Arvizu: Gjykatësit të mos ndikohen

May 28, 2011 | 10:50

Ambasadori amerikan në Tiranë, Aleksandër Arvizu, deklaroi dje se palët duhet të pranojnë vendimin përfundimtar të Kolegjit Zgjedhor.Në një dalje për mediat, Arvizu u shpreh se Kolegji Zgjedhor duhet të japë një vendim të mbështetur në ligj dhe nuk duhet të jetë pjesë e asnjë ndërhyrjeje apo ndikimi të asnjë force politike. Sipas ambasadorit amerikan, në këtë proces ka dy elemente kryesore: së pari, ka të bëjë me cilësinë e vendimit të Kolegjit Zgjedhor; së dyti, me respektimin e tij nga palët politike. “Ka dy gjëra themelore që nevojiten të theksohen. Njëra është se është shumë e rëndësishme që gjykatësit e Kolegjit Zgjedhor të mund të marrin vendime mbi këto çështje bazuar në vetë ato, pa asnjë lloj ndërhyrjeje apo ndikimi nga asnjë palë. Dhe pika e dytë është që, sapo kjo të bëhet dhe vendimi të jepet, është shumë e rëndësishme që të gjitha palët të pranojnë përfundimin, sepse kjo është pjesë e procesit ligjor demokratik”, tha Arvizu. Ambasadori amerikan tha më tej se procesi zgjedhor ndodhte në fazën e kontestimeve ligjore. Sipas tij, më të kritikuara kanë qenë vendimet normative, duke shtuar se ndërkombëtarët do të mbështesin ligjin. “Procesi zgjedhor ka hyrë në atë që quhet faza e kontestimit ligjor. Dhe, me sa kuptoj, vendimet më kritike janë ato të ashtuquajturat vendime normative. Dhe kjo është planifikuar të shqyrtohet sot nga Kolegji Zgjedhor dhe mund të zgjasë disa ditë. Kjo nevojitet të vendoset te faza ligjore, ashtu si, mendoj, Shtetet e Bashkuara, Bashkimi Europian dhe të tjerë e kanë bërë të qartë, dhe ne e themi këtë si miq të Shqipërisë”, tha Arvizu.
Deklarata e ambasadorit erdhi pas fillimit të punës së Kolegjit Zgjedhor, i cili pritet të japë vendimin e tij në datën 3 qershor. Një vendim i parë është dhënë duke pushuar kërkesën e Partisë Socialiste, që kishte të bënte me shpalljen e rezultatit nga ana e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Edhe më herët trojka e ambasadorëve ka bërë thirrje për respektim të shtetit ligjor dhe të pranimit të vendimit të Kolegjit Zgjedhor për garën në Tiranë. Por, nga ana tjetër, ata kanë kërkuar nga ana e Kolegjit Zgjedhor që të japë një vendim të drejtë e ligjor në lidhje me procesin. “Mendoj se pozicioni ynë është shumë i qartë dhe sapo e shpjegova këtë. Mendoj se kjo është diçka që ne në Shtetet e Bashkuara po e shohim me shumë interes”, tha Arvizu.

Berisha: Jo presionit të rrugës

Kryeministri Sali Berisha takoi dje ish-kongresistin demokrat amerikan Linkoln Davis, me të cilin ndau mendimet në lidhje me procesin zgjedhor. “Objektivi themelor në funksion të një procesi me standardet më të larta është numërimi i çdo vote ku zgjedhësi ka shprehur qartë vullnetin e tij. Ai theksoi bindjen e tij që garancia më e lartë për një proces me standarde të larta dhe rezultat me legjitimitet të plotë sigurohet vetëm nëpërmjet zbatimit me përpikëri të ligjit zgjedhor jashtë çdo presioni që vjen nga rruga”, thuhet në njoftim.

Arvizu përshëndet arrestimin e Mlladiçit
Ambasadori amerikan në Tiranë, Aleksandër Arvizu, përshëndeti dje arrestimin Ratko Mlladiç. “Gjëja e dytë që dua të përmend është se mendoj se të gjithë u inkurajuam dje nga arrestimi në Serbi i Ratko Mlladiçit. Pra ky është një zhvillim shumë pozitiv”, deklaroi ambasadori amerikan.

 

Aristir Lumezi

© Panorama.al

Te lidhura