
Ambasadori amerikan, Aleksandër Arvizu, në një intervistë për televizionin “Ora News”, komentoi situatën e krijuar brenda dhe jashtë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Në këtë intervistë, ambasadori Arvizu u shpreh se do të ishte më mirë të kishte fillimisht një rezultat dhe më pas të vlerësoheshin fletët e votimit që janë hedhur në kutitë e gabuara.
Ju jeni takuar sot me Presidentin e Republikës, z. Topi dhe kreun e Partisë Socialiste, z. Rama. A mund të na thoni çfarë mesazhi u keni përcjellë dy personaliteteve të larta dhe se cili është mesazhi që iu përcillni të gjitha forcave politike të vendit sot?
Sot pasdite kam edhe një takim tjetër me Kryeministrin, pasi të largohem prej këtu. Jam duke bërë përpjekje për të dëgjuar cilindo se cilat janë perspektivat e tyre mbi situatën. Mendoj që duhet të jemi të sinqertë: kjo është një situatë e vështirë. Shumë njerëz ndihen të frustruar, edhe emocionalë. Mendoj që e rëndësishmja është, aq sa është e mundur, që të gjitha palët të përpiqen të punojnë brenda kuadrit ligjor. Këtu përfshihet Kodi Zgjedhor, por edhe mjete të tjera ligjore. Problemi është që vetë Kodit i bëhen interpretime të ndryshme. E rëndësishmja është që cilido të përpiqet të qëndrojë sa më i qetë të mundet. Askush nuk do të shohë ndokënd të lëndohet, qofshin protestues paqësorë, deputetë, kalimtarë, apo oficerë policie. Askush nuk do të shohë askënd të lëndohet. Nëse njerëzit përpiqen të punojnë brenda kuadrit ligjor dhe nëse përpiqen të shohin përtej zgjedhjeve, të shohin përpara te qeverisja, mendoj se përfundimi do të jetë i mirë.
Megjithatë, aktualisht KQZ vazhdon të hapë kutitë e disa prej KZAZ-ve. Cili është komenti juaj mbi këtë veprim të KQZ-së?
Është pak e vështirë të bësh komente në hollësi. Mund të them këtë: mendoj që do të kishte qenë ide e mirë që KQZ të kishte shpallur qoftë edhe rezultatet zyrtare paraprake, qoftë edhe si pikënisje. Mendoj do të kishte qenë një hap i dobishëm, sepse do t’u kishte dhënë mundësi sfidave apo çështjeve pasuese, përfshi ato lidhur me nëse duhen numëruar votat e devijuara apo të vendosura në kutitë e gabuara. Sigurisht, një tjetër problem, me sa e kuptoj unë, është që Tirana është unike në vend, në kuptimin që vetëm kryeqyteti nuk ka komisionin e vet zonal kushtuar atij. Duket sikur vetvetiu, KQZ funksionon si komisioni zonal për Tiranën. Shumica e ekspertëve me të cilët kam folur mendojnë që kjo nuk është ide e mirë, sepse i merr KQZ-së paksa nga misioni i saj qendror, funksioni qendror. Megjithëkëtë, kështu është Kodi Zgjedhor; ka disa mangësi, por përbën bazën mbi të cilën të mund të zhvillohen zgjedhje. Mendoj se një gjë e tillë, gjithashtu, thekson rëndësinë kritike që ka të ecim përtej zgjedhjeve të tanishme dhe të përqendrohemi te reformat, përfshi reformën e Kodit Zgjedhor. Mendoj që janë nxjerrë shumë mësime mbi bazën e këtyre zgjedhjeve. Duhet që disa prej tyre të zbatohen.
Z. ambasador, a mendoni se pasi të takoheni me Kryeministrin, pasi jeni takuar tashmë me dy përfaqësues shumë të lartë politikë të shtetit, do të kemi një situatë të ndryshme në vend?
Shpresoj të shpreh qartë se cila është pikëpamja jonë dhe, në thelb, ajo është që ne nxisim me forcë palët që të përpiqen të punojnë brenda kuadrit ligjor. Më lejoni të jem i ndershëm: mendoj se një nga sfidat është që kuadri ligjor në Shqipëri nuk është aq i zhvilluar sa mund të ishte. Edhe në një vend me një traditë të gjatë të kuadrit ligjor, si Shtetet e Bashkuara, ne shpesh merremi me situata të cilat nuk i kemi hasur më parë. Dhe, siç kanë përshkruar edhe raporti i ODIHR-it në vitin 2009, edhe raporti paraprak i ODIHR-it tani, këtu ka polarizim të fortë politik. Ky është realiteti politik këtu. Pra, po, kuadri ligjor, sundimi i ligjit, është shumë i rëndësishëm, por për shkak të polarizimit politik – dhe këtë e shohim haptas në KQZ – duhet të ketë një dëshirë nga të dyja palët për të gjetur emërues të përbashkët për të ecur përpara. Dhe unë jam besimplotë që njerëzit mund ta bëjnë.
Militantët e PS provokojnë Arvizun
Ambasadori amerikan, Aleksandër Arvizu, është provokuar rëndë nga militantët dhe simpatizantët e Partisë Socialiste në selinë rozë. Kur mbërritën në selinë e Partisë Socialiste, turma e mbështetësve u njoh se kreu socialist ishte në takim në zyrën e tij me ambasadorin Arvizu. Kanë qenë të shumtë ata që kanë hedhur sharje dhe fyerje ndaj ambasadorit, i cili në ato momente ishte në zyrën e Ramës. Një ditë më parë Arvizu ishte takuar me kandidatin demokrat Lulzim Basha. Pak minuta më pas, ambasadori ka zbritur shkallët, ndërsa ka ndeshur në hollin e PS një turmë të irrituar. Ai ka ngjitur disa shkallë dhe më pas është shoqëruar nga kreu i PS-së, Edi Rama, deri te dera e makinës së tij diplomatike, nën brohoritjet për kreun socialist.











