Nga një lartësi mbizotëruese shpirtërore shoh poshtë tokën (ose qytetin tim) ngjyrë ndryshku, dhe mbi të, njerëzit. Shiko si rrinë, janë shtrirë mbi të dhe flenë. Sa të pafajshëm që duken! Janë ngjeshur me ndërtime pranë njëri-tjetrit që të ndihen më ngrohtë, apo ndoshta që të ndihen më të fortë. Të mjerët, mashtrojnë veten. Mbuloja e CO2 u rri përsipër, si një saç asgjësues qiellor. Uuu…, ja ku është edhe shtëpiza ime, familja ime, aty më tej, miqtë dhe të njohurit e mi, ja ku jam edhe unë, të gjithë aty. Medet, të gjithë jemi të pashpresë! Bo bo, të gjithë flenë. T’i zgjoj, t’i flas?! Jo, se gjynah, po flenë. Jo, jo do t’u flas, me autoritetin e dashurisë që kam për jetën, që kam për njerëzit.
Pse të druaj! As s’akuzoj, as miratoj, veçse përpiqem të tregoj shkatërrimin që po përgatisim për vete dhe për brezat që do të vijnë. Por, marrja apo mosmarrja parasysh e vlerës së një paralajmërimi nuk cenon aspak peshën e mesazhit që mundohem të jap. Kur flas, më shumë se të tashmes, i drejtohem të ardhmes. Sepse e ardhmja s’ka komplekse, dhe as lidhje me të kaluarën. E kaluara është nostalgjia, është fryma e vjetër me interesat dhe lidhjet që ka, kurse e ardhmja veç “prindërve” dhe ndonjë “çupe” nuk e lidh asgjë me të kaluarën. Ato, veç ca ëndërrimeve, shkollës dhe dashuriçkave, nuk zotërojnë asgjë. E ardhmja është shumë e lidhur me shpresën. Flas pareshtur, se dua t’ju zgjoj atë pavetëdijen që ju është përgjumur, se kur asgjë të mund mos ndreqet më, s’dua që përpjekja t’i ngjajë një epilogu patetik pa vlera korrigjuese.
Ne, vërtet jemi krijesa të kësaj toke, por kështu si po sillemi me të, po e shpejtojmë gllabërimin që do të na bëjë përgjithmonë. Pa e kuptuar, ne po kthehemi mijëra vjet mbrapa. Mosreagimi po na mpin edhe instinktet e vetëmbrojtjes, që janë më të para sesa vetëdija. Instinkti është shumë më i shpejtë dhe më i pagabueshëm se arsyeja e kultivuar. Kjo aksiomë është pa shpjegim. Pra, rrezikojmë të mos jemi as binomi njerëz-bisha. Me kujë duhet thirrur deri në qiell, pranë këtij shtrati (CO2) dhe duhet thënë: Po ata janë ende shkollorë, ata nuk duan të vdesin, mos i lini të vdesin! Po vazhduam kështu, ne s’jemi më njerëz. Ne po arratisemi nga vetvetja, nga jeta jonë. Ne jemi goditur mu në zemër. Do të vijë dita që do të na “kujtohen” pamje që i kemi humbur, ato hapësira klorofili e kaltërsie, tani të paarritshme (Mos janë atje në ato “zona”, edhe vitet e jetëve tona?). Të kuptohemi, po flasim për atë që quhet: një copëz Atdhe. Po pse harrojmë, o njerëz, që ne jemi shkëndijëza jete për këtë vend?!
Rrimë e presim, të futur në një kafaz shufrash CO2, ku s’na mbetet alternativë tjetër, veçse të presim çfarë do të ndodhë! Shpëtimin po ia lëmë në dorë rastësisë. Jetojmë në tensionin e të panjohurës dhe për zgjidhje kemi zgjedhur mospërfilljen(!) Themi aq rastësisht sa mund të më ndodhë mua, po aq rastësisht mund të mos më ndodhë. Kjo na qetëson. Besimi tek rastësia na është kthyer në një fe të re. Të “luftosh” është diçka që do motiv, por të bësh përpjekje të mbrohesh nga asgjësimi, është e fundit gjë që bën në mënyrë refleksive. Por edhe këtë s’duam ta bëjmë. Vdekja (pa thonjëza), në trajtë pluhuri, CO2, betoni, hekuri, llogari bankare, duar me mansheta të bardha, ku vezullojnë varëse floriri e thonj të lëmuar dhe të zbukuruar ndër femrat, ne të gjithëve po na mbysin. Pak e nga pak dorëzohemi dhe mendimet na ikin, ne po jetojmë vetëm me kujtime. Më shumë se moskokëçarës, po tregohemi tmerrësisht mospërfillës. Jemi bërë të vrazhdë, të trishtuar e të cekët (sipërfaqësorë). Jemi bërë të humbur. Por, a jetohet kështu?! Ndotja na avitet tinëzisht deri në mushkëri, deri në embrionin e ri që po formohet, deri në qelizë. Na qaset kobshëm, na ftoh, na zbeh e gëlbëzon në fytyra, e na zhduk pak e nga pak gjurmët e jetës. Mbushem me frikë e shqetësim. Arsyeja më dobësohet e dridhem. Jemi të dëshiruar për pak ngrohtësi jete, nuk durojmë dot pa një çikëz ngushëllim, qoftë ky edhe në formë mashtrimi, për të fashitur sadopak pamjen lakuriqe të çakordimit që na ka kapur.
