Arvizu:Shanse për President konsensual, Nano: Berisha e Rama,lejoni garën në Kuvend

Jun 5, 2012 | 12:19

Ambasadori amerikan takon krerët e PD dhe PS: Po përpiqen të nxjerrin një kandidat të përbashkët.

Arvizu: Berisha dhe Rama meritojnë vlerësim për përpjekjet.

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Aleksandër Arvizu, takoi menjëherë pas seancës parlamentare Edi Ramën dhe Sali Berishën.
Pothuaj në kohë të barabarta bisede me secilin prej tyre, kryediplomati amerikan ka inkurajuar vazhdimin e dialogut mes maxhorancës dhe opozitës. Fillimisht ambasadori amerikan ishte në selinë rozë në takim me kreun socialist. Pas takimit, kreu i prezencës së SHBA-së në Tiranë duke iu përgjigjur interesit të gazetarëve, deklaroi se vlerëson përpjekjet e Kryeministrit Berisha dhe kreut të PS-së Edi Rama, për nxjerrjen e një kandidati konsensual për postin e Presidentit të ri të vendit. “Raundi i tretë ka përsëri hapësirë për 84 vota, por para së gjithash PS dhe kryetari Edi Rama meritojnë vlerësim që ata nuk po insistojnë që kandidati të jetë një person që i përket së majtës. Mendoj se PD dhe veçanërisht Kryeministri Sali Berisha meritojnë vlerësim që e kanë bërë të qartë se ai po bën përpjekje për të prezantuar kandidat dikë me të cilin ai të ndihet komod për të punuar dhe mund të punojë, por që nuk përfaqëson interesat e ngushta dhe vetëm të partisë”, theksoi Arvizu. Sipas diplomatit amerikan në Tiranë, duhet inkurajuar përpjekja që palët po bëjnë për të zgjedhur një President konsensual e të pranuar nga palët. “Për mua të dyja palët po përpiqen që të nxjerrin një kandidat dhe besoj se duhet t’i inkurajojmë”, përfundoi fjalën e tij ambasadori i SHBA-së, Aleksandër Arvizu. Takimi sot, ndryshe nga një ditë më parë që u zhvillua në një nga lokalet e Tiranës, është realizuar në selinë e PS. Pas takimit me kryesocialistin, Aleksandër Arvizu iu drejtua godinës së Kryeministrisë, ku u prit nga kreu i qeverisë Sali Berisha. Edhe ky takim zgjati rreth 40 minuta, por në përfundim të tij ambasadori Arvizu nuk bëri asnjë deklaratë për mediat. Takimet e Arvizu kryhen pak minuta pasi Kuvendi konsumoi brenda një minute edhe raundin e dytë të votimit për zgjedhjen e Presidentit të ri të Republikës. Pasi në konkurrim nuk u paraqit asnjë kandidat dhe në këtë mënyrë, sipas ligjit, votimi quhet i kryer. Seanca u mbyll shumë shpejt. Pritej që raundi i djeshëm në Parlament të konsumohej pa votim, pasi takimi mes Kryeministrit Sali Berisha dhe kryetarit të Partisë Socialiste të opozitës, Edi Rama, rezultoi pa emra kandidatesh. Pritet që ditën e premte të zhvillohet raundi i tretë për votimin e Presidentit, si shansi i fundit për të votuar një President konsensual.

