Një numër i madh ambasadorësh të vendeve perëndimore vizituan dje sërish qendrën e numërimit të votave në shkollën “Vasil Shanto”, por në sy ra ardhja e ambasadorit amerikan, Aleksandër Arvizu, pas orës 23:00.Ai takoi deputetët e të dyja palëve dhe pasi bisedoi me ta, improvizoi një konferencë shtypi i rrethuar nga dhjetëra kamera e gazetarë. Ambasadori amerikan theksoi në fjalën e tij se procesi duhet të përfundojë sa më shpejt, çdo votë duhet të numërohet dhe se palët duhet të pushojnë nga kjo lodhje e stërgjatë. Në këtë pikë, ambasadori tregoi se kur kishte folur me kandidatin Rama, kishe vënë re se ai kollitej dhe i kishte sugjeruar të pushonte së bashku me deputetin e PS-së, Erion Braçe. Nga ana tjetër, Arvizu shtoi se duhet të vlerësohet me kujdes çdo votë, në mënyrë që qytetarët të respektohen për verdiktin e tyre të hedhur në kutitë e votimit.
Z. ambasador, cili është komenti juaj për situatën e procesit të numërimit të votave?
Sot kam qenë duke ngrënë darkë me sekretaren, sepse kishte ditëlindjen dhe ishte diçka e rëndësishme. Por, merrja mesazhe për procesin e numërimit dhe e dija që sot duhet të vija këtu. Pashë që ishte ndërprerë numërimi. Fola me të dyja palët, fola nga PS me Taulant Ballën dhe Eglantina Gjermenin dhe nga ana tjetër fola me zotin Gerti Bogdani. Kam biseduar me ekipin e Ambasadës Amerikane që është këtu. Fola me zotin Rama më herët. Nesër do të mund të kemi mundësi të jemi në një drekë së bashku, por nuk jam i sigurt nëse nuk përfundon numërimi. Mendoj se habi për mua është se ka një dakordësi përsa i përket vlefshmërisë së fletëve të votimit. Konkluzioni që mora pasi fola është se palët ia hedhin njëra-tjetrës fajin për vlefshmërinë e votave. Kam dy komente për këtë gjë. Ajo që po them është: nëse vihet në dyshim vlefshmëria e fletës së votimit, duhet një proces për ta skeduar këtë fletë votimi. Pra, nëse njëra palë mendon se vlefshmëria e disa votave është në pikëpyetje, atëherë duhet të ketë disa procedura për ato dhe nuk duhet të ndërpritet numërimi. Dua të ngre disa çështje, pasi shoh që njerëzit janë të lodhur, si numëruesit, ashtu dhe njerëzit e medias. Gjithashtu edhe vëzhguesit janë të lodhur. Kam folur me zotin Basha, me zotin Rama, dhe qartazi edhe ata janë të lodhur. Në fakt, më erdhi keq për zotin Rama, sepse ndërsa isha duke biseduar me atë, ai kishte një kollë që e ngiste disa herë dhe i thashë që të kujdesej për atë kollë dhe të pushonte pak, por ai më tha që “nuk pushonte dot”. Mendoj gjithashtu që edhe zoti Erion Braçe duhet të pushojë. Ajo që dua të theksoj është se njerëzit janë të lodhur, gara është e ngushtë, ndoshta më shumë se ç’e kishin pritur njerëzit. Besoj se njerëzit mezi presin që të mbarojë dhe këtë e kuptoj pse. Nuk kam për të shprehur se njëra palë është më e përgjegjshme se pala tjetër, por kemi folur për fletët e votimit, kutitë që ndodhen për t’u numëruar dhe mendoj se njerëzit e arsyeshëm duhet të hapin kutitë e votimit dhe në mënyrë të arsyeshme duhet të vendosin, për nga sasia, se cilat fletë duhet të numërojnë. Me sa kuptoj, për dëshirën e votuesit të shprehur në fletën e votimit, atëherë duhet të respektohet dëshira e tij. Dikush më tha që ka pasur shqetësime se prapa fletëve të votimit kanë pasur shenja printimi dhe janë quajtur të pavlefshme. Serish, nuk jam komisioner dhe nuk më takon mua, por pyes nëse kjo do të ishte një arsye e vlefshme për t’i quajtur të pavlefshme këto vota? Pra, e rëndësishme është që të plotësojmë dëshirën e çdo qytetari në fletët e votimit dhe ta mbyllim këtë proces.
Mendoni se numërimi duhet të fillojë?
Sikurse e shpreha, që njerëzit e arsyeshëm duhet të bien dakord dhe të vijojnë me numërimin. Pavarësisht se sa i lodhur duhet të jesh, është e nevojshme që vijohet më tej.
Ju dje u shprehët se nuk duhet të ketë vonesa në numërim. A jeni i kënaqur me ecjen e procesit të deritanishëm?
Mendoj që kjo pyetje duhet t’u bëhet të tjerëve, por, mendimi im është që kjo pyetje i përket ODIHR-it. Mendimi im është se ky proces është zgjatur.
Do t’i shikoni ato fletë të kontestuara nga afër?
Kjo nuk është puna ime, por ju e dini që unë kam mendimet dhe opinionet e mia. Nuk mendoj se kjo do të ishte e duhur.
Z. ambasador, si do ta vlerësonit faktin që ecet tepër ngadalë dhe ka probleme të vazhdueshme gjatë këtij procesi, duke pasur parasysh edhe votat e shumta të pavlefshme?
Unë përmenda tri pika më lart. Fakti që ky proces numërimi po kontestohet shumë tani në fund, do të thotë që të dyja palët duhet ta marrin situatën seriozisht. Me sa kam dëgjuar, ka pasur shumë vota të kontestuar. Pra si do që të zhvillohet numërimi i votave marzhi i fitores do jetë më pak se 600 vota, të cilat janë vota të kontestuara dhe nëse unë do kisha 100 dollarë do vija bast se do kontestohej ky rezultat. Pra, ka pasur vota të kontestuara, por mendoj se procesi i numërimit të votave është vëzhguar me shumë kujdes. Në fund, pasi të përfundojë procesi, do të ketë fitues dhe një humbës. Dhe është shpresa ime që humbësi të përgëzojë fituesin në fund të procesit. Deri tani jam impresionuar nga energjia e të dyja palëve në këtë proces. Më ka lënë mbresa edhe energjia e numëruesve, e shoqërisë civile, por edhe e vëzhguesve të partive. Për mua këto janë zhvillime pozitive.
Cili është mendimi juaj për garën e deritanishme?
Po shohim që zoti Basha ka pak vota para, por sikurse e thashë, jemi në një proces ligjor. Edhe nëse totali do të lëvizë me një votë, do të kemi një fitues.
ARISTIR LUMEZI











