Ashton, në Prishtinë, Kosova i paraqet tri kërkesa

May 27, 2011 | 9:47

Autoritetet kosovare kanë në plan t’i parashtrojnë tri kërkesa baroneshës Catherine Ashton, ne viziten e saj te sotme në Prishtinë. Ato lidhen me afrimin e Kosovës me Bashkimin Evropian dhe konkrertisht: “përshpejtimi i liberalizimit të vizave, hyrja në marrëdhëniet kontraktuale me BE-në dhe të përshpejtohet statusi i kandidatit për Kosovën, përmes planeve mbështetëse që BE-ja do të duhej t’i jepte Kosovës si një vend që pa fajin e tij është vonuar në shumë çështje ”.

Deklarata eshte bere nga zëvendëskryeministrja Edita Tahiri.  Ashton, përfaqësuese e lartë e BE-së për Punë të Jashtme dhe Politika të Sigurisë, si edhe nënkryetare e Komisionit Evropian, do të vizitojë Kosovën, pas qëndrimit njëditor paraprak në Serbi. Ajo do të ndodhet në Prishtinë vetëm një javë pasi vizitë Kosovës i bëri presidenti i Komisionit Evropian, Jose Manuel Barroso, dhe komisionari për Zgjerim, Stefan Fule.

Baronesha Ashton takimet do t’i nisë në orën 09.20, kur do të pritet në Qeveri nga kryeministri Hashim Thaçi. Pos me kreun e Qeverisë, do të realizojë takime edhe me zëvendëskryeministren Edita Tahiri, me ministrin e Punëve të Jashtme, Enver Hoxhaj, dhe me ministren e Integrimeve Evropiane, Vlora Çitaku.

Në orën 10.20 do të jetë për vizitë në misionin evropian për sundimin e ligjit, EULEX, ndërsa në orët e drekës do të gjendet në Prizren. Këtë qytet jugor të Kosovës Ashton dhe Thaçi e kanë përzgjedhur si vend ku do të flasin para mediave dhe ku gazetarëve do t’u jepet mundësia për të bërë pyetje, ngaqë nuk do të ketë prononcime pas takimeve që do të zhvillohen në zyrat e institucioneve.
Baronesha Ashton, edhe në Prishtinë, sikurse në Beograd, do t’ua “konfirmojë përkushtimin e BE-së për perspektivën evropiane edhe Serbisë, edhe Kosovës”. Po kështu, do ta mbështesë dialogun ndërmjet Prishtinës e Beogradit, si veprim me rëndësi themelore për mënjanimin e pengesave në rrugën drejt BE-së, thuhet në komunikatën e kabinetit të saj në Bruksel.
Ajo do të sjellë edhe mesazhin se bashkëpunimi rajonal është fondamental për këtë perspektivë evropiane.

“Ne dëshirojmë që të gjenden zgjidhje praktike që mund të përmirësojnë jetën e përditshme të njerëzve të zakonshëm”, theksohet në komunikatën e shefes së Politikës së Jashtme Evropiane. “Njëherësh jemi të gatshëm të ndihmojmë edhe Serbinë, edhe Kosovën që të bëjnë përparim”.
Këtë vizitë zëvendëskryeministrja Tahiri e ka konsideruar të rëndësisë së veçantë, siç ka thënë, për forcimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe BE-së. Pritjet e saj janë që të marrë siguri nga mysafirja nga Brukseli për ardhmërinë evropiane të Kosovës.
Ajo ka thënë se do t’ia shprehë kryediplomates së BE-së përkushtimin për të plotësuar të gjitha kriteret e Kopenhagës, si dhe do të theksojë se angazhimi i Kosovës për dialogun teknik me Serbinë është një angazhim me shumë objektiva të qarta, që ndërlidhen me përparimet ekonomiko-shoqërore të jetës së qytetarëve, e po ashtu edhe me kriteret e Kopenhagës për fqinjësinë e mirë dhe bashkëpunimin rajonal.

Tahiri, që drejton delegacionin e Kosovës në dialogun teknik me Serbinë, ka vlerësuar se vizita e baroneshës Ashton do të përbëjë një shtytës për përparimin në arritje të marrëveshjeve për çështjet e hapura.
“Procesi i bisedimeve në kuadër të dialogut teknik ka shënuar avancime substanciale dhe jemi shumë afër marrëveshjeve për disa çështje, siç është çështja e lëvizjes së lirë, çështja e tregtisë së lirë, çështja e energjisë. Po ashtu ka mjaft përparime për çështjen e telekomunikacionit, si dhe për çështje tjera të hapura”, ka thënë Tahiri. “Kjo vizitë dhe takimet e zonjës Ashton gjatë vizitës në Prishtinë dhe Beograd, pa dyshim se janë një shtytje e re për dinamizmin e procesit dhe arritjes së marrëveshjes sa më shpejt”.
Ditën kur Ashton ka qëndruar në Beograd, Serbia ka arrestuar të kërkuarin e Tribunalit të Hagës, Ratko Mladiq. Brukseli zyrtar e ka vlerësuar menjëherë këtë si një hap para të shtetit serb drejt integrimit në BE.

Zëvendëskryeministrja Tahiri ka thënë se edhe Kosova ka dëshmi për Brukselin, që dëshmon përkushtimin për integrim.
“Angazhimi ynë i përkushtuar për plotësimin e standardeve në kuadër të obligimeve që kanë dalë nga Raporti i Progresit 2010 është shumë i madh dhe do të jemi në gjendje t’i plotësojmë të gjitha ato kërkesa për këtë episod. Ndërkohë që angazhimi ynë shumë serioz në kuadër të dialogut teknik, i cili tashmë është vlerësuar nga diplomacia perëndimore, si një angazhim i orientuar drejt zgjidhjeve, do të jetë një vlerë e shtuar drejt përparimeve”, ka thënë ajo. “Ne e kemi të qartë se, për të përparuar drejt BE-së, dialogu plus standardet që kërkohen nga Raporti i Progresit janë obligimet tona”.

(Koha Ditore)

© Panorama.al

Te lidhura