Asambleja e PS, emrat e rinj të Kryesisë

Dec 2, 2011 | 9:11

Partia Socialiste do të thërrasë sot në mesditë Asamblenë Kombëtare në mbledhjen e parë të saj që pas Kongresit të 5 nëntorit. Në këtë mbledhje, rendi i ditës parashikon konstituimin e Asamblesë, zgjedhjen e kryetarit të saj, zgjedhjen e Kryesisë dhe të Sekretariatit.

ZGJEDHJET

Ndryshe nga herët e tjera, kur mbledhjet e Asamblesë janë zhvilluar në restorant “Xibraku”, këtë radhë ky forum do të zhvendoset te vila “Toskana” në zonën e Mulletit. Pas konstituimit të Asamblesë pritet rizgjedhja pa debate e Gramoz Ruçit si kryetar i Asamblesë, ndërsa kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama do të publikojë listën e kandidatëve që ai do të propozojë për Kryesinë e re për një mandat katërvjeçar. Burime nga selia rozë bëjnë të ditur se kryetari i kësaj partie do të propozojë që të rritet numri i anëtarëve të Kryesisë nga 16 që janë aktualisht, në 25. Sipas Statutit të PS-së, kryetari mund të propozojë 1/3 më shumë kandidatë se numri i miratuar nga Asambleja për anëtarë kryesie (rreth 8 emra më shumë). “Asambleja Kombëtare e PSSH zgjedh Kryesinë e PSSH. Numri i anëtarëve të Kryesisë miratohet nga AK me propozim të kryetarit të Partisë. Kryetari i PSSH propozon deri në 1/3 e kandidaturave më shumë se numri i miratuar për anëtarë të Kryesisë. AK e PSSH ka të drejtën e propozimit të kandidaturave shtesë për anëtarë të Kryesisë”, thuhet në pikën 4 të nenit 27 të Statutit të PS-së. Në të njëjtën kohë, gjatë mbledhjes së Asamblesë, anëtarë të saj mund të mbledhin firmat e nevojshme për të kandiduar për anëtarë kryesie. Në këtë rast duhet që një kandidat të marrë të paktën 10 për qind të firmave (rreth 24 firma të anëtarëve të Asamblesë) për t’u futur në listën e kandidatëve. “Çdo kandidaturë shtesë mbi listën e propozuar për anëtar të Kryesisë së PSSH nga AK duhet të ketë mbështetjen e 10% të anëtarëve të AK”, thuhet më tej në Statutin e PS-së. Burimet bëjnë të ditur gjithashtu se mund të jenë rreth 7-8 anëtarë të Asamblesë që kanë gati firmat për të kandiduar, nëse nuk do të jenë në listën që do të propozojë Rama.

EMRAT E RINJ

Mësohet gjithashtu se Adelina Farriçi, Ilir Beqja, Gjovalin Kadeli dhe Gazmir Bizhga pritet të jenë në listën e propozuar nga Rama. Për herë të parë në listën e propozuar nga Rama do të jenë edhe kryetarët e bashkive më të mëdha të vendit, Vangjush Dako, Qazim Sejdini, Niko Peleshi dhe Shpëtim Gjika. Pritet të shihet nëse në këtë listë do të jenë Arben Malaj dhe Andis Harasani, që kanë mbajtur një qëndrim kritik ndaj politikës së ndjekur nga PS. Në mbledhjen e sotme të Asamblesë Kombëtare do të zgjidhen edhe sekretarët e partisë. “Asambleja Kombëtare e PSSH, me propozim të kryetarit të partisë, miraton numrin dhe strukturën e Sekretariatit. Kryetari i partisë i paraqet AK për miratim kandidaturat për sekretarë të PSSH për secilin post nga përbërja e Kryesisë së PSSH. AK ka të drejtë të propozojë kandidatura alternative për funksione të veçanta për sekretarët. Çdo kandidaturë alternative për poste të veçanta për sekretar të PSSH duhet të ketë mbështetjen e 20% të anëtarëve të AK. Kandidatët për sekretarë të PSSH duhet të kenë të paktën një mandat si anëtarë të AK të PSSH”, thuhet në pikën 5 të nenit 27 të Statutit të PS-së. Në listën e kandidatëve për sekretarë të partisë pritet të mos konfirmohen Kastriot Islami (sekretar për Çështjet Zgjedhore), Andis Harasani (aktualisht sekretar për Programin Politik), Edlira Haxhiymeri (sekretare për Shoqërinë Civile dhe Shanset e Barabarta). Vendin e tyre pritet ta zënë Ilir Beqja, Eglantina Gjermeni dhe Damian Gjinkuri, ndërkohë që në momentet e fundit pritet të vendoset mes Arta Dades dhe Taulant Ballës se kush do të mbajë postin e sekretarit të Marrëdhënieve Ndërkombëtare. Burime nga PS bëjnë të ditur gjithashtu se pritet të shtohet edhe një pozicion tjetër, sekretari për Emigracionin, që mund ta mbajë Erjon Veliaj.                                                              ARISTIR LUMEZI

EMRAT E SEKRETARËVE AKTUALË

Andis Harasani- Sekretar për Programin Politik

Arta Dade- Sekretare për Marrëdhëniet Ndërkombëtare

Blendi Klosi- Sekretar Organizativ

Edlira Haxhiymeri- Sekretare për Shoqërinë Civile dhe Shanset e Barabarta

Et’hem Ruka- Sekretar i Burimeve Njerezore Fatmir Xhafaj- Sekretar për Koordinimin dhe Çështjet Ligjore

Kastriot Islami- Sekretar për Çështjet Zgjedhore

Besnik Baraj- Sekretar për Çështjet e Mjedisit

EMRAT E SEKRETARËVE QË MUND TË ZGJIDHEN

Ilir Beqja- Sekretar për Programin Politik

Arta Dade/ Taulant Balla- Sekretare për Marrëdhëniet Ndërkombëtare

Blendi Klosi- Sekretar Organizativ
Eglantina Gjermeni- Sekretare për Shoqërinë Civile dhe Shanset e Barabarta
Et’hem Ruka- Sekretar i Burimeve Njerezore
Fatmir Xhafaj- Sekretar për Koordinimin dhe Çështjet Ligjore
Erjon Veliaj- Sekretar Politik për Emigracionin
Damian Gjiknuri- Sekretar për Çështjet Zgjedhore
Besnik Baraj- Sekretar për Çështjet e Mjedisit

EMRA TË RINJ PËR KRYESINË E PS
Vangjush Dako
Qazim Sejdini
Niko Peleshi
Shpëtim Gjika
Adelina Farriçi
Ilir Beqja
Gjovalin Kadeli
Gazmir Bizhga

© Panorama.al

Te lidhura