Asad ndien presionin, lejon vëzhguesit ndërkombëtarë

Dec 22, 2011 | 11:31

Presidenti i Sirisë, Bashar al-Asad, më në fund ka miratuar futjen në vend të vëzhguesve të huaj. Manovra e tij ndodhi kur presioni i OKB-së dhe vendeve fqinje kundër represionit të tij ndaj protestuesve po shtohej dhe kur mediat ndërkombëtare botuan shifra skandaloze të vrasjeve të ushtrisë siriane, vetëm gjatë dy ditëve të fundit kanë humbur jetën rreth 200 civilë që protestonin kundër pushtetit të Asad. Presidenti sirian ka pranuar planin e Ligës Arabe, që në Siri të dërgohen vëzhgues të huaj, për të konfirmuar të dhënat për dhunë, vrasje masive, tërheqjen e ushtrisë nga qytetet dhe lirimin hap pas hapi të të burgosurve politikë. Por ky gjest i tij ndodhi edhe pasi Moska sinjalizoi se Rusia dhe Kina do të mund t’i jepnin fund bllokadës së rezolutave kundër Sirisë në Këshillin e Sigurimit. Në takimin  e fundit të KS-së së OKB-së, për herë të parë u diskutua edhe mundësia e futjes së ndalimqarkullimit të avionëve mbi këtë vend, për mbrojtjen e civilëve.

© Panorama.al

Te lidhura