
Përfaqësuesja e Lar-të e Bashkimit Europian për Politikën e Jashtme dhe Çështjet e Sigurisë, njëkohësisht zëvendës-presidente e Komisionit Europian, Katerin Ashton, reagoi dje në lidhje me situatën paszgjedhore në Shqipëri.Në një deklaratë zyrtare, Ashton tha se të dyja palët duhet të gjejnë një zgjidhje për situatën e rezultatit të ngushtë në Tiranë. Sipas numrit 1 të Diplomacisë europiane, palët në Shqipëri duhet të mbajnë përgjegjësi dhe nuk duhet të vendosin në rrezik jetën e qytetarëve shqiptarë. Ashton deklaron se zgjidhja mund të vijë vetëm nga institucionet aktuale dhe brenda kuadrit ligjor që ka Shqipëria. “Unë u bëj thirrje të gjithë udhëheqësve politikë në Shqipëri dhe në qytetin e Tiranës, të mbështesin përmbylljen e procesit zgjedhor në mënyrë paqësore, konstruktive dhe me vështrim nga e ardhmja. Kjo duhet bërë brenda institucioneve ekzistuese dhe kuadrit ligjor, rregullave dhe praktikave ekzistuese. Të gjithë udhëheqësit politikë mbajnë përgjegjësinë e veçantë e të mosvënies së jetës së qytetarëve në rrezik”, deklaron Ashton. Në të njëjtën deklaratë, Ashton shprehet se zhvillimet e ditës së sotme treguan brishtësinë e situatës politike në Shqipëri. “Në vijim të votimit më 8 maj, ne kemi vëzhguar numërimin e votave dhe kemi pritur shpalljen e rezultateve zyrtare përpara se të bëjmë një vlerësim përfundimtar. Rezultati i ngushtë në zgjedhjet bashkiake në Tiranë do të thotë që të dyja palët duhet të komunikojnë, të kapërcejnë ndryshimet dhe të gjejnë zgjidhje. Zhvillimet e sotme treguan brishtësinë e situatës politike”, tha Ashton. Ndërkaq, mësohet nga disa agjenci të ndryshme lajmesh se Presidenti i Komisionit Europian, Hoze Manuel Barroso, ka anuluar vizitën në Shqipëri. Sipas tyre, anulimi i kësaj vizite ka ardhur për shkak të situatës jo të mirë postzgjedhore në Shqipëri, ndërsa edhe deklarata e Ashtosh, shihet si pararojë për anulimin e kësaj vizite.