Moro: Takimi Berisha-Rama, inkurajues
Ambasadorja franceze, Kristine Moro, tha dje se Presidenti duhet të zgjidhet në përputhje me vullnetin e pjesës më ta madhe të të gjitha forcave politike në vend. “E shohim takimin mes Berishës dhe Ramës si një shenjë inkurajuese dhe ne shpresojmë që dialogu mes të gjitha forcave politike të vazhdojë për të siguruar një emër për Presidentin, që të jetë një emër në përputhje me vullnetin e pjesës më ta madhe të të gjitha forcave politike në vend. Do të doja të theksoja që bashkësia ndërkombëtare është shumë e interesuar që reforma e Kodit Zgjedhor në Shqipëri të përfundojë sa më shpejt”, u shpreh ambasadorja. Deklaratat e Moros janë bërë pas një takimi në Berat për planifikimin urban të trashëgimisë kulturore, me qëllim ruajtjen e trashëgimisë në vend dhe në rajon. Berati është duke krijuar një partneritet me shoqatën franceze të ruajtjes së trashëgimisë kulturore dhe ky partneritet do të vijojë funksionimin e mëtejshëm me veprimet dhe punën e përbashkët për mënyrat se si do zhvillohet kjo trashëgimi.               d.xh

Sanino, në Tiranë para raundit të tretë të votimit
Drejtori i Zgjerimit në Komisionin Europian, Stefano Sanino, do të vijë të enjten për një vizitë zyrtare në Tiranë, një ditë përpara se Parlamenti të mblidhet për të votuar në raundin e tretë të garës për Presidentin e ri të vendit. Në axhendën e zyrtarit të lartë të Bashkimit Europian është takimi me Kryeministrin Sali Berisha, zv.kryeministrin dhe ministrin e Jashtëm, Edmond Haxhinasto, Presidentin Bamir Topi dhe kryetarin e Partisë Socialiste, Edi Rama. Ky takim vjen edhe pas apelit të fundit të komisionerit për Zgjerimin, Stefan Fyle, për të mos shkaktuar krizë në procesin e zgjedhjes së Presidentit. “Dëshira e Brukselit ka qenë dhe mbetet zgjedhja sa më e shpejtë e Presidentit sipas germës dhe frymës së Kushtetutës. U takon partive politike shqiptare që të bëjnë të mundur që kjo situatë të kapërcehet e të mos krijohen probleme shtesë”, u shpreh Fyle.

Grossruck: Zaganjori, i kompletuar
Zv.Presidenti i Asamblesë së OSBE-së, Wolfgang Grossruck, e ka vlerësuar kandidatin e maxhorancës për President si një figurë të kompletuar. “Personalisht nuk e njoh Zaganjorin, por meqë vjen nga Gjykata Kushtetuese, është person i kompletuar nga ana profesionale dhe ka dijeni për fushën e ligjeve. Nano? E njoh prej kohësh, politikan i formuar, por nuk e di ccfarë bëhet me të kohët e fundit”, u shpreh Grossruck. I pyetur mbi ecurinë e procesit, ai tha: “Jo, nuk ka vend për krizë, janë gjera krejt normale në një vend demokratik. Të tilla kanë ndodhur dhe Austri, por e rëndësishme është që palët të paraqesin kandidatët dhe të ballafaqohen, t’i fusin në garë dhe të votohen”. r.d

Nano: Lejoni garë në Kuvend

Ish-kryetari, apel kreut të PS dhe Kryeministrit për të mos humbur raundin e tretë

