
“Ende nuk ka mbaruar gjithçka, mbetet për t’u thënë fjala e fundit”. Kjo ishte deklarata e orëve të vona të mbrëmjes së djeshme, bërë nga ambasadori amerikan në Tiranë.Aleksandër Arvizu e bëri këtë deklaratë për mediat pas një takimi me kandidatin për kryetar bashkie të Partisë Demokratike, Lulzim Basha. Diplomati amerikan në Tiranë qëndroi dje përreth një orë me Bashën në lokalin “Whiskey Bar” në zonën e Bllokut, në një takim informal. I pyetur nga gazetarët, Arvizu shprehu mendimin e tij në fund të një dite me takime të ngjeshura me krerët e politikës shqiptare. “Sot jam takuar me zotin Rama dhe zotin Berisha dhe gjithashtu me zotin Basha për të njëjtat arsye. E rëndësishme është që ne të fokusohemi te ky proces ligjor. Pra janë vetëm 10 vota dhe është shumë e vështirë për të bërë diferencën me këtë rezultat kaq të ngushtë. Duhet të tregohemi të duruar. Ju po kërkoni përgjigje, por unë nuk e kam përgjigjen tani. Kjo është diçka që gjithë shqiptarët duhet të punojnë për të. Unë mendoj se do t’ia dalim”, u shpreh ambasadori amerikan. Duke komentuar procesin zgjedhor dhe atë të administrimit të votës, Arvizu u shpreh se pasi është zhvilluar një proces transparent, pritet që ai të përfundojë në fazën e tij finale të përllogaritjeve. “Kjo ishte një fushatë e gjatë dhe ju e dini shumë mirë dhe unë po ashtu, se sa ka punuar zoti Basha dhe zoti Rama po ashtu. Në këtë fushatë ka punuar një numër i madh njerëzish. Numërimi i votave u bë dhe tek numërimi i votave u mbajt transparenca. Nuk mbetet gjë për t’u shtuar, por ende nuk ka mbaruar gjithçka dhe mbetet për t’u thënë fjala e fundit dhe ne duhet të punojmë të gjithë për këtë”, u shpreh Arvizu. Ambasadori amerikan ka qenë mjaft aktiv ditët e fundit, që me nisjen e zvarritjes së procesit të numërimit të votave nga të dy forcat kryesore politike. Arvizu nuk ngurroi të ndiqte vetë nga afër procesin e numërimit të votave për kryetarin e Bashkisë së Tiranës në Njësinë Nr.5, ndërsa ka vazhduar takimet me të dy kampet për të ulur tensionet mes palëve pas përfundimit të numërimit të votave. Diplomatët e huaj, përfshirë dhe Arvizu, kanë shprehur shqetësim nga deklaratat e përfaqësuesve të Partisë Socialiste për të grumbulluar militantët dhe simpatizantët para qendrave të numërimit, por dhe Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, duke i kërkuar atyre qetësi dhe durim deri në përfundim të procesit administrativ dhe nxjerrjes së rezultatit përfundimtar të zgjedhjeve.
Barroso e Fyle, të premten në Tiranë
Presidenti i Komisionit Europian, Jose Manuel Barroso si dhe Komisionerin për Zgjerim në BE Stefan Fyle, do të jenë të premten në Tiranë. Në një njoftim të agjencisë së lajmeve Europolitics bëhet me dije se krerët europianë do të zhvillojnë një vizitë në Serbi, Kosovë dhe Shqipëri, më 19-21 maj. Lajmi është bërë i ditur edhe nga ambasadori i BE-së, Ettore Sekui. I shoqëruar nga një delegacion i zyrtarëve të lartë të Unionit, Barroso do të zhvillojë takime me krerë të lartë të shtetit dhe klasës politike shqiptare.
Ambasadorët: Të shpallet shpejt rezultati
Ambasadorët e vendeve perëndimore kërkojnë me ngulm përfundimin e procesit të zgjedhjeve të 8 majit. Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Aleksandër Arvizu, ambasadori i OSBE-së, Eugen Volfarth dhe kreu i Delegacionit të Bashkimit Europian, Etore Sekui, zhvilluan dje takime me kryeministrin Sali Berisha dhe kreu e opozitës në lidhje me situatën e krijuar. Në këto takime të mbyllura, ambasadorët kanë kërkuar shpalljen e rezultatit, por që të dhënat të hidhen saktë dhe me kujdes. Pas përfundimit të këtyre takimeve, të tre ambasadorët lëshuan një deklaratë të përbashkët duke kërkuar në të mbylljen e rezultatit me të dhëna të sakta dhe po ashtu hapjen rrugë të ankesave ligjore për pretendimet e palëve. “Më shumë se një javë ka kaluar qëkur një numër i madh votuesish në Tiranë votuan për postin e kryetarit të Bashkisë, më 8 maj. Qytetarët duan dhe meritojnë qartësi rreth rezultatit të zgjedhjeve. Është thelbësore që rezultatet zyrtare paraprake të hidhen në tabelë me kujdes nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve dhe të shpallen me shpejtësi. Po ashtu, është tejet e rëndësishme që procedurat për zgjidhjen e ankesave të jenë të qarta dhe të jenë në përputhje të plotë me dispozitat ligjore të Shqipërisë, përfshirë Kodin Zgjedhor. Ne presim që të dyja palët të ushtrojnë vetëpërmbajtje dhe të respektojnë plotësisht procesin demokratik”, thuhet në deklaratën e plotë të tre ambasadorëve të huaj.
Aristir Lumezi
© Panorama.al











