Presidenti i Sirisë, Bashar al Asad, ka refuzuar çdo përgjegjësi mbi vrasjen e rreth 4 mijë protestuesve kundër regjimit të tij, duke u shprehur se nuk e ka ai drejtimin e trupave të armatosur. Në një intervistë në televizionin amerikan ABC, të transmetuar dje, Asad tha se ai nuk ka dhënë asnjë urdhër që trupat të jenë brutalë apo të kryejnë vrasje. “Ata nuk janë forcat e mia. Ata janë forca ushtarake që i përkasin qeverisë. Nuk i kam unë nën zotërim. Unë jam President. Unë nuk zotëroj vendin”, tha ai i pyetur nëse kishte qenë shumë brutale përgjigjja e forcave të armatosura ndaj protestuesve civilë. Por në rolin si President, Asad ka edhe autoritetin si Komandant i Forcave të Armatosura të Sirisë. Sipas të dhënave nga OKB-ja, rreth 4000 njerëz janë vrarë në Siri që kur nisi revolta në mars, dhe shumë prej tyre janë civilë të paarmatosur. “Kush tha se Kombet e Bashkuara janë një institucion i besueshëm?”, tha Asad. “Asnjë qeveri në botë nuk e vret popullin e saj, nëse nuk drejtohet nga ndonjë person i çmendur”, tha Presidenti 46-vjeçar, dikur mjek sysh i shkolluar në Britani. Siria u ka ndaluar hyrjen gazetarëve të huaj për të evituar mbulimin e ngjarjeve. Asad, i cili e ka trashëguar pushtetin nga babai i tij në vitin 2000, këmbëngul se pas trazirave në Siri qëndrojnë ekstremistë që po zbatojnë një axhendë të nxitur nga jashtë, dhe jo njerëz që kërkojnë vërtet reforma. Por protestuesit thonë se dinastia Asad ka ushtruar represion në Siri prej 40 vitesh. Gjatë ditëve të para të protestës, Asad ofroi reforma, por përgjigjja e tij në terren ishin tanket dhe snajperët. Kur u pyet nëse ndihej fajtor për gjakderdhjen, Asad qeshi dhe tha: “Unë kam bërë më të mirën për të mbrojtur njerëzit e mi. Kur bën më të mirën, nuk mund të ndihesh fajtor. Nuk ndihesh fajtor kur nuk vret njerëz. Të vjen keq për jetët e humbura, por nuk ndihesh fajtor”.