Fatos Nano

“Rama të kunkurrojë, për Berishën s’jam instrument”
Ish-kreu socialist Fatos Nano i sugjeroi politikës shqiptare një platformë me 7 pika, ku përfshin dhe veten për të dalë nga ngërçi për të gjetur një President konsensual.
Pas djegies së raundit të dytë të zgjedhjes së Presidentit pa një kandidat, kur kërkohet një konsensus për votim me 84 vota, Fatos Nano i kërkon Ramës dhe Berishës që të tejkalojnë disa defekte mes tyre për të mos djegur raundin e tretë në të njëjtat kushte. Nano përshëndet takimin e së dielës mes kryetarëve Berisha e Rama. “Takime të tilla kërkohet të jenë normalitet dhe pjesë e një kulture dhe sjelljeje natyrale, të vetvetishme për liderët politikë shqiptarë. Ato duhet të vazhdojnë të zhvillohen në klimë mirëbesimi, parimore, transparente, me sens të fortë përgjegjshmërie dhe llogaridhënieje para publikut shqiptar për publikun shqiptar, të jenë pjesë e shprehive dhe mendësisë demokratike euroatlantike”, thuhet në njoftimin që shpërndau dje për mediat koordinatori i lëvizjes “Nano për President”, Arjan Galdini. Madje Nano shprehet se “nëse do të jetë Presidenti i Republikës, ai do të angazhohet me të gjitha kapacitetet politike, institucionale e kushtetuese që mbart detyra e kreut të shtetit që të instalojë në njërën prej ditëve të javës, një traditë të përjavshme e të përhershme të një mëngjesi pune, reflektimi dhe lutjesh, mes Presidentit të Republikës, Kryeministrit dhe liderit të opozitës”. Fatos Nano e fton Edi Ramën që të mos i shmanget garës dhe konkurrimit me maxhorancën, me emra dhe vlera më të mira e më përfaqësuese, si edhe e këshillon që të mos e përjetojë të qenët në pakicë si gjendje mentale dhe psikologjike pamundësie, por si gjendje politike shansesh dhe mundësie për kontribute dhe rritje. Pakicat nuk duhet t’u shmangen kurrë garave e konkurrimeve. Pakicat rriten vetëm nëpërmjet konkurrimit dhe garave. Ish-kreu socialist tërheq vëmendjen se, përtej rëndësisë e vlerës që pati ky takim, sot Shqipëria humbi një shans të dytë për ta zgjedhur Presidentin e Republikës me një marrëveshje të dakordësuar. “Dy kryetarë u takuan, për të humbur shansin e dytë duke djegur edhe raundin e dytë të votimit, po aq sa janë edhe shanset që ka humbur Shqipëria në përpjekjet dhe pritshmëritë e saj për të marrë statusin kandidat në BE”, thuhet në njoftimin e zyrës së koordinimit. Ish-kreu socialist kërkon “Konsensusi s’ka pse të përjashtojë mundësinë e një dakordësimi që, në pamundësi të marrëveshjes për një kandidat të përbashkët, të lejohet me njëmendësim dhe vullnet mirëbesues një garë e lirë dhe e ndershme në Kuvend. Fatos Nano është i gatshëm për të dyja mundësitë”. “Konsensusi nuk duhet të bëhet lojë e kryetarëve për të fshehur apo ushqyer axhendat meskine të lojërave për pushtet. Konsensusi kërkohet të bëhet një fjalë e thjeshtë, e lexuar dhe e kuptuar lehtë e parimisht nga të gjithë shqiptarët”, thuhet në njoftimin e zyrës së Nanos. Ish-lideri socialist i kërkon Kryeministrit Berisha të mos e konsiderojë atë si instrument politik, por si një shtetar me vlera në drejtim të vendit. “Fatos Nano shpreh mirëbesimin dhe fton Kryeministrin Berisha që të mos shohë e as interpretojë tek Fatos Nano një instrument politik aktiv, por një politikan parësor e të sprovuar, një shtetar që ka shërbyer për shumë herë e vite në krye të qeverisë, një protagonist për shkak të rolit dhe modelit politik që ka përfaqësuar, duke iu dedikuar të përbashkëtës”, thuhet në njoftimin e zyrës së ish-kreut socialist.

