi E. Sh., brenda ambienteve të Gjykatës së Apelit, Tiranë, zbardhet i plotë mekanizmi i vrasjes.
Së bashku me autorin e vënë menjëherë në pranga pas ngjarjes, arrestohen edhe shtetasit G. Sh. dhe B. K.
Më datë 06.10.2025, rreth orës 15:38, është marrë njoftim në sallën operative të Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë se në ambientet e brendshme të Gjykatës së Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë është qëlluar me armë zjarri gjyqtari A. K., i cili po zhvillonte seancë gjyqësore me objekt “Kundërshtimin e veprimeve përmbarimore”, me palë paditëse shtetasin R. K, i shoqëruar nga djali i tij E. K., si dhe palë të paditur përmbaruesi gjyqësor T. M., Zyra Përmbarimore Shkodër, dhe palë të treta shtetasin G. Sh, i shoqëruar nga nipi i tij E. Sh.
Menjëherë pas marrjes së njoftimit, shërbime të shumta policie kanë mbërritur në vendngjarje duke marrë masa për shoqërimin e autorit si dhe të gjithë shtetasve të dyshuar ose që kishin dijeni për ngjarjen.
Njëkohësisht, grupi hetimor i përbërë nga oficerë të Policisë Gjyqësore dhe ekspertë kriminalistë, nën drejtimin e Prokurorisë, kanë vijuar me veprimet hetimore si këqyrja e vendit të ngjarjes, administrimi dhe këqyrja paraprake e pamjeve filmike, marrja e deklarimeve nga dëshmitarët duke bërë të mundur zbardhjen dhe dokumentimin e plotë të dinamikës së kësaj ngjarjeje, si më poshtë:
Në orën 13:42, në ambientet e sallës së pritjes për publikun të Gjykatës janë futur dhe kanë kaluar nga pajisja skaner (detektor), njëri pas tjetrit, shtetasit E. Sh. dhe G. Sh. Në ekranin e detektorit është sinjalizuar prezenca e metaleve duke ndezur dritat e kuqe, por shtetasi B. K., me detyrë punonjës sigurie pranë Gjykatës së Apelit Tiranë, ka qëndruar i ulur në karrige dhe nuk ka kryer asnjë veprim për kontrollin fizik të këtyre shtetasve apo regjistrimin e tyre në librin e protokollit, ku duhet të evidentohen të gjithë personat që hyjnë dhe dalin nga ambientet e Gjykatës.
Të dy këta shtetas, E. Sh. dhe G. Sh., qëndrojnë në hollin e pritjes së Gjykatës deri rreth orës 15:29, dhe më pas futen në ambientet e sallës së zhvillimit të seancës gjyqësore (salla nr. 3). Në orën 15:35, palët ngrihen në këmbë dhe, menjëherë pasi gjyqtari A. K. shpall vendimin, shtetasi E. Sh., që ndodhej në sallë, nxjerr nga brezi një armë zjarri pistoletë dhe qëllon disa herë në drejtim të gjyqtarit A. K., i cili, si pasojë e dëmtimeve të marra dhe pas ndihmës së parë mjekësore, ka ndërruar jetë gjatë transportit për në spital.
Njëkohësisht, pas këtij veprimi, shtetasi E. Sh. i drejton pistoletën dhe qëllon një herë në drejtim të shtetasve R. K. dhe E. K., duke i plagosur të dy, të cilët aktualisht ndodhen në spital jashtë rrezikut për jetën.
Gjithashtu, nga hetimet ka rezultuar se shtetasi G. Sh. nuk ndërmerr asnjë veprim për të ndërprerë veprimet kriminale të nipit të tij, çka krijon dyshimin e arsyeshëm se ai ka qenë në dijeni të planit për ekzekutimin e gjyqtarit të çështjes, në rolin e shtytësit dhe/ose ndihmësit.
Pas ngjarjes, shtetasi E. Sh. ka dalë nga salla dhe i ka dorëzuar armën shtetasit B. P., me detyrë nëpunës gjyqësor, për mbikëqyrjen dhe mbarëvajtjen e proceseve gjyqësore, në një tjetër sallë. Autori E. Sh., pas daljes në oborr, është neutralizuar dhe prangosur menjëherë nga punonjësit e Policisë.
Në përfundim të të gjitha veprimeve proceduriale, u bë arrestimi në flagrancë sipas veprave penale si më poshtë:
• E. Sh., 30 vjeç, si i dyshuar për veprat penale të “Vrasja e funksionarëve publikë” e kryer në bashkëpunim, “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese kundër dy ose më shumë personave” e mbetur në tentativë dhe e kryer në bashkëpunim, dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”;
• G. Sh., 56 vjeç, si i dyshuar për veprat penale të “Vrasja e funksionarëve publikë” e kryer në bashkëpunim dhe “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese kundër dy ose më shumë personave” e mbetur në tentativë dhe e kryer në bashkëpunim;
• B. K., 63 vjeç, si i dyshuar për veprën penale të “Shpërdorimit të detyrës”;
Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan një armë zjarri pistoletë me tre fishekë, e përdorur nga autori, si dhe prova të tjera materiale të gjetura gjatë këqyrjes së vendit të ngjarjes, që i shërbejnë dokumentimit të kësaj ngjarjeje.
Materialet iu referuan Prokurorisë për veprime të mëtejshme.
© Panorama.al