Ndotja CO2, pluhur, zhurmë, plehra, ndotja e ujit të pijshëm, ajër i pisët, lumenj vend mbeturinash, të gjitha këto duken si fjalë, por ato përmbledhin në vetvete ankthin e jetës që ka sot gjithë vendi… vetëm ne i marrim për fjalë. Ne në disa ditë jetë na kalojnë me shpejtësi javë, muaj e vite. Koha na fluturon shpejt, e shohim këtë në fytyrat e zbehta pushatake të të rinjve që ngjajnë si fytyra fëmijësh të vdekur… sot nuk duhet vetëm për të provuar, por më shumë duhet besuar në atë që provon. Tmerrin e “zhdukim” duke u hakmarrë me logjikë të ndyrë; Kur na thonë që çdo qytetari të Tiranës i janë ulur disa vite jetë, ne zgërdhihemi duke thënë: Do t’i kthejmë patkonjtë më shpejt. Kjo na shpëton nga paniku, nga çmenduria, në fund të fundit na jep qetësinë. Kështu mbahemi disi. Por, e dimë që s’veprojmë ashtu nga “humori”, por e bëjmë kështu për të mos marrë fund. Por, puna është se çdo ditë ky “humor i zi” yni po bëhet më i kobshëm. Por, më e rënda do të jetë kur të zgjohemi, atëherë do të jetë shumë e vështirë për të hequr gjithçka që është fundosur thellë brenda nesh. Do të jetë ndeshje e vërtetë për jetë a vdekje. Ditët, javët, vitet e jetuara kështu do të jenë pllaka shumë të rënda për t’u shkulur, se prej kohësh jemi pajtuar me këtë gjendje kësisoj. Prej kohësh na duket vetja sikur kemi ardhur në këtë tokë për pak kohë, me leje, sa për t’u çmallur me të afërmit, e më pas shpejt e në… moskthim. Shumë prej nesh jo se nuk i kuptojnë këto që them, por puna është se ata ndiejnë përgjysmë. Gjysma tjetër e tyre merret me rutinën e përditshme të ditës. Më duket sikur janë ndarë në dysh, askush nuk kupton dhe ndien me gjithë shpirt …. Nga kjo, vetja më duket sikur s’po di si ta shpreh më qartë atë që dua të them. Jeta s’mund të mbushet me shpirt të përgjysmuar, gjithçka është shumë e vogël, kur nuk mendojmë dhe për nesër. “Në jetë duhet të bësh gjërat që duhen, dhe jo të marrësh nga jeta gjërat që do.” Jetojmë me ndjenjën e përkohshmërisë. Por, çfarë është përkohshmëria mbi këtë tokë? Është një luhatje, e cila më vonë kur mbaron, e bën gjithçka më të vështirë. Qëkur jetojmë kështu, e ndiejmë që po na futet tinëzisht ndarja… Kur të vjen “radha”, të gjithë të vështrojnë heshtas, të numërojnë ditët, çdo mëngjes është për të gjithë më i trishtuar. Koha fluturon shpejt. Tmerr, kur kështu vdes një qytet i tërë.
O të mjerët ne! Pse, o njerëz, bashkëqytetarët e mi, u dashka që të ndahemi nga kjo jetë? Kush e paska më shumë të drejtë për të vendosur për jetën tonë më shumë sesa vetë ne? Ajo, Ai (Qyteti) vdiq në një ditë që ishte aq e qetë dhe e heshtur. Vdiq (u vra) një shkëndijëz jete. Administrata e Politikës apo e Sharrës raportoi “lart”, se veç një varrimi nga Fronti i Sharrës, nuk kishte asgjë të re. Atë (Qytetin) e shtrinë përtokë dhe dukej sikur po flinte. Fytyrën e kishte me një shprehje aq të paqtë, a thua se ishte e kënaqur që ndodhi kështu. Çdo vdekje është një njollë e ndritshme në errësirë, është një kumt, është një piskamë shpirtërore që lëshon Qyteti për të gjithë ne. Prandaj, kupolën korruptive ta sfidojmë në duel, për vete, për fëmijët dhe për ata që do të vijnë më pas, kur ne s’do të jemi më.
© Panorama.al