Kërkesat për Berishën e Ramën
1-Berisha e Rama të jenë këmbëngulës dhe mirëbesues për takime e negociata të vazhdueshme parimore, transparente e qëllimlarta me njëri-tjetrin e të tjerët
2-Të mos funksionojnë axhendat politike partiake, të mos lejojnë lojërat meskine për pushtet, planet e projektet për ekuilibra të politikës së ditës qeverisëse apo opozitare, apo në funksion të zgjedhjeve të vitit 2013, të errësojnë rëndësinë parësore që ka zgjedhja e Presidentit të Republikës
3-Të mos fetishizohet konsensusi, sikurse u fetishizua deri më sot procesi. President Republike nuk do të zgjidhet as Konsensusi, e as Procesi. Konsensusi nuk duhet të bëhet lojë e Kryetarëve për të fshehur apo ushqyer axhendat meskine e lojërave për pushtet.
4-Konsensusi s’ka pse të përjashtojë mundësinë e një dakordësimi që, në pamundësi të marrëveshjes për një kandidat të përbashkët, të lejohet me njëmendësim dhe vullnet mirëbesues një garë e lirë dhe e ndershme në Kuvend. Fatos Nano është i gatshëm për të dyja mundësitë.
5-Fatos Nano e fton Edi Ramen që të mos i shmanget garës dhe konkurrimit me maxhorancën, me emra dhe vlera më të mira e më përfaqësuese, si edhe e këshillon që të mos e përjetojë të qenët në pakicë si gjendje mentale dhe psikologjike pamundësie, por si gjendje politike shansesh dhe mundësie për kontribute dhe rritje
6-Fatos Nano shpreh mirëbesimin dhe fton Kryeministrin Berisha që të mos shohë e as interpretojë tek Fatos Nano një instrument politik aktiv, por një politikan parësor e të sprovuar
7-Fatos Nano shpreh vlerësimin dhe mirënjohjen e thellë për të gjithë partnerët ndërkombëtarë, veçanërisht kontributin e ambasadorit të SHBA Aleksandër Arvizu, ambasadorit të BE Etore Sekui dhe ambasadorit të OSBE Eugen Volfarth. Për misionin e tyre mjaft të çmuar dhe qëllimmirë ndaj Shqipërisë, tejkalimit të krizës e ngërçit politik, inkurajimin e zhvillimeve pozitive në Shqipëri, si edhe për përparimin e axhendës së integrimit në BE.

Ultimatumi
Fatos Nano kërkoi dy ditë më parë publikisht mbështetjen nga kryetari Edi Rama për postin e Presidentit, në rast të kundërt ai do të krijojë një lëvizje të re politike brenda së majtës. Gjatë takimit me përkrahësit e tij, Nano e ka cilësuar si të pakuptimtë dhe të paarsyetuar qëndrimin e kryetarit të Partisë Socialiste për të mos i dhënë mundësinë e firmave të deputetëve dhe për t’i mundësuar atij të hyjë zyrtarisht në garën presidenciale. Një shqetësim të tillë ish-kryeministri Fatos Nano ia ka përcjellë dhe kryetarit të Grupit të PS-së, Gramoz Ruçi, gjatë një takimi sekret, i zbardhur ditën e premte nga “Panorama”.

Propozimi
Anëtari i Kryesisë socialiste, Arben Malaj, ka kërkuar kandidimin e Fatos Nanos nga ana e kësaj partie. “Partia Socialiste duhet ta kishte nisur më shpejt procesin, duhet të kishte dhënë vlerësimin e saj për ofertën publike që ish-lideri socialist Fatos Nano bëri, i cili zhvilloi dhe takimet përkatëse me liderët politikë parlamentarë. Vlerësimi im për Nanon nuk është thjesht dhe vetëm individual. Unë vlerësoj se kryetari i shtetit duhet të jetë një figurë me eksperiencë politike, të ketë kontribute në jetën politike të vendit, të cilat ofrojnë garanci më të mira se çdo përzgjedhje spontane për zgjedhjen e kreut të shtetit”, u shpreh Malaj për Nanon.

Nano vlerëson ndërkombëtarët
Ish-kreu socialist, Fatos Nano, vlerëson rolin e diplomatëve të huaj në Tiranë, veçanërisht të ambasadorit të SHBA-ve, Aleksandër Arvizu, ambasadorit të BE-së, Etore Sekui dhe ambasadorit të OSBE-së, Eugen Volfarth. Nano i kërkon klasës politike shqiptare të arrijë marrëveshjen e shumëpritur për ta mikpritur me meritë dhe pjekuri të dërguarin e komisionerit Stefan Fyle, Stefano Sanino, i cili vjen në Shqipëri më 7 qershor.

ARISTIR LUMEZI

© Panorama.al

Te lidhura